
Deputetja demokratike Albana Vokshi tha se këtë të mërkurë mori pjesë në seancën gjyqësore për një padi të bërë ndaj ministres së Arsimit, Evis Kushi, për tezat e provimit të maturantëve të cilat u dolën para provimeve. Kushi i është përgjigjur nga foltorja e Parlamentit, duke thënë se ajo nuk ishte e pranishme në Gjykatë pasi ndodhej në një samit në Paris.
“Znj. Vokshi dje bëri një deklaratë para gjykatës, duke vazhduar të kryejë të njëjtën vepër penale, për të cilën e kam thirrur në atë gjykatë. Dje nuk munda t’i përgjigjem sepse isha e ftuar në Samitin e Arsimit në Paris, një event madhështor ku morën pjesë ministrat e 145 vendeve të botës. Kam 1 muaj që e pres në gjykatë. Herën e parë nuk më erdhe, edhe herën e dytë që isha aty prapë nuk më erdhe me pretendimin që nuk kishe marrë njoftim. Dje për shkak të angazhimit në samitin e Parisit u përfaqësova me avokat, ndërkohë që edhe në dy seancat e para nuk ishit e përfaqësuar nga dikush”,-tha Kushi.
Po ashtu Kushi tha se nuk doli të bëjë show politik e publik, por po pret vendimin. ”Kam bërë padinë, ju kam akuzuar për shpifje dhe po pres e qetë vendimin e gjykatës, sepse unë i besoj drejtësisë, ndërkohë që ju akuzat i hidhni në facebook. Çojini në gjykatë, dhe pastaj bëni shou me vendimin e gjykatës, por jo pa fakte”.
