Shqipëria ka një prej përqindjeve më të larta në Europë të të rinjve, atyre të moshës 25 deri në 29 vjeç, e që konsiderohen si millenials, ose Gjenerata Y. Të dhënat e Eurostat tregojnë qartë se, në Europë janë vetëm 5 shtete ku kjo përqindje është më e lartë se 8 në raport me popullsinë e përgjithshme të secilit prej këtyre shteteve.
Shqipëria është një prej këtyre 5 vendeve, duke u renditur e 5-ta. Eurostat thotë se, Azerbajxhani, Armenia, Malta dhe Qipro janë të gjitha shtete ku kjo normë është më e lartë, nga 9.4% në rastin e Azerbajxhanit, në 8.4% në rastin e Maltës. Më pas ndjek Shqipëria me një normë në 8.2%. Mesatarja europiane ndërkohë fiksohet në 6.2%. të lindurit e fund viteve `80 dhe fillim viteve `90, të quajtur ndryshe si millenials, janë një pjesë mjaft e rëndësishme e ekonomisë së një vendi, jo vetëm për shkak se janë një pjesë thelbësore e tregut aktiv të punës, por edhe pse janë një target-grup primar i kompanive të cilat tregtojnë kryesisht mallra konsumi.
Portugalia, Greqia dhe Sllovakia janë vendet europiane me përqindjen më të ulët të gjeneratës Y në popullsi, në rreth 5%. Plakja e popullsisë në vendin tonë pritet të ulë ndjeshëm këtë përqindje, dhe ky problem demografik do të ketë impakt të padiskutueshëm në ekonominë e vendit. Dhjetë vite më parë, Turqia ishte vendi europian me më shumë millenials, në rreth 9%, ndërsa sot ka rreth 7.7%.
/ SCAN
