
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka deklaruar se opozita duhet të ndërtojë një proces transparent dhe të besueshëm për zgjedhjen e një kandidati të përbashkët për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. I ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Koha Jonë-Debat”, nga Nikoll Lesi, Kapri u shpreh se një kandidat i përbashkët i opozitës në Tiranë do të ishte fitues, por theksoi se emri nuk duhet të imponohet nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Sipas tij, kandidati duhet të dalë nga protesta dhe të përfaqësojë nevojën për ndryshim, duke përfshirë të gjithë faktorët opozitarë, edhe demokratët. I pyetur për mundësinë e bashkimit të forcave parlamentare opozitare kundër Edi Ramës, Kapri kundërshtoi idenë e një bashkimi artificial, duke argumentuar se beteja e protestës nuk duhet të komprometohet nga pazaret politike dhe marrëveshjet mes partive.
Ai solli si shembuj rrugëtimin politik të Giorgia Melonit në Itali dhe Albin Kurtit në Kosovë, duke theksuar se ndryshimi politik kërkon kohë dhe një proces që ndërtohet mbi mbështetjen qytetare. Kapri dha edhe një paralajmërim për opozitën. ”Çdokush e shikon këtë si një bashkim mekanik votash, jua siguroj unë që do përballet ndoshta edhe me zhdukje politike”.
Pjesë nga debati
Lesi: E gjithë kjo përballje, ku doktor Berisha bërtet ”Do ta rrëzojmë” kryeministrin Rama, a ka gjasa të përbashkoheni seriozisht. Agron Shehaj po thotë do ta rëzojmë Ramën, Adriatik Lapaj po. Arlind Qori po. Ky Rama rrëzohet nësse ka një strategji opozita. A do përbashkohet apo secili thotë unë jam parti veç dhe do ta rrëzoj unë? Unë jam Agron Shehaj dhe e rrëzoj vetëm! Unë jam Adriatik Lapaj vetëm e rrëzoj! Unë jam Erald Kapri, vetëm. Pra a duhet një përbashkim i kësaj opozite që të jetë një front i besuar që të përballet me qeverinë se ndryshe nuk e rrëzoni dot Ramën.
Kapri: Nuk e mendoj kështu. Madje ideja e një krijimi të një bashkimi artificial të forcave të sotme parlamentare, unë mendoj që më shumë do ta kompromentonte gjithë betejën e sheshit kundër pushtetit të Edi Ramës.
Lesi: Pse?
Kapri: Sepse mendoj që ju, por dhe shumë të tjerë, brezi juaj, nuk po e kuptoni ç’po ndodh në shesh.
Nuk po e kuptoni. Ndoshta mund ta vendosni veten edhe në 90-ën. Në 1991 katër ditë protestë, pati u ulën në negociata studentët. Krijuan një parti.
Lesi: Tani i nderuar mos më mëso mua se si bëhen protestat! Kam dhënë prova unë para se ti lindje apo të merrje vesh nga politika! Kam bërë betejë me presidentin Berisha dhe me kryeministrin Nano, më vonë. Por juve duhet një strategji, se nuk mund ta rrëzosh me dhunë, duhet rrëzuar me votë. Ndaj insistoj se duhet të përbashkoheni të gjitha partitë e opozitës, sepse nëse sejcili futet për hesap të tij, Rama prapë i fiton.
Kapri: Kyështë një proçes. Tani ne e kuptojmë vështirësitë.
Lesi: Po zgjat shumë ky procesi juaj, po mërziten njerëzit. A keni takat?! Bashkohuni dhe rrëzojeni!
Kapri: Jo, nuk do mërziten njerëzit. Se ata që dalin në shesh i kanë bërë llogaritë mirë. Duhet të kuptojmë një gjë. Jemi një vend i vogël, jemi i vetmi vend në ishlindjen komuniste. Këtu besoj bie dakord me mua që kemi të njëjtën elitë politike. S’ka asnjë vend tjetër. Madje s’kanë as partitë e njëjta që kanë dalë në 90. Këtu kemi dhe liderat të njëjtët. Tani më fal duhet ta pranojmë këtë lloj realiteti ne të një vendi që po na thuhet se po avancon në Bashkimin Europian? Po kjo nuk është normale. Shembuj ke kudo. Ke Melonin në Itali që e nisi me 3%, u bërë kryeministre për tetë vjet. Ke Albin Kurtin në Kosovë, shumë afër. Sigurisht u deshën 14 vjet. Ne mendojmë që do jetë kohë më e shkurtër me protestën dhe nevojën e madhe për ndryshim që ka nisur këtu. Ajo që dua të them është kjo që ëh kam përshtypjen se të gjithë po sidomos pjesa e medias, medias tradicionale dhe ju në veçanti që jeni një brez tjetër që keni parë politikën si një mundësi për kompromis për të folur gjithmonë mes tryezave.
Lesi: Zgjedhjet vendore janë më 9 maj 2027. Ju do shkoni përballë kandidatit të mazhorancës, kandidatit të Ramës, pasi flitet se do ta caktojë nga shoqëria civile, po akoma nuk flet ai, se nuk i dihen skemat Ramës, se i ka të gjitha pushtetet. Por po të them se Berisha mbrëmë që e ndoqa te Fevziu, tha ne jemi gati si Parti Demokratike t’ia lëmë kandidatin partive të tjera ose të reja ose protestës dhe të futem në një front të madh për të marrë Tiranën. Tani, si do si do shkoni? Se kjo kërkesë zyrtare e liderit demokrat Berisha, a ka një përgjigje nga partia juaj? Se Agron Shehaj ka thënë që me Berishën nuk ka kompromis.
Kapri: Tani një gjë më vjen mirë që Sali Berisha për herë të parë po avancon me tezat dhe idetë politike të partisë Mundësia, sepse më para një viti kur u nis për të pasur zgjedhje të parakohshme me bashkinë e Tiranës, dhe e ndali Gjykata Kushtetuese, ne ishim të parët që iniciuam një tezë politike për të kandiduar një kandidat jo partiak, por njeri të njohur për të fituar Tiranën. Sigurisht PD-ja e kundërshtoi, madje cilësonte sakrilegj se si do dalin në zgjedhje pa vulën, se kishim bërë betejën për vulën. Në fund fare e pranuan, ju nënshtruan kësaj megjithëse me kundërshtime shumë të mëdha, por sigurisht edhe në atë moment Sali Berisha u imponua në mënyrën e vetë, jo të drejtë, pra duke cënuar parimin që ne folëm, sepse çështje 24 orësh, ai tha do mbështesim kandidatin Flor Binaj, pa na dhënë mundësinë që të gjithë ata faktorë opozitarë të bënin një proçes të drejtë dhe kjo në një farë mënyre është mbajtur vath në vesh. Së dyti kemi faktorin e protestës. Ne jemi aty përditë. Ne na u shëtim përditë thirrjet e tyre në vesh. Jemi me ta. Kështu që ne gjithë potencialin tonë politik do e çojmë drejt zgjidhjes që do e mundësojë sheshi. Pra ne do kërkojmë një kandidat që të dali nga protesta, që të mos ketë shans të imponohet nga Sali Berisha. Duhet të ndërtohet një proçes i besueshëm, që duhet të mishërojë protestën dhe nevojën e madhe për ndryshim ku sigurisht që edhe demokratët jenë pjesë dhe demokratët janë në opozitë, demokratët janë njerëz kanë sakrifikuar në këtë vend, por që nuk duhet të lejojmë që Berisha të imponohet rreth këtij kandidati.
Lesi: Nëse propozohet një emër nga protesta, protesta duhet të kthehet në një forcë politike. Si ta gjesh në protestë, kush është lideri, kush është grupi që e drejton? Se ato kanë thënë jemi të gjithë bashkë. Pra duhet të bisedosh me dikë. Kush është kryetari i protestës? Berisha tha nuk kam asnjë problem edhe me Arlin Qorrin që është i majtë, dhe që edhe ju nuk shkoni me njëri-tjetrin, duhet të pranoni të gjemi emër të përbashkët për të rrëzuar Ramën. Ndryshe rrini sejcili na “katunin” tuaj dhe Rama rri aty.
Kapri: Tani në qoftë se ne i përmbahemi parimit dhe ndërton një proçes transparent, të besueshëm, nuk ka gjë që e ndal dhe mendoj që sigurisht një kandidat i përbashkët i gjithë opozitës në Tiranë është 100% fitues, kushdo qoftë ai, por duhet ndërtuar gjithë proçesi i besueshëm, i besueshmërisë që të bindesh Qorin, por dhe të imponosh Sali Berishën që Sali Berisha të mos bëjë. Nëse ne nuk i përgjigjemi thirrjes së madhe për ndryshim që kanë dalë studentët rinia sot që është një ndryshim gjenerate, shumë herë më e fortë se ajo që ndodhi në 90-ën, atëhere ne kemi për të dështuar. Do dështojmë. Çdokush e shikon këtë si një bashkim mekanik votash, jua siguroj unë që do përballet ndoshta edhe me zhdukje politike.
Lesi: Nuk kam ç’të them me tepër! Ju duket se jeni sejcili për vete…
