
Një oficer policie ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë gjatë përleshjeve të dhunshme në Bolivi midis mbështetësve të ish-Presidentit Evo Morales dhe forcave të sigurisë. Lajmin e konfirmoi zëvendësministri i Brendshëm Johnny Aguilera, i cili sqaroi se pati të shtëna me armë zjarri që rezultuan fatale.
Ngjarja ndodhi në qytetin minerar Yayagua, në rajonin e Potosit, ku situata ka qenë e tensionuar prej ditësh. Më herët, Presidenti aktual Luis Arce njoftoi fillimin e një operacioni të përbashkët mes policisë dhe ushtrisë për të larguar bllokadën e një autostrade kryesore në pjesën qendrore të Bolivisë.
Protestat dhe bllokadat kanë nisur që më 2 qershor, ku mbështetësit e Morales kanë bllokuar dhjetëra rrugë në të gjithë vendin. Ata kërkojnë dorëheqjen e Presidentit Arce, duke e akuzuar për përgjegjësi në krizën e thellë ekonomike dhe për manipulime në sistemin gjyqësor e atë zgjedhor, me qëllimin për të penguar pjesëmarrjen e Morales në zgjedhjet presidenciale të 17 gushtit.
