Vlora Marina, projekti që po transformon turizmin elitar në Shqipëri
Në një kohë kur e gjithë energjia e Shqipërisë është orientuar drejt investimeve në fushën e turizmit, një ndër projektet që po merr një vëmendje të veçantë është ai i Vlora Marina, i cili vjen si një ndër më strategjikët në zhvillimin e turizmit elitar në vend.
Marina, e cila qëndron si një gur i çmuar mes dy deteve, Adriatikut e Jonit, është parashikuar të jetë një ndër më të mëdhatë në rajonin e Ballkanit, duke u kthyer në një projekt konkurrues në një treg shumë më të gjerë se sa tregu shqiptar. Vlora Marina është konceptuar për të ofruar jo vetëm shërbime të një cilësie të padiskutueshme, por gjithashtu të sjellë edhe një qasje të re në hospitality, sektor ende i pakonsoliduar me standardet e duhura në Shqipëri.
Numri në rritje i kroçerave që ndalojnë në brigjet e Shqipërisë, shtimi i linjave direkte të fluturimi si ajo e fundit e Ryanair me 18 destinacione nga Tirana në Europë, kanë çuar në një rritje domethënëse të vizitorëve të huaj drejt Shqipërisë.
Numri i lartë i turistëve është faktor kyç që ka nxitur nevojën për investime të tilla elitare të afta të ofrojnë shërbime Premium.
Ky zhvillim i ri dhe ambicioz, tashmë ka nisur të marrë vëmendjen dhe të zgjojë interes të lartë edhe tek mediat e huaja. Agjencia italiane e lajme ANSA, ishte e fundit që e cilësoi Vlora Marina pjesë të “shpërthimit” të turizmit në Adriatik.
Sipas studimit të kryer nga Risposte Turismo, një kompani italiane e specializuar në kërkimin dhe konsulencën e turizmit, Shqipëria ka patur rritjen më të madhe në pellgun e Adriatikut, me 53.9% pasagjerë më shumë se një vit më parë, me një rritje më të madhe dhe përpara Malit të Zi, Greqisë, apo Italisë.
Sipas studimit, industria e kroçerave dhe në veçanti segmenti i trageteve do të jenë sektorët që do të përfitojnë më shumë nga investimet e reja në trevjeçarin e ardhshëm.
Ndërsa nga shifrat zyrtare në vend, në 4-mujorin e parë të 2023-shit, janë regjistruar 8 % më shumë pasagjerë nga kroçierat krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Punësimi cilësor dhe zhvillimi ekonomik që do të gjenerojë ky projekt, pritet ta kthejnë Vlorën dhe Shqipërinë në një nga vendet më konkurruese në industrinë e turizmit elitar, në rajonin e Ballkanit e më tej në gjithë pellgun e Mesdheut.
Në një kohë kur ndërtimi i këtij superprojekti transformues ka filluar, parashikimet e para janë që ekonomia e Vlorës të përfitojë rreth 4,3 milionë euro në vit nga të ardhurat kur ai të jetë plotësisht funksional.
I vendosur në një nga pozicionet më të favorshme të qytetit, Vlora Marina sjell për herë të parë në Shqipëri një zhvillim urban miks, krejt autentik. Në një Marinë të klasit botëror me 438 vende për ankorim gjatë gjithë vitit, apartamente Premium me pamje ekskluzive nga deti dhe një rrjet të njohur të brandeve luksoze me 5 yje të hotelerisë.