Vritet gjyqtarja, dështon SHTETI
-Gjykatat, Prokuroria, Policia e Shtetit, ambasadat nuk e mbrojtën nënën e dy fëmijëve, gjyqtaren Fildeze Hafizi.
Shqipëria është tronditur dje nga një krim makabër. Fildes Hafizi, 39 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, me profesion gjyqtare u ekzekutua nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi. Ngjarja e ndodhur në mes të Tiranës i kalon përmasat e një tragjedie familjare dhe krimi në familje. Gruaja e vrarë ishte gjyqtare e Gjykatës së Shkodrës. Është një nga njerëzit e përzgjedhur për të dhënë drejtësi dhe për të garantuar një shtet funksional që mbron të pambrojturit. Megjithatë, dje nëna e dy fëmijëve u vra nga ish-burri i saj. Ndaj dhe veç një tragjedie familjare, krimi i ndodhur në Tiranë ka traumatizuar gjithë shoqërinë shqiptare. Veç dhimbjes njerëzore qytetarët u përballën dje me faktin ulëritës se si shteti nuk mbron dot as njerëzit e tij. Dhe pas kësaj natyrshëm të gjithë pyesin, nëse një gjyqtare nuk shpëtohet nga vrasja, çfarë ndodh me mijëra gra dhe vajza të tjera që janë në të njëjtat kushte, por nuk kanë as mundësinë dhe as njohjet për të kërkuar mbrojtje?
Ngjarja është një shuplakë e fortë për gjithë shtetin dhe institucionet tek të cilat besojmë. Ngrehina e gjithë sistemit që kemi ndërtuar; gjykatat, policia dhe vetë shoqëria ka rënë pas ekzekutimit të një nëne. Sepse ngjarja ka ndodhur në mënyrë të tillë që duket si një vrasje e paralajmëruar prej kohësh, ku të gjithë kanë pjesën e fajit. Të gjitha etapat e krimit, kërcënimi, dhuna, presionet dhe deri tek vrasja kanë ndodhur në sy të të gjithëve. Kanë ndodhur në sy të gjykatave, të kolegëve të Fildes Hafizit, në sy të policisë, shoqatave, mediave, madje dhe ndërkombëtarëve.
Dy vite më parë, Fadil Kasemi tentoi ekzekutimin e ish-gruas pak muaj pas divorcit. Ngjarja ndodhi në Golem, në prani të dhjetëra dëshmitarëve dhe fëmijëve të çiftit të divorcuar. Tragjedia u shmang në momentet e fundit, pas ndërhyrjes se disa personave që ishin të pranishëm.
Pas këtij incidenti serioz ka nisur dhe një procedim penal. Vendimi i gjykatës, për tentativë vrasje, dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje, normalisht duhet të ishte me mbi 5 vjet burg. Por gjykata ka bashkuar veprat penale dhe e ka dënuar vetëm me 3 vite burg. Një amnisti e miratuar me unanimetet nga Parlamenti në vitin 2016 ka bërë të mundur që Fadil Kasemi të fitoj lirinë duke vuajtur vetëm dy vite burg.
Përse kanë rëndësi sot të gjitha këto? Sepse nëse gjykata, kolegët e Fildeze Hafizit do kishin respektuar ligjin strikt, Fadil Kasemi do të ishte në burg.
Por seria e neglizhencës kriminale të institucioneve shtetërore nuk mbaron me kaq. Gjyqtarja kishte kërkuar disa herë urdhër- mbrojte ndaj ish-burrit të saj. Për Policinë e Shtetit, Fadil Kasemi njihej si njëri problematik, për shkak të dënimit në vitin 2015. Konfliktet mes gjyqtares dhe ish-burrit ishin të shpeshta. Ndërkohë që të dy banonin në një lagje në Tiranë. Të gjitha këto të dhëna duhet ta kishin bërë policinë me të kujdesshme në trajtimin e këtij rasti. Ka pasur urdhër mbrojtje si dhe dihej që dhunuesi mbante armë, ndaj situata nuk mund të ishte lënë në dorë të rastësisë.
Kjo ngjarje dëshmon dështimin e shtetit për faktin se gjyqtarja ka ndjekur të gjithë hapat institucionale dhe institucionet nuk kanë reaguar. E gjendur në një situatë ku askush nuk ofronte mbrojtje, Fildeze Hafizi i është drejtuar dhe me një letër Ambasadorit të SHBA, Donald Lu. Letra është një dëshmi e paaftësisë se institucioneve tona, ku gjyqtarja tregon se asnjë prej strukturave shtetërore nuk i ka dhënë siguri për jetën. Është porta e fundit ku ka trokitur, kur ka parë se askush nuk mund ta mbronte. I është drejtuar njeriut të gjithëpushtetshëm në Shqipëri, ambasadorit amerikan Lu, por edhe ai nuk e mbrojti dot.
Të gjitha institucionet e shtetit e lanë të vetme. Vrasja e djeshme është dëshmia më e fortë se shteti ka dështuar.
Q.Xh.