Etilda Gjonaj mesazh të fundit si ministre dhe për detyrën e re në PS

Nga Etilda Gjonaj, ish-ministre e Drejtësisë

Në ditën e përmbylljes së detyrës sime si Ministre Drejtësie, ndjej dëshirën dhe detyrimin të shpreh përmes këtij mesazhi mirënjohjen e thellë për të gjithë bashkëpunëtorët, mbështetësit apo edhe kritikët e vërtetë që qëndruan krah këtij rrugëtimi të bukur e sfidues në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

Ka qenë sa privilegj për mua por aq edhe përgjegjësi të shërbej në këtë funksion të lartë për një mandat të plotë 4 vjeçar, veçanërisht në një moment historik si ky kur jetësohej Reforma në Drejtësi, ajo që po oksigjenon të tashmen dhe të ardhmen e përbashkët.

Pikërisht për këtë, gjatë këtyre katër viteve kemi luftuar betejë pas beteje që ta kthenim këtë projekt të madh në një realitet sa më të prekshëm, ku një sërë rezultatesh sot janë dëshmi reale e përpjekjeve tona për të ngritur sistemin e ri të drejtësisë, një sistem të pavarur, të pakorruptuar, të paanshëm, llogaridhënës dhe efiçent.

Jemi përpjekur të bëjmë shumë, e veçanërisht për të hedhur themelet e drejtësisë së re përmes plotësimit tërësor të kuadrit ligjor të reformës në drejtësi, ngritjes së institucioneve të reja nëpërmjet mbështetjes me burime njerëzore, buxhetore dhe infrastrukturore. Jam besimplotë se ajo çka do shohim para do jetë mbresëlënëse për të gjithë brezat pasi themelet që kemi hedhur kanë qenë të forta për t’i bërë ballë çdo lëkundje që shpesh herë tentohen nga zjarrnxitësit e pashpresë që drejtësinë do donin ta shihnin të kthehej pas.

Ndjehem thellësisht e lumtur që falë punës këmbëngulëse kemi ngritur për herë të parë një sistem funksional të ndihmës juridike të garantuar nga shteti që ofron tashmë shërbime ligjore në kohë reale për të gjithë qytetarët në nevojë, nëpërmjet ngritjes së qendrave të ndihmës juridike në disa bashki, bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile, me klinikat e ligjit dhe dhomën kombëtare të Avokatisë.

Një reformë rrënjësore i është nënshtruar edhe sistemit penitenciar, ku rezultati i plotë që shohim sot na bën t’i harrojmë të gjitha vështirësitë që kemi hequr dje në përpjekjen për të instaluar ligjshmërinë në sistemin e burgjeve. Pavarësisht se ende ka shumë për të bërë si edhe për të finalizuar ato çka kemi nisur, ne kemi përmirësuar cilësisht trajtimin dhe rritur pagat e punonjësve të burgjeve; kemi zbatuar një plan ambicioz investimesh për rritjen e sigurisë në burgje, për përmirësimin e trajtimit të të burgosurve. Për herë të parë kemi ngritur edhe zbatuar sistemin 41 bis në burgje, për të ndërprerë lidhjet e subjekteve kriminale me botën jashtë.

Gjithashtu, ajo që konsiderohej e pamundur e bëmë të mundur duke zbatuar me sukses politika inovative rehabilituese dhe riintegruese në sistemin penitenciar, ku vlen të veçohet ngritja e Qendrës për Parandalimin e Krimeve të të Miturve, trajtimi të miturit në konflikt me ligjin, trajtimi rehabilitues dhe riintegrues i të miturve, si dhe zbatimin për herë të parë të programit të punësimit për të dënuarit.

Përgjatë këtij mandati, Ministria e Drejtësisë ka dëshmuar se është një partner tejet serioz në fushën e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, duke nënshkruar marrëveshje të reja ekstradimi si dhe duke zbatuar me rigorozitet të gjithë detyrimet ndërkombëtare në luftën ndaj krimit transnacional.

Një punë e jashtëzakonshme është kryer për zbatimin e objektivave të reformës në drejtësi në vendosjen e ligjshmërisë në ushtrimin e profesioneve të lira ligjore, noterët, përmbaruesit privatë, dhe ndërmjetësit jo vetëm nëpërmjet kuadrit të ri ligjor por edhe masave konkrete me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit dhe goditjes së abuzimit dhe korrupsionit.

Në këto katër vjet së bashku me ekspertë të ligjit, kemi ndërmarrë një sërë reformash ligjore institucionale duke i bërë ballë me sukses edhe vështirësive të rregullimit ligjor të situatave të fatkeqësive natyrore me të cilat u përball Shqipëria përgjatë këtyre viteve.

Përtej sfidave që kemi hasur në luftën kundër korrupsionit, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme jo vetëm në kultivimin e kulturës së integritetit por edhe në zbatimin e politikave të qëndrueshme në parandalimin, ndëshkimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit kundër korrupsionit.

Rezultatet tona në luftën kundër korrupsionit janë njohur ndërkombëtarisht, duke e bërë Shqipërinë të parin vend në rajon që ka zbatuar në mënyrën më të kënaqshme rekomandimet e GRECO-s.

Në këto 4 vjet disa projekte dhe objektiva i kemi arritur dhe disa të tjera janë ende në proces të cilat vazhdojnë të jenë pjesë e programit të ri qeverisës për t’u zbatuar në këtë mandate të ri.

Jam tejet entuziaste që do të nis një rrugëtim të ri, për të kontribuar dhe për të dhënë maksimumin në angazhimin tim si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, për t’i dhënë zë qytetarëve që na besuan votën, si pjesë e skuadrës politike të Partisë Socialiste. Tashmë dhe në cilësinë e Zëvendëskryetares së Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Integrimin Evropian, së bashku me kolegët e tjerë deputetë do të jem aktivisht e përkushtuar për t’i shërbyer profesionalisht misionit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Një rol i ri brenda Partisë së Socialiste, si Sekretare e gruas, gjithashtu, më mbush me përgjegjësi për të çuar para objektivin e fuqizimit politik të gruas ashtu si dhe për të bërë më shumë në mbrojtjen e të drejtave të grave e sidomos dhunës me bazë gjinore.

Tashmë që një kapitull mbyllet dhe një i ri hapet në angazhimin tim politik, në retrospektivë çdo arritje e vogël, çdo iniciativë e re dhe çdo sukses në rrënjosjen e drejtësisë së re do të ishin krejt të pamundura, pa mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama, i cili më dha privilegjin duke më besuar një prej detyrave më sfiduese në avancimin e agjendës sonë qeverisëse, në një nga periudhat më transformuese dhe domethënëse të sistemit të drejtësisë shqiptare. Ndaj, i jam tejet falënderuese që më dha mundësinë të kisha portofolin e drejtësisë dhe antikorrupsionit përgjatë një mandati të plotë qeverisës.

Ju jam mirënjohëse gjithashtu deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e vyer për të çuar përpara të gjithë reformat dhe iniciativat legjislative në funksion të rritjes profesionale të ligjbërjes në përputhje me standardet më të mira evropiane.

Në këto katër vjet kam pasur privilegjin të bashkëndaj me partnerët ndërkombëtarë arritjet dhe sfidat e reformave institucionale si dhe në mënyrë të veçantë të kryereformës, asaj në drejtësi. U jam mirënjohëse thellësisht për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre, e veçanërisht Ambasadorëve të SHBA-së, BE-së, dhe misioneve të tyre, për të gjithë mbështetjen e pakursyer që i kanë dhënë dhe i japin vizionit tonë për drejtësinë e vërtetë. Privilegj puna me ju!

Falënderime për të gjithë kolegët e institucioneve të reja dhe atyre të reformuara të sistemit të drejtësisë, për bashkëpunimin përgjatë këtyre viteve, me bindjen se kemi dëshmuar dita ditës se një sistem drejtësie, për të gjithë qytetarët shqiptarë që ka në themel pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin, është i mundur.

Mandati im si ministre ka qenë një kohë që s’mund ta numëroj me vite, por me bilancin e punës që jemi përpjekur të bëjmë së bashku me një skuadër të palodhur, vajzash e djemsh, grash dhe burrash, njerëzish të përkushtuar në Ministrinë e Drejtësisë, që bashkërisht besuam dhe punuam në emër të një misioni jetik që na i mbajti motivin ndezur çdo moment: DREJTËSI!

Jam e vetëdijshme edhe për mangësitë, por ju siguroj ndershmërisht që ajo që bëmë ishte gjithçka që mundëm, edhe pse zakonisht dëshirat në raport me mundësitë janë përherë më të mëdha.

Për të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë, përulësisht dhe nga thellësia e zemrës, shumë MIRËNJOHJE, që në këto vite keni qenë pranë meje me inkurajim, mbështetje, dashamirësi, apo edhe kritikë.

Mirënjohje për të gjithë qytetarët të cilët kanë besuar tek unë dhe më kanë inkurajuar në mënyrë të vazhdueshme në vijimin e luftës kundër padrejtësisë dhe paligjshmërisë.

Në fund por jo nga rëndësia, dua të përmend burimin kryesor të forcës sime që është familja ime.

U jam mirënjohëse që kanë ditur me guxim të përballojnë sfida jo të pakta për shkak të detyrës sime, ashtu si dhe më kanë mbështetur në çdo moment për ta çuar përpara këtë mision.

Duke i kaluar trashëgiminë institucionale dhe stafetën në këtë ditë kolegut Ulsi Manja, i uroj suksese dhe jam besimplotë se do të vijojë të konsolidojë më tej rezultatet e reformës në drejtësi si dhe do të përmbushë punën e nisur për ashpërsimin e luftës kundër korrupsionit.

Puna jonë vijon më tej drejt sfidave të reja po me të njëjtin pasion e përkushtim për Shqipërinë, të ardhmen tonë të përbashkët ndaj të cilës kemi detyrën historike për ta vendosur në piedestalin e nderit aty ku i takon!

SHKARKO APP