Fatmir Mediu në OSBE: Krimi i organizuar dhe korrupsioni, faktorë kyç për destabilitet në Shqipëri dhe Ballkan

Në një nga seancat e debateve për sigurinë e Europës që po zhvillohen në Sesionin Vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Bukuresht, kryetari i PR, Fatmir Mediu ngriti si shqetësim rrezikun që i vjen Ballkanit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Mediu theksoj se stabiliteti në Shqipëri dhe Ballkan ka edhe dy armiq të tjerë të mëdhenj, krimin e organizuar dhe korrupsionin, që e kanë bazën tek goditja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. “Ne, në vendet tona, duhet të sigurojmë demokracinë, bazuar në zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe është pikërisht aty ku nis krimi i organizuar, me blerjen e votave me intimidimin e votuesve, pa zgjedhje të lira e të ndershme.”- u shpreh zoti Mediu gjatë fjalës së tij në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

Ai i kërkoi Organizatës të ketë më shumë vëmendje oër rajonin e Ballkanit, veçanërisht oër standardet e zgjedhjeve. “Duke qenë se OSBE qendron për zgjedhje të lira e të ndershme, do të kërkoja më shumë vëmendje për rajonin, për standardet e zgjedhjeve, respektimin e të drejtave dhe liritë e qytetarëve tanë, sepse kjo është, gjithashtu, shumë, shumë shqetësuese dhe një kërcënim shumë i madh për stabilitetin tonë në rajon.”- tha zoti Mediu në fjalën e tij në Sesionin Vjetor të OSBE-së që po mbahet në Bukuresht.

Duke ndarë të njëjtin shqetësim me përfaqësuesit e tjerë për luftën hibride në Moldavi dhe Gjeorgji, zoti Mediu kërkoi vëmendjen e OSBE-së për Ballkanin, të cilin e quan si një pikë tjetër potenciale për konflikt përmes qeverive proxy, të deleguara apo në lidhje me Rusinë dhe Kinën. Zoti Mediu përmëndi rrezikun e ndarjes së Bosnjës, ndarjet fetare dhë politike në Mal të Zi apo konfliktin në Veriun e Kosovës, si disa shembuj konkretë të ndërhyrjes së jashtme si përpjekje për destabilitet.

FJALA E FATMIR MEDIUT NË SESIONIN VJETOR TË ASAMBLESË PARLAMENTARE TË OSBE-SË

Siguria e Europës varet nga mbështetja për Ukrainën, por jam shumë dakord me senatorin Wickers se po flasim për akte kërcënimi dhe jo vetëm nga Rusia. Duhet të mendojmë pak më shumë se çfarë po bën Kina dhe Irani në Europë për të kërcënuar sigurinë tonë, privatësinë e qytetarëve tanë dhe sigurinë e vendeve tona.

Dua t’ju sjell disa fakte të bashkëpunimit të inteligjencës iraniane me grupet e krimit të organizuar për të ushqyer destabilitet në rajonin e Ballkanit dhe në Europën Juglindore. Po ashtu edhe sulmin kibernetik të Iranit ndaj vendit tim për muaj e muaj me radhë.

Kryetar, ju përmendët luftën hibride kundër Moldavisë dhe Gjeorgjisë, por ju lutem, le të fokusohemi gjithashtu në Ballkan, i cili mund të jetë një pikë tjetër potenciale konflikti përmes qeverive proxy. Nëse shihni nga afër se çfarë po ndodh në Ballkan, paratë që po shpenzohen për mbrojtjen, nuk përputhen me ekonominë e disa vendeve. Ato mbështeten nga Kina dhe Rusia dhe paraqesin një rrezik real për stabilitetin. Situata në Bosnjë Hercegovinë, ndarja e Republika Serpska mund të krijojnë një efekt domino destabiiteti.

Gjithashtu, konflikti i armatosur i organizuar në Veriun e Kosovës, ushqimi i konflikteve fetare dhe politike në Malin e Zi dhe siç e përmenda, sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë. Pra, është një rajon që kërkon më shumë vëmendje, por siç fola për kërcënimet e jashtme më lejoni të diskutoj për një tjetër kërcënim real për vendet tona.

Një kërcënim tjetër real për vendet tona është krimi i organizuar dhe korupsioni. Krimi i organizuar dhe korrupsioni, si dhe një lidership autoritarist, ndonjëherë, i cili ndjek rrugën e Putinit. Ne, në vendet tona, duhet të sigurojmë demokracinë, bazuar në zgjedhje të lira e të ndershme.

Dhe është pikërisht aty ku nis krimi i organizuar, me blerjen e votave me intimidimin e votuesve, pa zgjedhje të lira e të ndershme. Duke qenë se OSBE qendron për zgjedhje të lira e të ndershme, do të kërkoja më shumë vëmendje për rajonin, për standardet e zgjedhjeve, respektimin e të drejtave dhe liritë e qytetarëve tanë, sepse kjo është, gjithashtu, shumë shumë shqetësuese dhe një kërcënim shumë i madh për stabilitetin tonë në rajon. Faleminderit shumë!

SHKARKO APP