Shqetsohuni se nuk ka PD opozitare e jo se flet shumë!

Parlamenti po njeh tensione, jo shumë për parime, se sa për mënyrën e marrjes së fjalës dhe ligjerimit të opozitës. Sidomos të PD-ja, e cila kërkon të flasë duke shfrytëzuar hapësirat e Rregullores së Kuvendit, por edhe në disa raste duke e shkelur. Gramoz Ruçi është i rreptë dhe nuk fal asnjë minutë tej minutazhit të përcaktuar. Çështja e tolerancës ndaj opozitës nga një mazhorancë supër e blinduar në numra, siç është sot PS, ka vend shumë për debate, pasi, realisht opozita ka vetëm fjalën. Të tjerat i ka dhe i administron pushteti. Nisur nga kjo nuk ka pse mazhoranca të tregohet kaq e prerë dhe e rreptë ndaj PD-së, nëse e kalon iks minuta fjalën e saj apo të lidershipit të saj, të cilët siç dihet kanë vetëm FJALËN.

Natyrisht që Gramoz Ruçi është tip strikt, nuk bën tolerime, askujt. Por pas incidentit të sotëm parlamentar, ku deputeti Flamur Noka u përjashtua nga seanca parlamentare vetëm se donte fjalën, siç bën çdo opozitë, e ndaj politika është tensionuar. Dhe pse? Për një fjalë e cila mund t’i jepej deputetit të PD, bile edhe ish-kryeministrit Berisha, i cili po priste në këmbë për të folur. Edhe seancën tjetër iu hoq fjala kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe për pak u përjashtua nga seanca parlamentare. Pra me sa duket ka një strategji nga të dyja palët, PS dhe PD, për tensionimin e situatës. Mund të kuptojmë logjikën e PD dhe taktikat e saja parlamentare për të acaruar dhe denigruar mazhorancën, por nuk kuptohet se pse PS nuk toleron, nuk hap udhë. Pra edhe PS e don sherrin.

A mos është ajo çka ka paralajmëruar avokat Spartak Ngjela se PS e PD po luajnë për sherr që të krijojnë destabilitet në mënyrë që të mos zbatohet Vettingu, sidomos në politikë? Kjo mbetet një arësye edhe për ta besuar.

Pas përjashtimit nga Ruçi të deputetit të PD-së, u prit se do të kishte reflektim nga kryeministri, si shefi i qeverisë dhe PS. Natyrisht që pranojmë Gramoz Ruçin në mënyrën e tij të punës të prerë e pa kompromis, kur mendon se i shkelet Rregullorja. Por kur doli vetë kryeministri Rama për t’i sqaruar medias se pse nuk do lejojmë “shkeljen e Rregullores së Kuvendit”, a thua se po shkelet Kushtetuta e Shqipërisë, ndërkohë që Kushtetutën e ka ndryshuar me Berishën sa herë ka dashur; pra dalja e kryeministrit tregoi krejt strategjinë e përballjes së PS kundrejt opozitës. Përballje e cila do të mund të kthehet e dhunshme vetëm se nuk lejojnë të flas Basha, Berisha apo kushdo tjetër nga PD pak minuta me shumë se sa duhet.

Nuk u bë nami se folën me tepër të PD apo LSI! Këtu po vriten njerëzit në mes të rrugës së madhe, dhe ku banditët e drogës po bëjnë ligjin, dhe nuk bërtet njeri. Këtu po vidhet e po jepen koncensione, dhe as që e rruan njeri në shtet! Këtu nuk ka punë e siguri dhe nuk po ndëshkohet njeri, bile populli voton prapë ata që nuk ia mbajtën premtimet.

Ndaj lëreni të flasin, PD-në, edhe me tepër se sa Rregullorja! Nuk po prishet dynjaja se flasin dy minuta me shumë. Problemi më i madh në këtë vend është se PD akoma nuk po bëhet OPOZITË. Opozitë si dikur, që të ndizte zjarrin në sy, kur e ndante mendjen. Tani nuk ka fuqi as të marrë fjalën në Kuvend e të flasë kundër qeverisë e kryeministrit!

Ky është problemi!

(marrë nga www.albanianews1.al)

http://albanianews1.al/zoti-rama-shqetsohuni-se-nuk-ka-pd-opozitare-e-jo-se-flet-shume/

SHKARKO APP