“Zgjedhjet do vidhen”!

 
 
Afrimi i datës së zgjedhjeve ka shtuar zërat dhe spekulimet se 21 qershori nuk do të jetë ndryshe nga ditët e tjera të votimit, me kontestime, blerje votash dhe marrje rezultati në tavolinë,pra destabilitet. Si gjithmonë, zërat vijnë nga opozita. Si dikur Partia Socialiste, edhe sot Partia Demokratike ka nisur të përsërisë sërish të njëjtin refren: “zgjedhjet do vidhen”. Përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike prej disa kohësh kanë aluduar për transferime votuesish dhe lista të parregullta të qytetarëve që do marrin pjesë në votime. Por në mënyrë më të përmbledhur, ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar dje “manualin” me të cilin, sipas tij, do të vidhen zgjedhjet vendore. Në një postim në Facebook, Berisha rendit 6 mënyra me të cilët mazhoranca, sipas tij, ka nisur fushatën për manipulimin e rezultatit. Dhe kur e thotë Berisha ose ka një të vertetë të madhe se e di mekanizmin si vidhet vota pasi e ka bërë vetë PD-ja ose po përgatitet me një skenar të mirëpërgatitur që opozita të bojkotojë zgjedhjet ditën e votimeve siç bëri PS me 26 maj 1996. Skenar i rrezikshëm ky!
I përmbledhur në pak rreshta, plani i Berishës është ky: “Çdo zyrtar i administratës është detyruar të paraqesë tek eprorët numrin e votave që do sjellë për mazhorancën. Punonjësve të ministrive u janë kërkuar listat e familjarëve të tyre që do votojnë. Në Durrës janë hapur 1200 vende pune për të transferuar votues. Në shkolla, nxënësve u kërkohet letërnjoftimi i prindërve dhe qendra e votimit të tyre. Në Berat çdo punonjës i administratës duhet të paraqesë tek eprori një formular me 25 emra nga fisi dhe familja dhe të garantojë votimin e tyre për mazhorancën”.
Nëse vetëm njëra prej pikave të “manualit të vjedhjes” të paraqitura dje nga Berisha është i vërtetë, atëherë vetëm për zgjedhje nuk mund të flitet më. Plani i Berishës është i përpiktë dhe ngjason me metodat që vetë Partia Demokratike përdorte dikur përgjatë fushatave zgjedhore kur vinte në rresht administratën. Pra PD e di mirë se si vidhet dhe por ruhet të mos ia bëjnë PS dhe LSI atë çka ajo ka bërë vetë.
Reagimi i Berishës ka ardhur vetëm pak minuta pasi u zyrtarizua emri i drejtuesit të misionit të vëzhguesve të ODIHR-it në Tiranë. Ambasadorja britanike, Audry Glover do të jetë kryesuesja e ndërkombëtarëve që do të ndjekin nga afër përgatitjen e procesit, si edhe zhvillimin e zgjedhjeve. Glover është një emër mjaft i njohur për Berishën. Ajo ka qenë kryesuese e vëzhguesve gjatë zgjedhjeve të vitit 1996 dhe 2009. Raporti i Glover në atë kohë për zgjedhje të manipuluara dhe problematike ishte një nga faktorët kryesorë që dëmtoi imazhin e qeverisë së Berishës në vitin 1996. Që prej asaj kohe, Glover shihet nga Berisha si një prej ndërkombëtarëve që i ka hapur më shumë probleme. Situata do të përsëritej dhe në vitin 2009, ku Berisha do të kontestonte sërish ardhjen e saj si përfaqësuese e ODIHR-it. Në atë kohë, lobingjet e PD-së në institucionet ndërkombëtare punuan fort që ndikimi i saj në raportin përfundimtar të ishte minimal. Historia duket se po përsëritet edhe në zgjedhjet e 21 qershorit, me ndryshimin se Berisha nuk është më në pushtet. Duke patur parasysh konfliktet thuajse të hapura me kryesuesen e vëzhguesve të ODIHR-it, Berisha i druhet një raporti jo në favor të PD-së. Një raport i favorshëm për PD-në dhe Berishën do të ishte ai ku shkruhet “zgjedhjet u vodhën”. Nëse kjo gjë do të ndodhë apo jo, mbetet të shihet, por pavarësisht kësaj, Berisha po e bën gati opinionin, ndaj dhe ka nisur publikimin e “planeve” dhe “strategjive” të vjedhjes si ai i djeshmi. Dhe bojkotin me skenar.
Duket se Berisha e ka planifikuar fundin e zgjedhjeve pa u zhvilluar ato. Të flasësh që para një muaji se zgjedhjet do vidhen, është njëlloj si të lajmërosh se nuk do të njihet rezultati i tyre. Siç duket, teza e bojkotit po merret seriozisht në konsideratë nga ish-kryeministri.
Që të shmangë këtë skenar, mazhoranca ka vetëm një mënyrë. Të bëjë që këto zgjedhje të jenë më të mirat e zhvilluara deri më sot dhe jo që raportet e ndërkombëtarëve të thonë vetëm se “ishin një hap para”. Një hap para, me një mazhorancë që ka gjithë mundësinë për të bërë zgjedhjet më model do të ishte minimumi në vend numëro. Për vetë historinë e hidhur që PS-ja ka me vjedhjen e votave, më 21 qershor duhet të tregojë se di të sillet ndryshe nga Berisha më administratë dhe me kutitë e votimeve. Në të kundërt, skenarët imagjinarë të Berishës do fillojnë të merren seriozisht. 
 
Dhe Berisha ka qenë një herë President dhe dy herë kryeministër. E di mjaft mirë mekanizmin dhe diçka duhet të ketë ndjerë se do ia vjedhë PS dhe LSI.

SHKARKO APP