
Segmenti rrugor Maliq–Lozhan–Strelcë ka pësuar dëmtime të reja pas përdorimit intensiv gjatë ditëve të fundit. Për më shumë se dhjetë ditë kjo rrugë u shfrytëzua si alternativë nga drejtuesit e automjeteve që udhëtonin drejt Gramshit, pasi aksi kryesor Librazhd–Prrenjas ishte i bllokuar.
Shtimi i ndjeshëm i qarkullimit dhe kalimi i vazhdueshëm i mjeteve duket se kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së infrastrukturës. Fluksi i lartë i automjeteve gjatë kësaj periudhe ka sjellë dëmtime në disa pjesë të rrugës, duke e bërë situatën më problematike.
Në disa segmente janë evidentuar rrëshqitje dherash, ndërsa barrierat mbrojtëse kanë pësuar dëmtime. Po ashtu, në sipërfaqen e asfaltit janë krijuar çarje të theksuara dhe deformime në trupin e rrugës, të cilat rrezikojnë të përkeqësohen nëse nuk ndërhyhet në kohë.
Edhe pse pas rihapjes së aksit kryesor Librazhd–Prrenjas trafiku në këtë rrugë është reduktuar ndjeshëm, problemet e krijuara gjatë kësaj periudhe mbeten të dukshme. Dëmtimet e krijuara janë tashmë shqetësimi kryesor për përdoruesit e këtij segmenti rrugor.
Deri tani nuk është raportuar për ndërhyrje konkrete për riparimin e pjesëve të dëmtuara. Megjithatë, sipas vlerësimeve, rruga ka nevojë për ndërhyrje të shpejtë mirëmbajtjeje për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të saj dhe për të garantuar sigurinë e qarkullimit.
Aksi Maliq–Lozhan–Strelcë është ndërtuar nga kompania Gjikuria dhe investimi për realizimin e këtij projekti ka qenë rreth 1.4 miliardë lekë. Problemet e përsëritura që janë shfaqur në këtë rrugë gjatë viteve të fundit kanë ngritur vazhdimisht diskutime dhe dyshime mbi cilësinë e punimeve të kryera gjatë ndërtimit të saj.
