Zgjedhjet mbarojnë më 7 qershor
Nga Frrok Çupi
Duket si bizzare, por fati i zgjedhjeve tona të 21 qershorit merr të përpjetën ose të tatëpjetën, më datë 7 qershor; domethënë dy javë para se sa të mbahen votimet. Të paktën maxhoranca e thërritur "Socialiste", ose "e Majtë", këtë kalendar ka vënë përpara.
Do të fitojë apo do të humbë qëllimi i maxhorancës për pushtet; ose edhe paranoja që ka përfshirë qeverinë?!- kjo duket në mbrëmjen e 7 qershorit. Me 7 qershor, e dielë, mbahen zgjedhjet parlamentare në Turqi. Fati i ëndrrës së Erdogan për pushtet, përcaktohet atë ditë. Por atë ditë përcaktohet edhe fati i modelit erdoganist "të gjitha pushtetet për mua" që ka aplikuar qeveria shqiptare si qëllim i zgjedhjeve të 21 Qershorit.
Lidhjet mes qeverisë së Tiranës dhe "sulltanit", Erdogan janë të njëmijëfishta. Por sa jetike janë këto lidhje për Tiranën, mund të krahasohen veç me tubin e oksigjenit mes të dy tiranive me të njëjtin model. Sigurisht, këta të Tiranës janë akoma të vegjël në krahasim me Erdogan, por në rrugën e tij shpresojnë të rriten sa ai.
Ja ku janë disa prej lidhjeve jetike mes qeverisë së Tiranës dhe sulltanit të Ankarasë:
E para, qëllimi i njësojtë.
Qeveria e Tiranës ka manifestuar hapur se nuk do më opozitë nëpër këmbë. Me të gjitha mënyrat ka deklaruar se "askush nuk vlen në këtë vend, veç qeveria dhe miqtë". Ka lënë për të nënkuptuar se PS+LSI mund të çajnë malet e ta mbajnë pushtetin përjetësisht. Ka instaluar metodën e blerjes së votës dhe angazhimit të krimit, gjë që nuk e le më votimin të marrë frymë. Të gjitha këto e çojnë në "pushtetin për gjithmonë", ose "nuk keni parë gjë akoma!". Edhe Erdogan ka të njëjtën vijë. Kësaj here, në zgjedhjet e 7 Qershorit, ka ardhur në pikën kur ose do ta realizojë ëndrrën e tij prej sulltani, ose do të thërrmohet. Po të fitojë shumicë në Parlament, do ta kthejë Turqinë në republikë presidenciale ekzekutive. Në fakt i ngjason presidentit rus Putin, por deklaron se do të jetë: O si modeli i SHBA, o si Franca. Por Erdogan e ka të vështirë ta realizojë ëndrrën e tij. Është bërë nervoz gjatë fushatës. (Edhe këta të Tiranës po tregojnë nervozizëm dhe vulgaritet). Pardje Erdogan tha në Kirikkale para turmave se "ju nuk mund të më largoni nga skena…". Por me sa duket kësaj here bie Erdogan; partia e tij AK nuk mund të fitojë dy të tretat e vendeve në Parlament.
Me këtë rast tronditet edhe ëndrra e këtyre tanëve për një pushtet të pakufishëm.
E dyta,
Erdogan nuk e ka fushë me lule. Sa vjen koha dhe i ngatërrohet vetja nëpër këmbë. E nisi me fitore të bujshme në vitin 2003, por deri në 2014 u dobësua shumë. U dobësua pikërisht nga forca.
E njëjta gjë ka ndodhur me të Majtët këtu. Këta u bashkuan në ideale të vjetra komuniste dhe rreth një partie të vjetër e të lodhur komuniste, duke krijuar "front të çeliktë" me dy të tretat dhe me deputetë të blerë.
Si Erdogan.
Ekrem Dumanli, kryeredaktor i gazetës "Zaman", pat shkruar se "Erdogan humbi pikërisht kur ishte duke fituar". Gazetari tani është në burg si i akuzuar për grupe terroriste, sepse është i njohur si njeri i afërt me armikun Gulen.
Kësaj here "sulltani" nuk mund të përdorë as referendumin popullor. Edhe aleatët më të afërt si Partia e Kurdëve, me të cilën ka aleancë, nuk mund të pranojnë presidencë ekzekutive, d.m.th., pushtet pa kufi për Erdogan.
Së treti,
Që në fillim, kur vinte nga kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe sportist, Erdogan nuk besonte te Parlamenti dhe parlamentarizmi. A shikoni lidhje paralele mes tij e kryeministrit shqiptar!?… Erdhi një ditë dhe u forcua; në atë moment i dha shkelmin parlamentarizmit. Kështu do të bëjnë edhe këta të Tiranës po të fitojnë këto zgjdhje, sipas shembullit Erdogan.
Por Erdogan nuk ka shans të fitojë më 7 qershor. Kështu bie edhe ëndrra e këtyre këtu.
E katërta,
Turku i moderuar në fillim, tashmë është kthyer në një problem të madh për qytetërimin perëndimor dhe demokracinë. Në fillim u shfaq si model i myslimanit. Pastaj kreu rolin e moderuar të dominimit të civilëve mbi ushtarakët që kishin përzënë një qeveri pro- islamike. Por nuk zgjati shumë. Nisi të mbyllë rrjetet sociale si Facebook dhe Tweeter. Tani akuzohet se është frymëzues i "Vëllazërisë Myslimane" të Egjyptit me president Mohamed Morsi, i dënuar përjetë për krime. Me njerëzit e partisë së tij ka krijuar probleme të mëdha. Ata janë kundër presidencës ekzekutive. Disa senior i ka mbledhur rreth vetes për t'i kundërvënë me të tjerët.
Plot çudira, njësoj si këta të Majtët këtu me kryeministrin e tyre. Ky herë luan me Europën si me Morsin, herë me Ballkanin, herë krijon tipa në Partinë Socialiste që tua kundërverë seniorëve.
Janë si dy pika ujë
Erdogan i ka zgjedhjet më 7 Qershor. Dhe humb ëndrrën e tij, sipas parashikimeve.
Këta i kanë më 21 Qershor… Por në fakt edhe këta e kanë fatin e zgjedhjeve me 7 qershor….