Bilanc i Kampionatit Evropian – Një përrallë e vogël vere?

Sot finalja e Kampionatit Europian: Në 2006-n pati ekzaltim pas Kampionatit Botëror, madje u fol për “përrallën e verës”. Ky Kampionat Evropian është të paktën një impuls pozitiv në një vend që nuk shihet më si pa halle.

Na ishte njëherë e një kohë një vend që  në qershor dhe korrik të vitit 2006 bëri më të mirën e vet për katër javë…. që moton “Bota si mysafire tek miqtë” e kuptoi vërtet kështu, u shfaq kozmopolit, miqësor dhe plot energji…dhe shumë fansa që nga jashtë pyetën veten me mosbesim: “A janë këta ende gjermanët?”. Për një muaj, dielli shkëlqeu, sikur e shtypje me buton, Gjermania pothuajse u mbyt në një det me flamuj të zi, të kuq dhe të artë, dhe kudo shihje një atmosferë të mirë dhe eufori pakufishme, që të bënte për vete.
Tifozë gjermanë festojnë
Tifozë gjermanë festojnëFotografi: Gerhard Schultheifl/Jan Huebner/IMAGO

Pak a shumë kështu hyri në historinë gjermane përralla, e njohur si përralla e verës e Kupës së Botës e 2006-s. Ajo u romantizua shumë, sepse më vonë doli se kampionati ishte blerë nga Federata Gjermane e Futbollit. Megjithatë, 18 vjet më vonë, pyetja më e popullarizuar paraprakisht ishte: “A mund të krijohet një përrallë e dytë verore. Dagrun Hintze, autorja e teatrit dhe librit “Zotërim i topit” i dha DW këtë përgjigje: “Është tipike gjermane të përqendrohesh gjithmonë në të kaluarën, popullsia gjermane nuk është veçanërisht e prirur për ndryshimin. Por gjëja e fundit që na duhej tani do të ishte një tjetër ekstazë dhe vetë-adhurim, që ishte e mrekullueshme në vitin 2006 Por ne tani jemi në një moment tjetër, e është mirë kështu duhet një vështrim realist. Në vitin 2024 ka të bëjë më shumë me mënyrën se si ne i bashkojmë njerëzit.”

Kontrolle kufitare me Belgjikën
Kontrolle kufitare me BelgjikënFotografi: Christoph Hardt/Panama Pictures/IMAGO

Impuls për një atmosferë më pozitive në një vend të polarizuar

Në vitin 2006 nuk kishte ende as pandemi të koronës, as krizë refugjatësh, as luftë agresore ruse ndaj Ukrainës dhe as zhvendosje në të djathtë me një parti pjesërisht ekstremiste të djathtë AfD, e cila u bë forca më e fortë në zgjedhjet evropiane në të gjithë landet lindore të Gjermanisë. Kurse tani Kampionati Evropian u zhvillua në një vend, kohezioni social i të cilit po lëkundet, popullsia e të cilit po polarizohet gjithë më shumë dhe ku dallimet mes disa grupimeve janë të papajtueshme.

Kjo është arsyeja pse futbolli në fakt erdhi pikërisht në kohën e duhur, shprehet profesori Jürgen Mittag nga Universiteti Sportiv i Këlnit. Ai flet për DW për të paktën një “përrallë të vogël verore”. “Atmosfera në Gjermani është sigurisht më pozitive, se sa ishte para Kampionatit Evropian. Kampionati Evropian deri më tani ka qenë një festë e madhe për shumë qytetarë, por edhe për mysafirët nga jashtë, që kanë festuar së bashku. Frikërat lidhur me çështjet e sigurisë mbetën frikëra, ndoshta edhe popullata gjermane është afruar pak më shumë.”

Stadiumi në Hamburg
Fotografi: Daniel Marr/Sportfoto Zink/picture alliance

Edhe trajneri i ri i kombëtares gjermane, Julian Nagelsmann dha kontributin e tij. Në një fjalim të zjarrtë dhe emocionues, 36-vjeçari apeloi si në stilin e një kancelari apo presidenti federal për një bashkëjetesë më të mirë në vend, duke e quajtur kombëtaren gjermane model për shoqërinë. “Nëse e ndihmoj fqinjin tim të presë gardhin, ai do ta përfundojë atë më shpejt sesa nëse e bën i vetëm,” përdori Nagelsmann një krahasim të përditshëm dhe mori shumë duartrokitje nga politikanët.

“Futbolli, ashtu si sporti në përgjithësi, mund të arrijë shumë me fuqinë e tij mobilizuese. Por futbolli në thelb nuk është instrumenti për të korrigjuar zhvillimet e padëshiruara, për të shpëtuar nga dështimet politike ose për të çuar një vend në një drejtim tjetër, të paktën jo në planin afatgjatë dhe të përhershëm”, thekson studiuesi Mittag.

Trenat plot dhe vonesat i zhgënjyen tifozët e huaj
Trenat plot dhe vonesat i zhgënjyen tifozët e huajFotografi: Schöning/IMAGO

Bota nuk e percepton më Gjermaninë si një vend të përsosur

Shumica dërrmuese e gjermanëve, edhe ky një lajm i mirë nga kampionati europian, pas shumë kohësh u lidhën me entuziazëm sërish me kombëtaren e tyre. Pavarësisht, ose ndoshta për shkak të eliminimit fatkeq në çerekfinale kundër Spanjës. Teza e Dagrun Hintze është se në thelbin e tij, futbolli nuk do të thotë patjetër fitore. “Thelbi është historia e tij, ne humbim së bashku, ne fitojmë së bashku. Dhe tani kemi humbur së bashku, dhe jo vetëm skuadra, por edhe tifozët. Ndoshta është gjithashtu një mësim i mirë për të mësuar se ne jemi përsëri me njëri-tjetrin, ne ishim në gjendje të donim këtë ekip, këta lojtarë dhe stafin stërvitor.”

Nëse lihen mënjan fishkëllimat e pakëndshme të tifozëve gjermanë kundër mbrojtësit spanjoll Marc Cucurella në gjysmëfinalen kundër Francës në Mynih, Gjermania la një përshtypje të mirë në Kampionatin Evropian: stadiume të mbushura, një atmosferë fantastike jo vetëm në Public Viewing. Misioni më i madh i sigurisë në historinë e Policisë Federale me 22.000 shërbime emergjente çdo ditë shkoi pa probleme. Tifozët e huaj panë një vend që e jeton futbollin me çdo qelizë të tij – në ndryshim nga Botërori shumë steril në Katar. Sikur të mos ishin trenat jo të përpiktë, tabelat vetëm në gjermanisht dhe ritmi i ngadaltë i dixhitalizimit, do kishte qenë më mirë.

Pamje simbolike e Kampionatit
Fotografi: Michael Memmler/Eibner-Pressefoto/picture alliance

“Tani jo vetëm ne, por e gjithë Evropa e di se ku jemi ne për sa i përket infrastrukturës. Nga problemet e Deutsche Bahn te kapacitetet e hoteleve e deri te organizimi. Tifozët këtu kanë pasur përvojën që, po e kuptuam, Gjermania nuk qenka vendi ku funksionon. Kjo nuk mund të mohohet më”, përfundon Dagrun Hintze. “Unë mendoj se edhe ne gjermanët jemi bërë pak më njerëzorë në perceptimin tonë të jashtëm. Sipas motos, ata nuk bëjnë aq shumë sa kemi menduar gjithmonë, dhe mbase kjo është disi simpatike.”

Oliver Pieper/ DW

SHKARKO APP