“Zëri Amerikës”: Studentët mosbesues dhe të fyer nga kryeministri Rama
Nga VOA/
Disa mijëra studentë të universiteteve publike shqiptare zhvilluan sot për të pestën ditë një tubim proteste para ministrisë së arsimit. Ata kërkojnë përgjysmim të tarifave dhe lehtësi të tjera për periudhën e studimeve.
Studentët thanë se janë mosbesues ndaj negociatave, ndaj vendosën që të mos pranojnë asnjë bisedim ose negociatë, por thjesht presin që kërkesat e tyre të plotësohen nga autoritetet.
Protestuesit thonë se janë fyer nga deklaratat e kryeministrit Rama se bëhej fjalë për disa studentë ngelës. Ndaj ata dolën me mijëra nëpër rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera universitare për të treguar se bëhej fjalë për një abuzim të shtetit me paratë e familjeve të tyre. Ata thonë në tubimet e tyre se qeveria po u shtrenjtonte studimet me masa shtesë, duke ua vështirësuar më tej jetesën e periudhës universitare.
Protesta nisi nga universitetet publike të Tiranës dhe shpejt atyre iu bashkuan me tubime studentët e universiteteve të Durrësit, Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Vlorës. Shumë prej tyre udhëtuan drejt kryeqytetit për ta marrë pjesë në tubimet e Tiranës.
Edhe studentët e Universitetit ‘Eqrem Çabej’ të Gjirokastrës iu bashkuan të dielën protestave, pasi ishin të fundit deri sot të papërfshirë në reagime publike. Në një tubim përpara Univesitetit, ata kërkuan frenimin e korrupsionit, uljen e tarifave, përmirësimin e kushteve në konvikte.
Qeveria plotësoi një nga pikat e kërkesave të protestuesve dhe u shpreh e gatshme për dialog mbi temat e tjera, por studentët pohuan se do ta vazhdojnë tubimet deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.