
Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur këtë të martë të ekstradojë kinezin Liangbin Chen, I akuzuar për mashtrime me pasoja të rënda në shtetin e tij Chen me profesion programues kompjuterik rezultonte në kërkim ndërkombëtar kur u kap nga Policia kufitare e Rinasit në korrik të këtij viti pasi akuzohej për veprën penale “Mashtrim me pasoja të rënda”. Gjykata e Tiranës kishte vendosur më herët për ekstradimin e tij, por shtetasi kinez apeloi vendimin, duke kërkuar përveç lirimit nga qelia, të përfitojë edhe azil politik në Shqipëri me argumentin se i rrezikohet jeta nëse kthehet në Kinë. Mirëpo Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ekstradimin e tij. Chen u arrestua në aeroportin e Rinasit më 11 korrik të këtij viti. Një gjykatë në Kinë ka caktuar masën “arrest në burg”, pasi ai njihet si kreu i një grupi kriminal që ka realizuar grabitjen me mashtrim me vlerë rreth 145 milionë euro. Ai dyshohet se ka kryer mashtrime në platformat online për ambiente me qira, shitje kompjuterash dhe telefonash në Dubai, Kinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.