Vrasja e pamundur e Arben Kumbaros

Arben Kumbaros kërkuan ti’a vrisnin ende pa lindur “…Maratin” e tij. Shfaqja teatrale ende nuk ishte vënë në skenë dhe mediat tona zienin nga lajmet negative për të. Regjisori trajtohej si vëllai i ministres së kulturës, që kishte gllabëruar fondet e teatrit për një ndërmarrje gjigante. Akuzat shtyheshin edhe më tej kur tregohej se aktori kryesor që luante Zhan Pol Maratin (Hervin Culi) ishte edhe drejtori që kishte vendosur për këto fonde. Polemikat vazhduan me mënyrën se si qenë përzgjedhur aktorët kryesorë dhe si qenë bërë audicionet.

 

Më shumë sesa për këto polemika, që nuk flisnin për veprën, por për atë që ndodhte rreth saj, vendosa të shkoj e ta shoh këtë shfaqe për një lloj kurioziteti të pashtershëm që ngjall periudha e revolucionit francez. Dua të them që në fillim se mbeta i befasuar nga një sallë e mbushur plot. Ndoshta shprehja e njohur se cdo lloj publiciteti madje edhe ai negativ, është një publicitet i mirë, ishte vërtetuar edhe në këtë rast. Befasimi i dytë qëndronte në faktin se pasi e ke parë “Vrasjen e Maratit” mund të thuash me gojën plot se ajo është një nga gjërat e rralla, që e vlen mundimin të shkosh e ta shohësh në skenat tona.

 

Duke mos qenë një profesionist që i jep vetes lirinë të komentojë lojën e aktorëve, zgjidhjet regjisoriale, muzikën dhe skenografinë do të mjaftohem vetëm me një fjalë. Ajo ishte një pjesë që të mbushte dhe mbi të gjitha, një vepër që të bënte të mendoje (një gjë e rrallë kjo në anët tona).

 

Ngjarjet e saj autori Peter Weiss i ka vendosur në një çmendinë në periudhën Napoloniane. Drama niset nga një fakt i njohur historik. Nga vrasja që iu bë prijësit gjakatar të revolucionit francez Zhan Pol Maratit nga idhtarja e zhirondinëve Sharlot Kordej (Luli Bitri). Aktorët e saj janë të gjithë të sëmurë mendorë. Dhe regjizori i tyre është një figurë e njohur historike Markezi de Sade (Viktor Zhysti) i cile e vë në skenën e çmendinës pjesën e tij. Njihet historia se pikërisht në këtë spital luksi në Sheranton e mbyllën markezin de Sade për një kohë të gjatë. Eshtë gjithashtu një fakt i njohur se ai aty vinte në skenë pjesët e tij teatrale. Pikërisht nga kjo e dhënë është nisur edhe Peter Weisse, për të shkruar dramën e tij në mesin e viteve ’60.

 

E  ardhur tani në Tiranë me regji të Arben Kumbaros ajo është vërtet një pjesë që ia vlen ta shikosh. Ia vlen ta shikosh për ngjashmërinë e çuditshme mes revolucionit dhe teatrit dhe rolin që luan çmenduria e njerëzve në këtë lidhje.

 

Ia vlen ta shikosh për dialogët e imagjinuar midis Maratit, këtij prijsi revolucionar kolektivist dhe idealist të pandreqshëm që besonte se e mira mund të vinte nga populli dhe për popullin dhe Markezit de Sad, një individualisti ekstrem të cilin Apolineri e quante “si shpirtin më të lirë që ka ekzistuar ndonjëherë”.

 

Ia vlen ta shikosh edhe për skalitjen e disa prej personazheve realë të revolucionit francez. Për të parë Maratin paranoiak të ngërthyer në vaskën e tij ku shëron sëmundjen e tmerrshme të lëkurës nën kujdesen e të shoqes Simonë. Për të parë Sharlot Kordej që simbolizon atë pjesë të borgjezisë që ishte kundër revolucionit gjakatar. Për të parë markezin de Sad që nga lartësia e çmendinës ku gjendet, shtron pareshtur dilemën e përjetshme mes lirisë dhe pushtetit.

 

Ia vlen ta shikosh edhe për ngjarje që kanë lidhje me vetë ne shqiptarët. Për të kuptuar se si shpeshherë utopitë idealiste në emër të popullit degjenerojnë në masakra vrastare. Se si shprehja e Maratit: “ne jemi shpikësit e revolucionit por ende nuk dimë si ta përdorim atë” mbetet ende aktuale. 

 

Pra shkurt, këtë herë ia vlen të shkosh në Teatrin kombëtar për të parë këtë çmenduri teatrale humaniste dhe revolucionare, ku pasionet e historisë ngërthehen me ekseset e pushtetit dhe me të qeshurën bubullitëse të sëmurëve mendorë; ku aktorët përzihen në skenë me spektatorët; ku herë liria absolute fiton mbi utopinë e pushtetit të popullit dhe ku herë ndodh e kundërta.

 

Por ka edhe një arsye të fundit se përse ja vlen të shkosh e ta shikosh “”Vrasjen e Maratit”. Sepse duke qenë për diçka më shumë se një orë e gjysëm spektator i saj, e ke më të lehtë të kuptosh se sa e vogël, provinciale dhe e padenjë është shpesh herë media kulturore e Tiranës e cila në pamundësi për të menduar për një vepër, kapet me aspektet periferike të saj. Kjo ndodhi edhe me shfaqen e Arben Kumbaros dhe me .”..Maratin” e tij që kërkuan ta vrasin ende pa lindur

SHKARKO APP