
Policia në Bjellorusi vijoi edhe të dielën aksionin kundër protestave antiqeveritare, duke arrestuar dhjetëra pjesëmarrës që kërkonin largimin e presidentit Aleksandër Lukashenko.
Turmat e mbledhura në kryeqytet u shpërndanë me gaz lotsjellës dhe granata çorientuese, e në disa raste ndaj tyre raportohet se u qëllua edhe me plumba gome.
Qytetarët ishin mbledhur si çdo ditë që pas zgjedhjeve presidenciale që i siguruan 66-vjeçarit Lukashenko pushtetin edhe pas 26 vitesh.
Demonstruesit denoncuan edhe dhunën e policisë që përveçse ka keqtrajtuar e burgosur mijëra veta nga muaji gusht, sipas tyre shkaktoi ditën e enjte edhe vdekjen e një opozitari 31-vjeçar.
Policia mohoi akuzat ndërsa shtoi se viktima ishte goditur fizikisht më parë nga persona civilë.
Lukashenko ka urdhëruar mbylljen e kufirit me shtetet fqinje, Letoninë, Lituaninë, Poloninë dhe Ukrainën për të ndalur përhapjen e koronavirusit por edhe destabilizimin e vendit nga jashtë.
Mësohet se masat janë marrë edhe për studentët që i bashkohen protestave.
Rreth 300 prej tyre mësohet se janë përjashtuar nga universitetet por të dielën kreu i shtetit tha se kushdo që shkel ligjet nuk i duhet vendit dhe mund t’i drejtohet lirisht Polonisë fqinje.
Bashkimi Europian ka vendosur sanksione politike dhe ekonomike ndaj 55 zyrtarëve bjellorusë, mes tyre edhe presidentit Lukashenko, duke apeluar për ndaljen e dhunës dhe hetim të krimeve kundër qytetarëve, në të kundërt në listën e zezë europiane do të shtohen funksionarë të tjerë.
Kreu i shtetit deri tani i ka shpërfillur thirrjet për dialog me opozitën politike.
