
Kukësi do të ketë një tjetër transfertë të vështirë këtë mesjavë, pasi do të luajë në stadiumin “Loni Papuçiu” kundër Apolonisë. Trajneri i verlindorëve, Rrahman Hallaçi është optimist për një rezultat pozitiv.
“Kuptohet e kemi vuajtur pak ecurinë e ndeshjeve të fundit. Ndoshta nuk priteshin këto rezultate, por në futboll gjithçka ndodh. Jam shumë i kënaqur me drejtuesit, pasi më kanë dhënë një mundësi shumë të mirë. Gjithashtu më kanë mbështetur. Kuptohet që është e vështirë, por jo e pamundur.
Jam i kënaqur me mënyrën si skuadra po stërvitet dhe ka disiplinë. Në momente krize ndonjë nuk e mbajnë nervat, por lojtarët me eksperiencë po ndihmojnë. Mendojmë se e kemi mundësinë të kthejmë faqen. Në këtë ndeshje duhet të marrim maksimumin, nuk kemi çfarë presim më.
Apolonia? Edhe po të mos kishte këto rezultatet pozitive, ne do e vlerësonim maksimalisht. Kanë objektivat e tyre, por shohim veten tonë. Duam të kthehemi te fitorja, pasi jemi një skuadër e ndërtuar për të ecur përpara. Kemi biseduar me disa lojtarë cilësorë, por nuk vijnë dot për momentin. Mendoj që do marrim maksimumin në këtë ndeshje, por pa e nënvlerësuar Apoloninë.
Nuk shkojmë për të barazuar me Apoloninë. Me Vllazninë mund të ishte normal një barazim, pasi luanim me ekipin kryesues të kampionatit. Nuk e mendojmë fare barazimin. Ne nuk jemi dorëzuar për objektivat. Pikët aty janë, kuptohet që nuk duhet ta përmendim titullin për momentin. E rëndësishme është të dalim nga kriza dhe t’i shohim gjërat dalëngadalë në vazhdim”, deklaroi Rrahman Hallaçi.
