Vrasja e ekstremistit ngatërron dy shtete
Vrasja e ekstremistit Kostandinos Kacifas, lindur në Bularat të Gjirokastrës, me nënshtetësi shqiptare dhe greke, ka tensionuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Incidenti nga një ngjarje e qartë, ku policia është detyruar të eliminojë një person që rrezikonte jetën e agjentëve dhe të banorëve të zonës, është kthyer në një përplasje diplomatike.
Athina zyrtare pretendon se vrasja mund të ketë ndodhur për motive të tjera dhe mund të ishte shmangur. Ndërkohë që Policia e Shtetit, në më shumë se një deklaratë ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë mundësi tjetër, pasi Kacias, ishte i armatosur dhe e municione. Ndërsa diplomacia greke nuk i thotë të gjitha, një pjesë e media në Athinë dhe partitë opozitare po e shfrytëzojnë këtë ngjarje për të tensionuar marrëdhëniet mes dy shteteve. Një pjesë e mediave, në mënyrë amatore dhe aspak profesionale raportojnë se “Kocifas u vra sepse mbrojti flamurin grek”. Një ide e tillë jo vetëm laj i rremë, por edhe e rrezikshme.
Sa për çështjen e flamurit, në Bularat dje ka pasur flamuj grek më shumë se çdo herë tjetër. Dje është zhvilluar një ceremoni për përkujtimin e ushtarëve të vrarë gjatë luftës Italo-Greke në këtë fshat. Një komision i përbashkët mes Shqipërisë dhe Greqisë ka marrë pjesë në ceremoni dhe vendosja e flamujve është pjesë e marrëveshjes mes dy vendeve. Pra, nuk ka asnjë arsye që Policia Shqiptare të ketë hequr flamurin grek. Në Bularat dje ishte festë dhe vendosja e flamujve grek jo vetëm s’ka qenë ndonjë herë problem, por dje kishte leje speciale për të vendosur sa më shumë.
Kanë qenë banorët e fshatit Bularat ata që njoftuan policinë duke thënë se Kostandinos Kacifas po terrorizonte fshatin. Pra që këtu bien dhe dëshmitë që japin një pjesë e përfaqësuesve të minoritetit greke, se gjoja policia e ka provokuar Kacifasin. Në fakt, janë vetë banorët minoritarë të Bularatit që kanë kërkuar ndihmën e policisë. Sot zyrtarë grekë dhe përfaqësues të minoritetit po thonë se vrasja mund të ishte shmangur. Sigurisht askush nuk do të donte vrasje, por çfarë bëjnë policia në Greqi, SHBA, BE e kudo gjetkë kur ka një person të armatosur rëndë që nuk dorëzohet? Si reagojnë policitë e vendeve të tjera kur një person, kushdo qoftë, nuk i përgjigjet thirrjes për të lënë armët? Në të gjitha ligjet dhe manualet e veprimit të policisë, kur dikush nuk dorëzon armën dhe mund të rrezikojë jetën e forcave të rendit dhe banorëve, përgjigja është ekstreme. Polici greke ka të njëjtin protokoll. Policia shqiptare ka pa fund raste kur ka vepruar kështu, pavarësisht se kush është personi që qëllon.
E thënë thjesht, Kostandinos Kacifas nuk u vra se ishte grek, u vra se qëlloi policinë, siç vritet çdo preson që nuk u bindet forcave të rëndit dhe rrezikon jetën e të tjerëve me armë.
Policia Greke rrëzon pretendimet: Kostandino Kaçifa nuk u vra për flamurin
Policia Greke ka rrëzuar të gjitha pretendimet që minoritari Kostandino Kaçifa të jetë vrarë për flamurin apo të jetë provokuar nga pala shqiptare. E përditshmja greke “Kathimerini”, por edhe media të tjera të Athinës, citojnë burime zyrtare të Policisë Greke që thonë se autoritetet e vendit të tyre kanë qenë vazhdimisht në kontakt me palën shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Greke, Aristeidis Andrikopoulos, ka kontaktuar me homologun e tij shqiptar dhe është mbajtur vazhdimisht i informuar për situatën që po ndodhte në Bularat të Gjirokastrës. Edhe burime nga Policia e Shtetit konfirmojnë për tvklan.al se ka pasur komunikim përmes kanaleve zyrtare me homologët grekë.
“Kathimerini” shkruan gjithashtu se burime zyrtare nga Policia e Athinës i kanë thënë se nuk ka prova apo dëshmi që Kostandino Kaçifa të jetë vrarë për ngritjene flamurit greke. Vet policia helene e mohon që 35-vjeçari minoritar të jetë provokuar nga policia shqiptare apo faktorë të tjerë.
Ndërkohë, ambasadori shqiptar në Athinë është thirrur në Ministrinë e Jashtme të Greqisë për episodin që ndodhi në Bularat. Sikurse shkruan edhe “Kathimerini”, Ministria e Jashtme e Greqisë vazhdon të protestojë për vdekjen e minoritarit grek në Shqipëri, pavarësisht se Policia Greke thotë se ka qenë në dijeni që në fillim të operacionit të RENEA-s dhe mohon që 35-vjeçari të jetë vrarë për uljen e flamurit. Ndërkohë, e përditshmja tjetër “I Efimerida” shkruan se policia greke ka shtuar masat e sigurisë në ambasadën shqiptare në Athinë, në Zyrën Konsullore shqiptare në Selanik, si dhe në biznese e dyqane që i përkasin komunitetit shqiptar në Greqi, për të shmangur çdo episod të dhunshëm nga ekstremistë. Në të njëjtën kohë ekziston frika edhe për të burgosurit shqiptarë në burgjet e paraburgimet e Greqisë.
Vrasja e ekstremistit grek, Vangjel Dule: Policia të mbajë përgjegjësi
Kreu i PBDNJ Vangjel Dule reagon për ngjarjen e ndodhur dje në Bularat ku forcat RENEA lanë të vdekur minoritarin grek Kostandinos Kacifas. Dule është shprehur se sipas ekspertëve ngjarja mund të përfundonte ndryshe dhe se policia duhet të mbajë përgjegjësi. “Një lutje për të gjithë të respektojmë kodin shekullor për respektin për vdekjen. Dëshiroj që të theksoj thirrjen tonë për gjakftohtësi por në të njëjtën kohë dua të them se sipas ekspertëve ngjarja mund të përfundonte ndryshe. Policia të mbajë përgjegjësi për ngjarjen’, ka thënë Dule. Kreu i PBDNJ ishte sot në Bularat në familjen e viktimës.
Vrasja e ekstremistit/ Tsipras kërkon takim me ambasadoren shqiptare
Ministria e Jashtme greke, e cila drejtohet nga kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras, ka thërritur për një takim ambasadoren shqiptare, Ardiana Hobdari. Mësohet se ambasadores tonë në vendin fqinj do t’i dorëzohet një notë proteste në lidhje me vrasjen e 35-vjeçarit grek në Bularat të Gjirokastrës. Më 17 tetor ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias dha dorëheqjen nga detyra pas një debati intesiv për marrëveshjen e Prespës. Me largimin e Kotzias, postin e kryediplomatit e ka marrë vetë kryeministri Aleksis Tsipras.
“Bularati” te Krimet e Rënda: Vrasje e mbetur në tentativë kundër policisë
Hetimet për ngjarjen e rëndë në Bularat, kur minoritaret po festonin ditën e “Jo-së”, do bëhen nga Krimet e Rënda në bashkëpunim me prokurorët e Gjirokastrës. Arsyeja është se viktima ka kryer vrasje të mbetur në tentativë ndaj forcave te rendit.Prokuroria e Krimeve të Rënda është përfshirë në ngjarjen e Bularatit ku gjatë shkëmbimit me armë zjarri ndaj policisë u vra shtetasi Konstandinos Kotsifa. Përveç Prokurorit të Krimeve të Rënda Njazi Seferi është angazhuar edhe prokurori i Gjirokastrës Arben Pashaj, për dyshimet se bëhet fjalë për veprën vrasje e ngelur në tentativë për shkak të cilësive të veçanta të oficerëve të policisë.
Por për shkak se nuk ka përfunduar këqyrja e vendngjarjes, dosja nuk është sjellë ende në kompetencë të Krimeve të Rënda. Prokuroria thotë se përveç rrezikimit të jetës së disa oficerëve të RENEA-s dhe të policisë lokale ndaj të cilëve është gjuajtur nga i ndjeri drejtpërdrejtë ka dyshime se viktima ka kryer edhe krimin e nxitjes së urrejtjes mes kombeve. Por në rruge jo zyrtare Prokuroria sqaron se përsa kohë autori i këtyre krimeve u vra gjatë shkëmbimit me armë zjarri, është e pamundur që ai të hetohet apo të vendoset nën përgjegjësi penale.
Por pavarësisht kësaj hetuesit do shpresojnë të zbardhin shkaktarët që e shtynë 35 vjeçarin nga Bularati, që ditën e festës së Jo-së të marrë armën, të vishet me rroba ushtarake dhe të qëllojë kundër policisë. Nga arma e tij tip kallashnikov dhe me dylbi është qëlluar në drejtim të policisë me 44 plumba. RENEA thotë se i ezauroi të gjitha fazat e operacionit që nga negocimi deri tek thirrja për dorëzim. Policia thotë se pasi kishte qëlluar fillimisht në orën 10 të mëngjesit të së dielës kundër policisë lokale, Kostandin Kotsifa është kthyer në banesën e tij, është ndërruar dhe ka telefonuar të ëmën duke i thënë “nuk do te marr ca kohë në telefon” .
Ai është ngjitur në shpatin e malit Bularat ku edhe ka filluar të qëlloje, derisa aty ka mbërritur reparti special. Shkëmbimi me armë zjarri ka zgjatur me tepër se dy orë thotë policia. Ndërkohë që Avokati i Popullit ka nisur hetim të pavarur për çështjen. 35-vjeçari kishte 4 ditë që ishte divorcuar nga bashkëshortja, por autoritetet pohojnë se për shkak te veshjeve ushtarake kopjim i forcave komando greke, ai mbante edhe simbole të tjera që shtojnë dyshimet se ai ishte indoktrinuar nga një grup ekstremist në shtetin grek.
Berisha: Hetim të plotë për ngjarjen në Bularat
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për vrasjen e Kostandis Kaciafa. Berisha shprehet se policia është e detyruar të neutralizojë këdo që hap zjarr ndaj saj. Berisha shprehet se nga Athina dhe Tirana duhet të ndërpritet histeria e deklaratave anti shqiptarë dhe antigreke.
Deklarate per ngjarjen ne Bularat!
Të dashur miq, dje nje banor i Bularatit, anetar ne forcat e armatosura te Greqise ka hapur zjarr per motive ekstremiste edhe ndaj policise. Natyrisht ne çdo rast qe hapet zjarr drejt policise kesaj te fundit i lind e drejta ligjore te neutralizoj burimin e zjarrit.
Kur them te neutralizoje nenkuptoj me kete dorezimin e kriminelit qe hap zjarr, plagosjen e tij dhe se fundi edhe asgjesimin e tij kur dy te parat jane ta pamundura.
Pavaresisht aktit te denueshem qe vuri ne rrezik forcat e rendit, i shpreh ngushellime njerezore familjes se viktimes. Duke denuar disa reagime zyrtare te Athines por edhe te Tiranes, qe duan te perdorin rastin per qellime politike, konsideroj te nevojshme nje hetim te plote dhe transparent te kesaj ngjarje.
Me kete rast bej thirrje per nderprejen e histerise primitive antishqiptare ne Athine dhe asaj antigreke ne Tirane, qe nuk i sherbejne as te vertetes dhe as bashkepunimit mes popujve dhe vendeve tona! sb.
- Një ushtar-ekstremist grek, i vrarë nga policia, acaron marrëdhëniet shqiptaro-greke
- Vrasja e Konstandinos Kaçifa, Rama i përgjigjet Greqisë
- Protesta raciste të grekëve në Athinë: “Vritini qentë shqiptarë”
- Ministria Shqiptare: Jemi të zhgënjyer nga reagimi i palës greke
- Reagimi i Policisë së Shtetit për vrasjen e ekstremistit grek
- Reagon Greqia: Duam sqarime për vrasjen në Gjirokastër
- Ministrja greke që ishte në Gjirokastër: Asnjë flamur grek nuk ulën
- Qeveria e Greqisë i përgjigjet Ramës: Tone të ulëta
- Ministrja greke që ishte në Gjirokastër: Asnjë flamur grek nuk ulën.Kaçifa i kërcënoi të gjithë
- Profesori grek: Isha në Bularat, asnjë flamur grek s’është ulur