Këshilli i Ministrave miraton indeksimin e pensioneve në masën 8.6 %, hyn në fuqi në 1 tetor

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve. Vendimi parashikon indeksimin në masën 8.6 % të të gjitha kategorive të pensioneve, (pensionet e pleqërisë, pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, ato të invaliditetit, pensionet në qytet, në fshat, pensione që jepen për ndihma të posaçme shtetërore, etj.).

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përfitues do të jenë mbi 767 mijë qytetarë në të gjithë vendin. Zbatimi i këtij vendimi nis nga data 1 tetor dhe vetëm për periudhën tetor-dhjetor 2023 efekti financiar në buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 3.1 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.

Kjo rritje mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022-gusht 2023, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve (Indeksi i Çmimeve të Konsumit për pensionistët është i ndryshëm nga indeksi i popullatës, pasi merr në konsideratë ndryshimet e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët).

SHKARKO APP