
Pas përplasjeve me policinë pranë Kuvendit, protestuesit janë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Me thirrje të vazhdueshme dhe në kor, protestuesit kanë kërkuar lirimin e personave të shoqëruar pas tensioneve pranë Parlamentit. “Jo e pushtetit, Polici e Shtetit” ishte një nga sloganet që u përsërit gjatë protestës.
Sipas të dhënave të bëra publike, rreth 20 persona janë shoqëruar në komisariatet e kryeqytetit pas përplasjeve me efektivët. Protesta gjatë ditës u shoqërua me tensione, ndërsa disa prej protestuesve hodhën vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve.
Mes personave të ndaluar raportohet se janë edhe kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, si dhe gazetari Shpend Gashi. Këta të fundit edhe kanë publikuar një video nga Komisariati nr.6 në Tiranë.
Situata vijon të mbetet e tensionuar para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku protestuesit kërkojnë lirimin e të shoqëruarve.

