Voto sot, mos u anko nesër!

 

Rreth 3.3 milionë shqiptarë do t’u drejtohen sot kutive të votimit për zgjedhjen e 61 kryebashkiakëve të rinj në vend. Fundi i një fushate të tejzgjatur dhe që është shoqëruar dje në ditën e heshtjes zgjedhore edhe me disa incidente. Një sinjal jo i mirë ky për tensione të mundshme gjatë ditës së sotme, por edhe gjatë procesit të numërimit. Gjithsesi, forcat politike do të jenë në gjendje të menaxhojnë çdo situatë. Ajo çka duhet të bëjë diferencën është pjesëmarrja në votime.

Dita e votimit është i vetmi moment kur qytetarët kanë në duar të drejtën për të vendosur për jetën e tyre. Nëse njerëzit janë të pakënaqur nga politika, të pakënaqur nga mënyra sesi bashkitë janë drejtuar në këto vite, sot është koha për të vendosur se si do të jetë modeli i drejtimit gjatë 4 viteve të ardhshme.

Nëse qytetarët janë të pakënaqur nga qeverisja ose opozita, sot është një mënyrë për të shprehur qëndrimin e tyre. Edhe pse këto janë zgjedhje vendore, mesazhi sado të largohet nga konteksti  i përgjithshëm është edhe politik. Ndaj 21 qershori është një votë për të shprehur qëndrimin ndaj reformave të qeverisë, apo mënyrës sesi opozita po sillet gjatë dy viteve të fundi. Por kryesorja është votë se si e duan jetën në komunitetin ku jeton sejcili votues. Njeriu hedh votën për një jetë me të mirë, ndaj vota sot ka një supërpeshë sa edhe ai që voton nuk e mendon;duhet të votojë nëse e do jetesën më të begatë. Pa votuar njeriu nuk ka të drejtë për të thënë se “pse nuk e kam këtë apo atë”.

Ndërsa partitë politike kanë bërë fushatë për llogari të tyre gjatë muajt të fundit dhe kërkojnë me doemos fitoren, ndërkombëtarët janë treguar më të shqetësuar për atë që ndodh. Janë disa mesazhe që ndërkombëtarët i kanë përsëritur dhe partitë politike i kanë shmangur nga retorika politike. I pari është ai për zgjedhje dhe premtime që zgjidhin problemet e njerëzve. I dyti është mesazhi i bërë edhe dje nga Ambasadori amerikan, Donald Lu: “Mos votoni kriminelët”. Është thirrja më e fortë dhe më e ashpër e një diplomati, përmes së cilës ai u ka kërkuar qytetarëve pjesëmarrjen në votime, por edhe një votim të zgjuar. Vota është e vetmja mënyrë për t’i larguar nga jeta politike njerëzit me probleme me ligjin. Derisa partitë politike nuk kanë marrë përsipër të respektojnë votuesit duke vendosur kandidatë me të dhëna kriminale, sot është dita e votuesve për të thënë fjalën e tyre. Politika shqiptare asnjëherë nuk vetërregullohet. Ligjet, morali dhe institucionet janë trajtuar nga gjithë klasa politike si çështje për të cilat mund të bëhet kompromis. Sot është koha që qytetarët të tregojnë se nuk bëjnë kompromis me asgjë për votën e tyre. As me një thes miell dhe as me 50 apo 10 mijë lekë të reja. 10 mijë lekë të reja sot, nga cilado forcë politike që vijnë, janë skllavërim i qytetarëve për katër vitet e ardhshme. Një votë mund të mos i ndryshojë menjëherë gjërat, por nëse njerëzit votojnë ndershmërisht, partitë dhe kryetarët një ditë do të kuptojnë se ata që i zgjedhin nuk janë dele që gënjehen në grazhdin e premtimeve elektorale.

Mbi të gjitha, vota është edhe një detyrim qytetar. Nëse gjatë 4 viteve rrimë dhe shajmë qeverinë apo opozitën, i quajmë të korruptuar, mashtrues, madje së fundmi dhe kriminelë, dita e votimit është i vetmi moment kur mund t’i ndëshkojmë. Në të kundërt, ka vetëm një zgjidhje: të heshtim.

Ndaj dilni dhe votoni sot ! Nëse nuk del atëhere mos fol !

 

SHKARKO APP