India është përfshirë në trazira të rënda, për shkak të një ligji për shtetësinë të bazuar në besimin fetar. Studentët kanë kthyer kampuset universitare në sheshe protestash, ndërsa kundërshtojnë ligjin e qeverisë nacionaliste Hinduiste pasi theksojnë se shkel normat bazë të Republikës Laike. Studentët qëlluan policinë me gurë, ndërsa kjo e fundit u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Pikërisht brutaliteti i ndërhyrjes së forcave të rendit ka shtuar zemërimin kundër qeverisë së kryeministrit Narendra Modi. Sipas raportimeve, të paktën 100 persona janë plagosur. Një ndër shqetësimet kryesore që ngre ligji i ri është garantimi i shtetësisë për vetëm emigrantët jo-myslimanë nga 3 shtete me shumicë myslimane.