Fondi 100 milionë USD për paketën e dytë anti-krizë, si do të ndahet!

Kompensimi për pensionistët dhe familjet në nevojë do të nisë të ndahet në vjeshtë.

Pas rishikimit të buxhetit, qeveria adresoi vetëm 12 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë, si mbështetje financiare, pas rritjes së çmimeve që pësuan produktet e shportës dhe karburantet. Niveli i të ardhurave shtesë në buxhet favorizonte një mbështetje më të lartë, por pavarësisht kësaj, për përballimin e krizës, do të përdoret më pak se 30 për qind e fondit të arkëtuar. Në 7-mujorin e parë të këtij viti, nga të dhënat zyrtare, financat u rritën me 45 miliardë lekë më shumë, ose rreth 400 milionë dollarë më shumë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

PAKETA

Në takimin e djeshëm me gazetarët, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha se paketa e dytë do të jetë vijim i së parës, duke lënë të kuptohet se edhe këtë herë bonusi që do të ndahet për pensionistët dhe familjet në nevojë do të jetë në vlerën e 3 mijë lekëve. “Ne do të vijojmë të kemi një politikë mbështetëse ndaj shtresave në nevojë, që do të ndikojë si në ecurinë e konsumit, ashtu edhe ne ecurinë e mirëqenies së ekonomisë shqiptare.

Në fund të muajit korrik ne kemi bërë një akt normativ për rishikimin e buxhetit që parashikon të gjitha ndërhyrjet që qeveria shqiptare do të ndërmarrë me qëllim stimulimin e ekonomisë dhe frenimin e efekteve negative që vijnë në ekonomi nga koniunkturat ndërkombëtare. Këtë paketë të plotë masash do ta bëjmë publike. Paraprakisht mund t’iu themi se ajo përfshin ato masa që janë marrë deri tani dhe reflektimin e vijimësisë që janë marrë, qoftë për mbështetjen e bizneseve, qoftë për mbështetjen e konsumit”, tha ministrja.

Ndërkohë, nga totali i fondit, 10 milionë dollarë do të shkojnë si mbështetje për fermerët dhe peshkatarët si rimbursim për karburantin për periudhën korrik-dhjetor të këtij viti, ndërsa 1.67 miliardë lekë, apo rreth 14 milionë dollarë, do të adresohen si kompensim për kompanitë e angazhuara në punë publike.

BORDET

Paketat e mbështetjes financiare dhe ngritjen e bordeve, ministrja Ibrahimaj i konsideroi pjesë të politikave qeveritare për ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike. Pavarësisht akuzave të opozitës, por edhe kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, ministrja hoqi çdo mundësi për shkrirjen e bordeve. “Ju ftoj të analizoni ecurinë e çmimeve të bursës për produktet që janë nën ombrellën e bordit dhe jo të bordit për naftën bruto që ka një lëvizje të ndryshme nga nafta e rafinuar. Bordi për çmimet e naftës së rafinuar, benzinës e gazit e në asnjë rast bordi nuk është mbledhur në kundërshtim me rritjen apo uljen e këtyre çmimeve. Me pasqyrimin e një uljeje të çmimeve në bursat ndërkombëtare për produktin që tregtohet në vend, bordi mblidhet menjëherë, ndërkohë që mundohet ta shtyjë mbledhjen kur kemi raste të rritjes së çmimeve në bursë”.

RRITJA E ÇMIMEVE

Prej fillimit të këtij viti, vendi po përballet me valën e rritjes së çmimeve për produktet e shportës, por edhe të karburanteve. Në korrik inflacioni, sipas INSTAT-it, rezultoi me një normë rritëse prej 7.5 për qind, ndërkohë që për 7- mujorin, tha ministrja, inflacioni mesatar ka qenë në vlerën 5.3 për qind. “Nëse do të krahasohemi me vendet e tjera të rajonit, por edhe me mesataren e BE-së, inflacioni në Shqipëri është ndjeshëm më i ulët, i ndikuar, siç e përmenda edhe më sipër, nga të gjitha politikat që kemi ndërmarrë deri më tani, qoftë ato fiskale, qoftë ato monetare, për të mbajtur nën kontroll nivelin e inflacionit. Pra, Shqipëria me një inflacion 7.5 për qind në muajin korrik është ndjeshëm më ulët sesa Maqedonia e Veriut, e cila rezultoi me një rritje të çmimeve të konsumit vjetor me 16 për qind, Kosova 14.2 për qind, Serbia 12.8, Mali i Zi 14.9 për qind, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE-së është 8.9 për qind”.

Të ardhurat u rritën me 16% në 7-mujorin e parë “Rritjen më të lartë e ka pasur sektori i tregtisë”

Të ardhurat në buxhet janë rritur me rreth 45 miliardë lekë, ose 400 milionë dollarë, në 7-mujorin e parë të vitit. Por efektet e krizës duket se janë ndjerë në muajin korrik, ku vihet re një tkurrje e të ardhurave buxhetore, kjo si pasojë direkte e rënies së konsumit. Rritja e çmimeve, veçanërisht për produktet e shportës dhe karburantet, u reflektua në periudhën e parë të vitit, duke sjellë më shumë para në arkën e shtetit. Por kjo tendencë rritëse ka ardhur në rënie.

Kështu, në muajin korrik, të ardhurat e arkëtuara kanë pësuar rënie me 0.3 për qind krahasuar me një vit më parë. “Të ardhurat për 7-mujorin u realizuan në nivelin 326.7 miliardë lekë, 45 miliardë lekë më shumë, ose 15.9 % më të larta se sa e njëjta periudhë e një viti më parë. Sigurisht që për produkte të ndryshme, ka nivele të ndryshme të ndryshimit të çmimeve vjetore, por nëse do të marrim një agregat të totalit të çmimeve dhe një agregat të totalit të të ardhurave, ne shohim që rritja e të ardhurave në krahasim me vitin e kaluar është ndjeshëm më e lartë se sa rritja e çmimeve të konsumit. Kjo do të thotë se ne kemi një ecuri të ekonomisë shumë më të mirë se sa ajo e një viti më parë.

Këtë nuk e tregojnë vetëm të ardhurat totale, por e tregojnë edhe të dhënat e TVSH-së, të cilat ndonëse janë të lidhura me rritjen e çmimeve, tregojnë një puls të mirë të ekonomisë dhe të performancës së ekonomisë për vitin që jemi duke jetuar. Rritjen më të lartë për periudhën 7-mujore e ka pasur sektori i tregtisë e ndërkohë të gjithë sektorët e tjerë kanë pasur rritje të qarkullimit”, tha ministrja Ibrahimaj. Një tregues tjetër i ecurisë pozitive, sipas saj, është treguesit i punësimit, ku për muajin qershor, vendet e punës në vend arritën në nivelin 725.572 vende pune, rreth 15.108 vende pune më shumë se sa një vit më parë. Ibrahimaj përmendi si politikë mbështetëse ndaj krizës edhe rritjen e pagave për arsimtarët e personelin shëndetësor. “Nga ana tjetër, pagat kanë vijuar të rriten dhe duke mbështetur kështu indirekt buxhetet e familjeve shqiptare, për përballimin e krizës së çmimeve”. Por shtesa 6 për qind, që ka nisur të aplikohet prej muajit korrik, ishte e përcaktuar që në programin qeveritar për këtë mandat dhe nuk ka lidhje me krizën aktuale që e ka burimin në luftën në Ukrainë.

IMPORTET DHE EKSPORTET

Për periudhën 7-mujore, importet në vlerë janë rritur me 24 për qind, ndërkohë që në vëllim ka pasur ngadalësim që dëshmon edhe për rënie të konsumit. Në rënie ka ardhur edhe importi i karburanteve. Sa u takon eksporteve, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha se janë rritur në vlerë, por kanë pësuar ngadalësim me 5 për qind në vëllim. “Kemi pasur ecuri negative të importeve të karburanteve, sigurisht të ndikuar nga çmimet e larta të këtyre produkteve. Nga ana tjetër, edhe eksportet në vlerë kanë pasur një rritje prej 40 për qind. Në vëllim kemi pasur një ngadalësim me 5 për qind, ndikuar vetëm sektori i mineraleve dhe lëndëve djegëse që, siç e përmenda edhe më parë, është ndikuar nga çmimet e larta”, vuri në dukje ministrja.

SHKARKO APP