Marrëveshja për Brexit mund të arrihet deri në fund të muajit Tetor, sipas Kryeministrit të Irlandës Leo Varadkar, që kishte biseduar me Boris Johnson. Ndërkohë që vetëm 3 javë kanë mbetur përpara daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, është ende e paqartë nëse do të arrihet apo jo një marrëveshje.
Kryeministri Boris Johnson takoi Varadkar gjatë javës, në përpjekje për të shmangur divorcin e ashpër apo vonesën e Brexit. “Mendoj se është e mundur që të arrijmë një marrëveshje dhe lejojmë daljen e rregullt nga Bashkimi Europian”, tha Varadkar.
Në një deklaratë të përbashkët, dy liderët thanë se shohin një shteg që çon drejt marrëveshjes dhe se shefi i negociatave në Bruksel Michel Barnier do të takohet me homologun britanik Steve Barclay në fundjavë.
Paundi u rrit ndjeshëm me 1.5% në 1.2387 kundër dollarit amerikan pas lajmit dhe qëndron në 1.2502 në sesionin e fundit tregtar të Javës. Për të arritur marrëveshjen, Johnson duhet të zgjidhë çështjet e kufirit me Irlandën përpara se të marrë miratim nga Europa e ta shesë më vonë dakordësinë në parlamentin britanik, ç’ka është parë deri më tani si e pamundur.
