
Lumi Vjosa ka dalë sërish nga shtrati pranë Urës së Mifolit, duke shkaktuar përmbytje në zonën përreth. Sipas të dhënave më të fundit, niveli i ujit ka arritur në 7.45 metra, çka ka sjellë përmbytjen e tregut të kafshëve poshtë urës.
Situata paraqitet shqetësuese edhe në Memaliaj, ku niveli i Vjosës ka shkuar në 7 metra, ndërsa prurjet vijojnë me intensitet të lartë për shkak të reshjeve të vazhdueshme. Autoritetet paralajmërojnë se, nëse kjo situatë do të vijojë, niveli i lumit mund të rritet deri në 8.5 apo edhe 9 metra në orët në vijim.
Forcat e emergjencave civile dhe strukturat vendore janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa u bëhet thirrje banorëve që jetojnë pranë shtratit të lumit të tregojnë kujdes dhe të jenë të gatshëm për marrjen e masave parandaluese, në rast përkeqësimi të mëtejshëm të situatës.