
Pas paraqitjes së jashtëzakonshme të Lionel Messi me dy gola ndaj Austrisë, përgjigjja nuk vonoi nga Kylian Mbappe. Sulmuesi francez realizoi një dopietë dhe udhëhoqi Francën drejt një fitoreje bindëse 3-0 ndaj Irakut në Kupën e Botës.
Ndeshja, e zhvilluar në Philadelphia, u ndërpre për më shumë se dy orë për shkak të një stuhie me rrufe, por kjo nuk e pengoi Francën të tregonte superioritetin e saj në fushë.
Mbappé zhbllokoi rezultatin në minutën e 14-të me një goditje të saktë nga distanca, pas asistimit të Michael Olise. Ylli francez realizoi edhe golin e dytë personal në minutën e 54-t, këtë herë pas një pasimi nga Ousmane Dembélé.
Vetë Dembélé vulosi suksesin e “Gjelave” në minutën e 66-të, duke shënuar golin e tretë dhe duke i dhënë fund çdo shprese të Irakut për një rikthim në lojë.
Me dy golat e shënuar ndaj Irakut, Mbappé ka arritur kuotën e 16 golave në historinë e Kupës së Botës, duke barazuar rekordin e Miroslav Klose në vendin e dytë të renditjes së golashënuesve më të mirë të këtij kompeticioni. Para tij qëndron vetëm Messi me 18 gola.
Gjithashtu, sulmuesi i Real Madrid arriti një tjetër shifër mbresëlënëse, duke regjistruar 60 gola në 100 paraqitje me fanellën e Francës.
