
Këtë të hënë në pikën kufitare të Kakavijës, kanë hyrë në fuqi masat shtrënguese të qeverisë greke. Kushdo që do të rezultojë pozitiv në testet e shpejta, i ndalohet hyrja në territorin helen.
Në një autobus me 50 emigrantë shqiptarë, autoritetet greke në Kakavijë konstatuan pozitivë me Covid-19 dy qytetarë, të cilët janë kthyer pas. Bashkë me dy personat, policia greke ka kthyer pas të gjithë autobusin, pavarësisht negativitetit në testet e shpejta.
Veç kësaj do të ketë edhe gjoba për personat e prekur me Covid-19 nëse tentojnë të hynë ilegalisht në Greqi. Deri më tani personat që dilnin pozitiv në kontrollet e palës greke ne Kakavije karantinoheshin 14 ditë. Pas ditës së hënë ata nuk do të mund të hyjnë dot në Greqi.
