
Avokati Plarent Ndreca ka ngritur shqetësimin për mungesën e dokumentacionit mjekësor të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke deklaruar se ende nuk ka mundur të sigurojë kopjet e ekzaminimeve që do të konsultoheshin me mjekë specialistë për të përcaktuar nëse nevojitet ndërhyrje kirurgjikale. Në një prononcim pas takimit me Veliajn në burgun e Fierit, Ndreca e cilësoi situatën të pakuptueshme nga pikëpamja institucionale. Sipas tij, autoritetet i kanë dhënë vetëm një interpretim të rezultateve të grafisë dhe rezonancës magnetike, por jo kopjet e dokumenteve.
“Vazhdon saga e marrjes së dokumenteve mjekësore për z. Veliaj. Është situatë krejtësisht absurde, e pakuptueshme nga pikëpamja e përgjigjes institucionale është e nivelit shumë të ulët. Që nga e shtuna unë nuk kam marrë një kopje të grafisë dhe rezonancës magnetike që të kem një mundësi ta konsultoj me mjekë specialistë dhe të marrim një vendim mbi ndërhyrjen kirurgjikale”, deklaroi avokati. Ai tha se nuk arrin të kuptojë arsyen përse një institucion shtetëror nuk i vë në dispozicion vetë pacientit dokumentacionin që lidhet me gjendjen e tij shëndetësore.
“Sot kam marrë një përgjigje që thjesht bën interpretim të rezonancës e grafisë, por nuk japin kopje. Është një persekutim shëndetësor i pakuptueshëm dhe nuk di si do të vijojmë me këtë mënyrë. Unë do të vijoj me kërkesat e mia, por kjo po sjell pasoja përditë që ne nuk dimë si t’i vlerësojmë”, u shpreh Ndreca. Avokati foli edhe për kushtet në të cilat po qëndron Veliaj, duke pretenduar se kryebashkiaku vijon të jetë në ambientet e spitalit, i izoluar dhe pa mundësi komunikimi me të tjerët.
“Vazhdon të jetë në ambientet e spitalit, i izoluar. Nuk takon askënd, nuk flet me askënd, nuk del me grupe. Kur Veliaj ndodhet në ajrim mbyllen të gjitha qelitë sikur po del një personazh i rrezikshëm shoqëror”, tha avokati. Një tjetër çështje e ngritur nga Ndreca ishte kërkesa e Erion Veliajt për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste. Avokati e konsideroi këtë një të drejtë legjitime të klientit të tij, në cilësinë e anëtarit të kësaj force politike. Ndreca komentoi gjithashtu kërkesën e Veliajt për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor lidhur me pretendimet e tij për kërcënime nga kryeministri Edi Rama, të cilat janë përcjellë përmes ministrit të Drejtësisë.
“Ashtu siç ka trajtuar edhe në kërkesë, është një kërkesë që i është drejtuar kryetarit të grupit të PS për të iniciuar një komision parlamentar për ato që z.Veliaj i konsideron kërcënime të kryeministrit të bëra nga ministri i Drejtësisë. Është një detyrim kushtetues që parlamenti të bëjë kontroll parlamentar mbi ekzekutivin”, u shpreh Ndreca.
I pyetur për deklaratat e disa anëtarëve të Partisë Socialiste, të cilët kanë thënë se vendimi për garantimin e pjesëmarrjes së Veliajt në aktivitetet partiake i takon SPAK-ut dhe se partia nuk do të ndërhyjë, avokati tha se këto nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një qëndrim zyrtar të forcës politike. “Unë nuk di të ketë një qëndrim të Partisë Socialiste në lidhje me çështjen Veliaj, por qëndrime individuale. Partia Socialiste është një parti demokratike dhe kolegjiale dhe nuk mund të them që Partia Socialiste i ka mbyllur derën kryebashkiakut”, përfundoi Ndreca.
