Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për emisionin “Opinion” në televizionin “Klan” ka shpjeguar gjithë procedurën që ka ndjekur për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Lidhur me akuzat e PS se kreu i shtetit po pengon reformën, Meta tha se sot janë betuar anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe pas dy vitesh pezullim, kjo gjykatë është funksionale. Në këtë mënyrë, kreu i shtetit tha se roli i tij jo vetëm s’ka qenë bllokues, por ka kërkuar nisjen sa më parë të punës nga gjithë institucionet.
Lidhur me qëndrimet e disa diplomatëve në Tiranë, Meta tha: “Pse sa herë nderohet një mandat ambasadori unë do pranoj të ndryshoj e të shkel Kushtetutën? Unë do mbroj Kushtetutën e Republikës që kemi miratuar me ndërkombëtarët”.
Duke ju përgjigjur akuzave të PS se ka frikë nga reforma në drejtësi, Presidenti tha “unë të kem frikë nga SPAK i Ramës dhe Ulsit? Boll me këto marrëzira, se na e bëtë Ulsiun si Uliksin”.
I pyetur për akuzat që Dovrani ka bërë sot në një reagim publik kundër institucionit të Presidentit të Republikës, Meta tha: “Asistence mjekësore nuk i ofroj dot Dvoranit. Ky person ka shqetësim etikën e Presidentit dhe jo faktin që është bërë palë e një plani mafioz për të hedhur në erë themelet kushtetuese të shtetit të së drejtës!”.
