
Pas viteve të gjata emigracioni, Lilo Cako zgjodhi të kthehej në vendlindje, ku prej 15 vitesh, ka ngritur një fermë gomaricash në Kopaçëz, një destinacion që tërheq turistë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj në një postim në rrjetet sociale solli historinë e Lilo Cakos, duke theksuar se “kjo nuk është thjesht një fermë, është historia e një njeriu që ktheu sfidat në mundësi”.
“Lilo nuk kërkoi vetëm të sigurojë të ardhura për familjen e tij, por të krijojë diçka me vlerë për të tjerët, që ofron qumështin e gomaricës, të njohur për vetitë e tij kurative”, theksoi Denaj.
Në videon e publikuar nga Denaj, Lilo Cako u shpreh se “kam 15 vite që mbarështojmë gomaricën. Jemi më shumë të përkushtuar tek qumështi që është më shumë kurativ. Ka shumë vlera kurative tek shëndeti i njeriut pastaj kemi djathin, gjizën. Emigruam në Athinë që në 97. 13 vite pune provuam Anglinë, Belgjikën, Francën u kthyem të bëjmë një gjë të bukur në Shqipëri. Pashë një dokumentar, thashë po e provoj, fillova me një gomaricë sot janë 40”.
Ferma, një sipërmarrje e veçantë në llojin e saj, prej disa vitesh po kthehet në një atraksion interesant turistik.
“Turistët e huaj vijnë që nga Hawaii edhe nga Japonia. Duan të shijojnë një byrek me qumësht gomarice, mish kërriçi, fërgesë, ose qofte kërriçi”, tha Cako. /k.s/j.p/ ATSH
