
Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, bëri të ditur se qeveria po krijon Bankën Shqiptare të Zhvillimit.
Kjo iniciativë sipas kryeministrit vjen pasi sektori i bujqësisë vazhdon të përballet me vështirësi në sigurimin e financimit nga bankat, për shkak të perceptimit që konsiderohet si një fushë me risk të lartë.
Kreu i qeverisë shpjegoi më tej se kjo bankë do të krijojë mundësi të reja për financimin e iniciativave, me fokus te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Bankat kanë një rezervë më të madhe ndaj bujqësisë dhe ndaj sektorëve të tjerë, sepse e konsiderojnë një sektor me risk të lartë. Për të pasur më shumë kontroll, ne po krijojmë dhe Bankën Shqiptare të Zhvillimit, e cila po zhvillon stafin e vet. Ka marrë edhe zyrat dhe së shpejti do të jetë operacionale. Do na japë mundësinë që të mbështesim shumë iniciativa”, tha Rama.
