
Policia spanjolle ka zhvilluar kontrolle në selinë qendrore të Partisë Socialiste në Madrid, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi shkelje financiare dhe korrupsion, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Aksioni u krye me urdhër të gjykatës, me qëllim sigurimin e materialeve që lidhen me hetim të Gjykatës Kombëtare ndaj një ish-anëtari të partisë, i cili dyshohet për përfshirje në afera korruptive të lidhura me një kompani shtetërore.
Vetëm javën e kaluar, një tjetër gjykatë njoftoi se po heton ish-kryeministrin José Luis Rodríguez Zapatero për trafik influence dhe vepra të tjera të mundshme penale që lidhen me shpëtimin financiar të një kompanie ajrore. Zapatero i ka mohuar akuzat.
Nën hetim janë edhe bashkëshortja dhe vëllai i Pedro Sánchez, për akuza që lidhen me trafik influence, akuza që edhe ata i kanë hedhur poshtë. Një nga çështjet më të rënda për socialistët lidhet me hetimet ndaj një ish-ministri të qeverisë Sánchez dhe një zyrtari të lartë të partisë, të dyshuar për përfshirje në një skemë ryshfetesh që dyshohet se nisi gjatë pandemisë COVID-19.
