
Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga reshje të shumta shiu dhe dëbore. Reshjet intensive të shiut kanë bërë që shumë lumenj të dalin nga shtretërit e tyre duke krijuar përmbytje në tokat bujqësore, banesat dhe rrugë.
Qyteti i Lezhës është një prej qyteteve ku reshjet e shiut kanë krijuar jo pak probleme. Mësohet se deri më tani 27 familje janë evakuuar pasi banesat e tyre nuk janë të sigurta.
Nga reshjet e dendura që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve te fundit, janë përmbytur 2800 hektarë tokë bujqësore në fushën e Zadrimës, Zejmenit, Rrilës, Tales, Shënkollës. Për shkak të reshjeve të shumta dhe prurjeve të përrenjve është shembur ura në fshatin Kalivaç. Prej 2 ditësh ishte e rrethuar nga uji, por sot është shembur totalisht.
Kjo urë bënte lidhjen e banorëve në fshatin Kalivaç të njësisë administrative Ungrej në Lezhë më qytetin. Shembja e saj dhe i aksit rrugor Kallmet-Ungrej nga reshjet kanë shkaktuar problematika të mëdha për banorët e fshatit Kalivaç. Një pjesë e tyre është tërësisht e izoluar me qendrën urbane të Lezhës.
