Zoti e ruan aeroportin e Rinasit !
Vjedhja e parave në aeroportin e Rinasit në Tiranë tre ditë më parë është vetëm një pjesë e skandalit në këtë objekt të sigurisë së lartë në vend. Një raport i vetë Policisë së Shtetit për masat e ruajtjes së këtij objekti tregon për një gjendje skandaloze. Policia e Shtetit dhe Autoriteti i Aviacionit Civil rreth dy muaj më parë kanë testuar procedurat e kontrollit dhe sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”. Rezultati i testimeve tregon se jo vetëm mungesë logjistike të firmës që ka marrë sigurinë e Rinasit, por edhe një paaftësi skandaloze e tyre.
Konkretisht me 20 prill policia ka bërë 3 testime të fshehta. Një punonjëse e policisë ka arritur si “pasagjere” të kalojë në pikën e kontrollit eksploziv dhe detonator. Të gjitha institucionet e sigurisë në aeroport nuk kanë pikasur asgjë. E tmerrshme! Si ka mundesi që ajo sasi eksplozivi ka kaluar pa rënë në sy të kontrollit? Po sikur të ishte për në avion?!
Prova e dytë ka pasur si qëllim futjen e armëve të ftohta në zonën ku kalojnë ekuipazhi dhe personeli i avionëve. Edhe në këtë rast, megjithëse pajisjet kanë dhënë sinjalin, personi ka arritur të fusë në ambientet e brendshme, thikën.
Testimi i tretë ka qenë për ruajtjen e ambienteve të jashtme të aeroportit. Edhe në këtë rast siguria e ka dështuar. Gjatë provave agjentët janë futur në të njëjtën derë nga ku hynë grabitësit e parave të bankës. Për 10 minuta pas çarjes së rrethimit asnjë prej kamerave nuk ka filmuar gjë dhe asnjë sinjal nuk është dhënë për alarm. Veç kësaj, raporte të tjera të policisë flasin se një javë më parë dy persona kanë arritur të kalojnë gardhin, të hyjnë në pistë dhe kanë qenë gati të hipin në avion, pa u ndaluar në askush. Kjo është skandaloze në aeroportin ndërkombëtar të Shqipërisë. E tmerrshme është pak si fjalë të thuhet se si ka degjeneruar siguria e aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Rinasit. Në kohën e qeverisë Nano është vendosur të hiqet kontrolli dhe siguria e aeroportit nga policia e Shtetit, duke ia dhënë privatit. Si mundet të lejohet një gjë e tillë? Aty udhëtojnë qindra mijë pasagjerë dhe me këtë nivel sigurie siç vertetohet edhe nga institucionet kontrolluese dhe testuese të shtetit mbetet të themi se vetëm Zoti e ka ruajtur të keqen në avionë apo në aeroport !
Të gjitha këto shkelje janë dokumentuar në një raport të Policia e Shtetit ka dorëzuar të kompania “Airport Partners” dhe kompania ICTS, përgjegjëse për sigurinë e Rinasit, në muajin maj. Edhe pse situata ka qenë alarmante nuk është marrë asnjë masë. Në këtë situatë, ajo që ndodhi të enjten me grabitjen e parave të bankës nuk është çudi. Sepse praktikisht aeroporti Rinasit rezulton të jetë një han pa porta. Jo vetëm njerëzit mund të hyjnë atje lirisht, por kushdo mund të fusë në ndërtesë dhe në avionë thika dhe lëndë eksplozive pa u shqetësuar. Edhe në një lokal nate ka kontrolle me të rrepta sesa në Rinas. Më e pakta me këtë që ndodh mbetet heqja e liçensës dhe më e mira që mund të bëhej është prangat atyre që marrin lekët dhe nuk sigurojnë aeroportin.
Kjo nuk është thjesht një shkelje e protokollit të sigurisë. Më shumë se kaq kjo është një paaftësi gati kriminale dhe tallje me qytetarët. Në gjithë botën për shkak të sulmeve terroriste objektet e shpallura të rëndësisë së veçantë janë aeroportet. Janë miliona euro që investohen nga taksat e qytetarëve për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të shmangur ngjarje e rënda. Rastet në vendet afër nesh tregojnë se dhe Shqipëria nuk është imunizuar nga terrorizmi. Ajo që ndodhi në Turqi pak ditë më parë tregon se terrorizmi mund të godasë çdo vend dhe objekti kryesor janë aeroportet. Rinasi është i vetmi aeroport ndërkombëtar që kemi. Ndaj dhe paaftësia e kompanisë private që menaxhon sigurinë është thjeshtë kriminale. Nëse deri më sot nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi në aeroport kjo nuk ka të bëjmë vigjilencën e punonjëseve të kompanisë private. Thjesht terrorizmi nuk ka dashur të godasë në Tiranë. Sepse po të ishte për kompaninë “ICTS Albania”, siç ndodhi me vjedhjen e parave apo me testin me tritol, terroristët rrugën do e kishin të hapur në çdo kohë, çdo ditë dhe çdo orë. Thjesht Zoti e ka ruajtur aeroportin e Rinasit nga sulmet. Shteti dhe kompanitë private atje janë vetëm për të marrë taksat dhe për tu sjellë shpirtin në maj të hundës pasagjerëve që kontrollohen mesa duket vetëm sa për të kaluar radhën.
Nga të dhënat e verifikuara, rezulton se për një vit, shpenzohen 9 milion e ca euro vetëm për të garantuar sigurinë e aeroportit të vetëm dhe pikës kryesore të lidhjes nga ajri të Shqipërisë me vendet e tjera. Pra 9 milionë euro i merren taksave të shtetit për sigurinë, shkruan opinion.al i Fevziut , por siguria mbetet kjo që u pa në dritë të diellit.
Debati për sigurinë në aeroport ka shpërthyer këto dy ditë pasi u vodhën paratë e një banke. Deri dje askush nuk fliste. Ministria e Brendshme dhe Ministria e Transporteve prej gati tre muajsh, pas testimeve, e kishin të qartë se Rinasi ishte një han pa porta. Pyetja që shtrohet tani është përse nuk reaguan më herët? Përse priten që të vidheshin paratë e bankës mu në mes ditës e në mes të aeroportit dhe më pas të flasin? Pse nuk penalizuan sapo konstatuan shkeljet që dolën publike dje?
“ICTS Albania” është kompania që ka marrë përsipër sigurinë e aeroportit. Megjithëse i është bërë disa herë vërejtje kompania nuk ka marrë asnjë masë. Nga të dhënat rezulton se aksioner i kësaj kompanie është dhe juristi i PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, avokati Eno Bushi, i cili njihet për lidhje të afërta me drejtuesit kryesor Partisë Socialiste. Lidhje të tilla e bëjnë të kuptueshme pse kompania private megjithë shërbimin skandaloz ka vazhduar kontratën. Gjithashtu, shpjegojnë dhe heshtjen e institucioneve e sidomos të kryeministrit Rama, i cili flet për gjithçka por vetëm për këtë skandal në Rinas nuk flet. Kryeministri duhej urgjent të kishte mbledhur drejtuesit e sigurisë. Më e pakta ishte të kërkonte heqjen e liçenses së kompanisë private dhe rikthimin e policisë së shtetit në Rinas për kthyer sigurinë.
Duhet një orë e me parë Qeveria ti heq liçensën firmës që ka sigurinë e aeroportit para se të ndodhë ndonjë tragjedi e madhe, ku të pendohemi të gjithë. Policia e Shtetit duhet ta marrë nën kontroll sigurinë në aeroport e jo privati. Apo është lenë kastile në dorë të privatit siç hidhen dyshime ndër vite se nga aeroporti ka transport droge dhe armësh?! Dyshimi mbetet përderisa nuk e ka policia e shtetit, por dikush tjetër që rezultoi jashtë starndartit ligjor.
Rinasin e paska ruajtur Zoti deri më sot ! Por edhe Zoti nuk të ruan përditë !