
Sali Berisha përsëriti këtë të mërkurë vendimin e opozitës për të mbështetur protestën e studentëve në çdo mënyrë. Gjatë takimit me grupin parlamentar të PD, Berisha u bëri apel demokratëve të bëhen pjesë e kësaj proteste, duke garantuar se PD do të mbrojë kauzat e studentëve.
“Ne kemi lindur në protestë, mbetemi parti e protestës, do të jemi parti e protestës. Kjo nuk ka dyshim. Ndaj dhe protestat e studentëve do të kenë mbështetjen më të fuqishme të Partisë Demokratike”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha replikoi në distancë me të gjithë ata që kërkojnë largimin e tij së bashku me largimin e kryeministrit Edi Rama. “Ua them haptas këtu sepse mund të shkosh kudo, mund të mendosh çdo gjë, por që t’i caktosh një partie kryetarin që votohet nga anëtarët e saj, tregon që ti je një fatkeqësi individuale, je njeri fatkeq në shkallë ekstreme me setapin tënd psikologjik”, tha Berisha.
Kritikat më të ashpra Berisha i artikuloi ndaj veçanërisht Arlind Qorit dhe “Lëvizjes Bashkë” dhe qëndrimit të tyre që te protesta e flamingove. “Por ky ritual përsëritej çdo ditë në një kohë kur bandat e Qorrit të Ramës, Arlind Qorrit terrorizon qytetin me grusht çdo natë: E viva, rroftë komunizmi!”, përfundoi Berisha.
