Zoti Rama! Mbyll kazinotë, disiplino lokalet e natës
Lokalet e natës janë një nga bizneset më të përhapura, sidomos në Tiranë. Ngrihen brenda pak ditësh afër zonave luksoze dhe gjithmonë në vendet më të populluara. Funksionojnë 24 orë dhe çuditërisht arrijnë të marrin lejet e duhura nga ministritë dhe nga policia për të punuar pa u shqetësuar nga askush. Lokale të tilla, në bodrumet apo katet e pallateve janë kthyer në tmerrin e banorëve që jetojnë në këto zona. Në këto vende, zhurma dhe muzika e lartë janë shqetësimi më i pakët në dukje. Ambjente të tilla janë burimi i sherreve, trafikut të drogës, prostitucionit dhe kërcënim i hapur për gjithë banorët që duan të jetojnë normalisht. Në shumicën e incidenteve që ndodhin gjatë natës në kryeqytet, zanafilla e tyre lidhet me ambjentet e lokaleve të natës. Nëse ka një vend ku paligjshmëria dhe trafiqet janë sheshit, janë lokalet e tilla. Nën shkëlqimin e dritave dhe gjirizet e bodrumeve lulëzon vesi, trafiqet dhe siç e pamë dje, edhe vrasjet makabre të paimagjinueshme. Në shumicën e tyre, janë vendet më kriminale të jetës ku duhen kontrolluar nga policia dhe gjithë institucionet shtetërore. Lokale nate që nuk respektojnë as orar, as rregull, ku krimi përzihet me politikën e ditës dhe së bashku, bëjnë ligjin e atyre që janë banorë të thjeshtë të këtij vendi. Natyrisht, se ka prej tyre të tilla që janë vende dëfrimi e çlodhjeje dhe që respektojnë ligjin, porse, fatkeqësisht, në shumicën e tyre në mbarë Shqipërinë janë kthyer në çerdhe droge, prostitucioni e vrasjesh, vende nga ku burojnë sherret pa fund. Jashtë shtetit, siç thoshte dje edhe një koleg i “Top Channel”, Met Veliu që ka qenë në Londër, lokale të tilla kanë rregulla të forta; orari nuk kalon përtej orës 24.00, ka kontrollorë që në hyrje për drogë, armë apo sende të tjera të forta, kanë të skeduar emrat dhe fytyrat e personave problematikë e që nuk lejohen të futen brenda në të tilla lokale. Ka bodigardë e kamera. Ka rregulla strikte. Ndërsa në Tiranë, apo në qytetet e vendit, turren për të futur çdo lloj krimineli brenda, me drogë e me armë, që për një fjalë goje se “pse më pe vëngër” nxjerr pistoletën e bën kërdinë.
Ngjarja e djeshme dhe autori apo autorët e saj, do të marrë ndëshkimin e duhur. Pakkush mund të besojë se mazhoranca aktuale do të bëjë gabimet që bëri qeverisja e kaluar, duke marrë përsipër edhe mbrojtjen e krimeve. E kundërta do të ndodhë, vetëm nëse ndonjë gjykatës është çmendur dhe nuk do të arrijë të lexojë ligjin dhe rebelimin që ka sot në opinionin publik. Deputetja Luiza Xhuvani dje bëri aktin normal moral të dorëheqjes. Kryeministri Edi Rama, gjithashtu, mbajti qëndrimin e duhur lidhur me raportet që ka mazhorancëa e re me drejtësinë. Policia ka arrestuar vrasësit e dyshuar për këtë ngjarje. Kaq është pjesa morale e mazhorancës për një ngjarje makabre si ajo e djeshmja. Por qeverisja nuk është vetëm çështje morali. Tashmë duhet aksion dhe dorë e hekurt e qeverisë për të mos lejuar që fenomene të tilla të përsëriten. Kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet të hartojnë një plan ndërhyrjeje për të disiplinuar fenomenin e lokaleve të natës dhe lojërave të fatit, që janë kthyer në fole të krimit, prostitucionit dhe trafikut të drogës.
Nëse mazhoranca është e vendosur për të luftuar krimin, së pari duhet të nisë nga kazinotë dhe lokalet e natës. Në këtë mënyrë, do t’u bëjë një nder banorëve që jetojnë në zonat përreth tyre, duke u hequr zhurmën dhe duke i ruajtur nga mundësia e të qenit viktima të ngjarjeve të tilla të dhunshme. Por ajo që është më e rëndësishmja, lidhet me faktin se shumica e të kërkuarve, e personave më precedentë penalë, e njerëzve të droguar dhe gjithfarëllojësh shkelësish të ligjeve, vendin ku strehohen e kanë në këto ambjente, pra në kazinotë e Tiranës dhe në lokalet e natës. Kazino ka edhe jashtë shtetit, por kontrollohesh nga shumë roje, ka rregulla strikte. Ndërsa në Shqipëri në shumicën e tyre gjen ata që policia nuk i gjen në rrugë, kriminelët. Veç kësaj, shumë prej bizneseve të tilla janë të dyshimta dhe për mënyrën sesi financohen. Në jo pak raste, ngritja e lokaleve të lojërave të fatit dhe argëtimit janë “lavatriçe” parash të krimit të organizuar. Që ngjarje të tilla të mos përsëriten, duhet një operacion i fortë për disiplimin e këtyre ambjenteve. Kryeministri Rama e filloi njëherë këtë aksion kundër lojërave të fatit, por nuk dihet pse u tërhoq për një moment tjetër. Edi Rama kur bëri zap Lazaratin e Dukagjinin, kur shembi pallatin pa leje në Vlorë me tritol të njerëzve të Lulzim Bashës, kur mbylli universitete private që qarkullonin miliona e miliona euro e që kishin politikanë pas tyre, kur shembi ndërtime pa leje në çdo cep dhe kur po arreston edhe bosa biznesi që nuk paguajnë lekët e dritave, si ka mundësi që nuk mbyll gjithë kazinotë duke filluar së pari nga Tirana? Ka frikë? Nuk e njeh frikën Rama. Ka interesa? Nuk përzihet në këto punë ai. Po pret zgjedhjet vendore që t‘i bëjë zap? Por ato po shtohen si kërpudhat.
Për ata që mendojnë se masa të tilla do të shkatërrojnë bizneset dhe do dëmtojnë investime të rëndësishme ka më shumë sesa një përgjigje. E para dhe më e rëndësishmja, jeta e njerëzve është më e çmuar sesa fitimet e këtyre bizneseve. Arsyeja e dytë lidhet me shembujt që duhet të ndiqen. Britania e Madhe, një vend model në respektimin e ligjit ka një shembull që mund të merret parasysh nga qeveria shqiptare. Cila është zgjidhja? Në Angli, shumica e lokaleve të natës mbyllen në orën 23:00 të mbrëmjes. Për të marrë leje për mbajtjen e një lokali gjatë natës, pronarët duhet të plotësojnë një sërë kushtesh strikte. Kushtet nisin që nga rregullat për shitjen e alkoolit, e deri te masat e sigurisë. Lokalet duhet të kenë një numër të caktuar personash që garantojnë sigurinë, të cilët duhet të jenë në çdo ambient. Ndërkohë, para se të hyjnë klientët në këto ambjente, stafi i seigurisë kontrollon çdo person për armë, drogë dhe çdo objekt tjetër të ndaluar. Veç stafit të sigurisë, lokalet kanë kamera sigurie të cilët shërbejnë për të zbardhur çdo incident të mundshme. Cilat nga këto lokale ka kushte të tilla në Shqipëri? Ambjenti ku ndodhën dje vrasjet kishte marrë leje vetëm nga Agjencia Rajonale e Mjedisit për të punuar non stop 24 orë! Nuk kishte as roje, as staf që të kontrollonte njerëzit nëse hynin të armatosur. E vetmja leje, ishte ajo për zhurmat. Por edhe kjo duket se është dhënë në mënyrë abuzive. Pasi janë vetë banorët e lagjes ata që thonë se prej një viti kishin bërë ankesa për zhurmat që vinin nga lokali.
Ngjarja tragjike e djeshme është një vikamë e madhe për Kryeministrin Rama që të zhdukë me forcën e INUK-ut dhe egërsisë së ligjit këto lokale nate që nuk plotësojnë kushtet e që janë kthyer në vende krimi, të mbyllë e t’i largojë në periferi të kryeqytetit, në një vend të sigurt e larg banorëve, kazinotë. Edhe i largon nga vende sherri, krimi, mafieje, por edhe i centron për t’i menaxhuar e kontrolluar dhe për taksat që fshehin çdo ditë.
Rama nëse e bën edhe këtë me lokalet e natës dhe kazinotë, do të jetë i pari kryeministër që nuk pyet për krimin, për politikën e lidhur me mafien. Të shikojmë e të presim!