Zoti Ministër, kush e vrau Artan Santon?

Zoti Ministër, kush

e vrau Artan Santon?

 

Saimir Tahiri hedh dyshime të forta se mos ngjarja e Tom Doshit ishte sajuar për të mbuluar vrasjen e Santos, ku i dyshuari kryesor është Durim Bami nga Fushë-Kruja. Në dëshminë që ka dhënë në Prokurori për çështjen “Doshi”, në datën 6 mars 2015, ministri përmend më shumë se një herë, se kur është njohur me denoncimin e bërë nga Durim Bami, ka dyshuar se kjo ngjarje po përdorej për të fshehur ngjarje të tjera edhe më të rënda. Në deklarimin prej 8 faqesh para prokurorëve Adnan Xholi dhe Manjola Kajana, ministri Tahiri shprehet se personi që kishte sjellë në takim deputeti Doshi, Durim Bami, ishte i skeduar nga policia për ngjarje të tjera kriminale. “Jam larguar nga shtëpia e Tomës me makinën time dhe rrugës kam kontaktuar me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Pasdite në zyrën time erdhën Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako; Drejtori i Krimeve të Rënda, Ben Dashi dhe Ardian Çipa; Drejtori i Policisë së Tiranës. U shpjegova këtyre personave gjithë historinë dhe u thashë përshtypjen time që e gjitha kjo histori (vrasja e Doshit) më dukej teatër për të fshehur ose një ngjarje tjetër kriminale, ndërkohë që unë kisha marrë informacion se kush ishte Durim Bami (Duri). Nga informacionet e marra para këtij takimi, kisha të dhëna se ishte i përfshirë në vrasjen e Santos dhe për një seri vrasjes kriminale”, ka deklaruar Tahiri para prokurorisë.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte ndër personat e parë që u vunë në dijeni nga Tom Doshi për një plan që ai pretendonte se ishte thurur për ta eliminuar. Si i tillë, Tahiri u thirr nga Prokuroria në cilësinë e zyrtarit që kishte dijeni për akuzat e Doshit. Si gjithë zyrtarët e tjerë që u thirrën në Prokurori, Kreu i Kuvendit, Kryeministri, deputetët etj, edhe ministri Tahiri ka thënë se ngjarja ishte e sajuar. Por ndryshe nga të gjithë politikanët dhe drejtuesit e shtetit të përfshirë në këtë histori nga Tom Doshi, ministri Tahiri ka dhënë edhe një version mbi arsyet e sajimit të saj. Në dëshminë e tij, ministri Tahiri versionin se pas ngjarjes së “Doshit” fshihen ngjarje të tjera ia ka thënë edhe Kryeprokurorit, Adriatik Llalla. “Unë i thashë dyshimet e mia se mund të ishte një gjë e sajuar dhe se po shërbehej për të shmangur një ngjarje tjetër kriminale lidhur me ato që përmenda më lart për Santon dhe Frrokun. I thashë Llallës se për këto dyshime i kisha thënë edhe Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit”, – është shprehur Tahiri në deklarimin e tij në Prokurori.

Ministri Tahiri ka hedhur gjithashtu dyshime se ky inskenim kishte të bënte edhe gjyqin ndaj Arben Frrokut, vëllait të deputetit Mark Frroku, që po gjykohej për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Këto dyshime ai thotë se ia ka bërë të ditur fillimisht kryeministrit Rama. “Pasi kam mbaruar me takimin te shtëpia e Tomës, i kam thënë Kryeministrit në telefon që kjo histori e treguar nga Toma më dukej përrallë dhe se ne nuk do ta neglizhonim dhe po kryenim të gjitha veprimet e nevojshme. Në darkë, pasi kisha marrë edhe informacion të zgjeruar nga zyrtarët e policisë, kam folur me Kryeministrin në telefon dhe i kam thënë që sipas meje kjo histori është e gjitha e pavërtetë. Kjo ishte përshtypja ime pasi nuk kisha fakte dhe prova. Unë i thashë gjithashtu që kjo bëhej, ose se Toma do të jetë në qendër të vëmendjes së Kryeministrit, ose për të mbuluar një ngjarje tjetër kriminale që sipas meje ishte diçka që kishte të bënte me Santon ose me vëllain e deputetit Mark Frroku. Kjo sepse ne kishim probleme me dëshmitarin e drejtësisë për çështjen e vëllait të Frrokut, për çështjen e vrasjes së Dritan Lamajt”.

Në dëshminë e ministrit Tahiri, ky detaj i dyshimeve për vrasjen e Santos përmendet disa herë. Ndërsa çështja “Doshi” është drejt mbylljes dhe sipas vendimeve të deritanishme të drejtësisë e gjitha ka qenë një sajesë, por çështjet e tjera kanë pikëpyetjet edhe më të mëdha.

Atëherë kush e ka vrarë Artan Santon?! Ministri i Brendshëm paska dyshime për emra konkretë, por Adriatik Llalla a ka të njëjtin dyshim? A është hetuar se Artan Santo ishte në tratativa për t'ia shitur 50 përqind të aksioneve dikujt në politikë?

Zinxhiri duket se po zgjidhet pasi ka informacione se Prokuroria e Përgjithshme po përgatit arrestimin e një deputeti për vrasjen e Santos. Duket se diçka po ruan Kryeprokurori i Republikës Adriatik Llalla dhe vetëm kur të dëgjojmë supeaksionin për arrestime të forta për vrasjen e Artan Santos.

Qamil Xhani

SHKARKO APP