
Zvicra hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026, duke mposhtur me rezultatin e thellë 4-1 Bosnje-Hercegovinën në ndeshjen e dytë të Grupit B. Falë këtij triumfi, skuadra e drejtuar nga Murat Yakin ngjitet në krye të grupit me 4 pikë dhe afrohet ndjeshëm me kalimin në raundin e 1/16-ve.
Në sfidën e zhvilluar në Inglewood të Los Anxhelosit, gjithçka u vendos në pjesën e fundit të takimit. Trajneri zviceran hodhi në fushë në minutën e 71-të Johan Manzambi dhe Ruben Vargas, të cilët rezultuan vendimtarë.
Vetëm tre minuta pas hyrjes në lojë, Manzambi zhbllokoi rezultatin në minutën e 74-t, ndërsa Vargas dyfishoi avantazhin në të 84-ën. Sulmuesi zviceran nuk u ndal me kaq dhe realizoi edhe golin e dytë personal në minutën e 90-të.
Bosnja e pa veten në vështirësi edhe pas kartonit të kuq të Muharemoviç, mbrojtësit të Sassuolos, i cili u përjashtua nga loja në një moment kyç të ndeshjes.
Në minutat shtesë, Mahmiç shënoi golin e nderit për Bosnjën në të 93-ën, por pak çaste më vonë kapiteni Granit Xhaka vulosi fitoren 4-1 nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 97-të.
Me këtë sukses, Zvicra merr kreun e Grupit B dhe i afrohet ndjeshëm sigurimit të një vendi në fazën tjetër të Botërorit 2026, ndërsa Bosnja do të duhet të luftojë deri në fund për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.
