10 Ditët e Tomës
Si mund ta kthesh një miqësi, një aleancë, një bashkëpunim disavjeçar, në një armiqësi publike, që përfshin të gjithë jetën politike?! Për këtë mesa duket duhen pyetur tre persona: Tom Doshi, Edi Rama dhe Ilir Meta. Tre politikanë të njohur, dy prej të cilëve krerët e shumicës që qeveris Shqipërinë, kurse i treti i konsideruar si parlamentari më i fortë i Veriut. Mes Doshit dhe dy shefave partiakë të së majtës, tashmë është futur një lumë akuzash e sharjesh, por ka hyrë gjithashtu edhe opozita dhe drejtësia. Një humnerë që hapet në çdo orë që kalon e që pasurohet me detaje të një historie, e cila edhe sot nuk dihet nëse është një trill, apo një plan konkret për vrasjen e deputetit të qarkut të Shkodrës
Të enjten, në kulmin e sherrit politik që shpërtheu afera “Doshi” në politikën shqiptare, mediat pranë opozitës nuk e patën të vështirë të gërmojnë në arkivat e fotove, për të gjetur një tryezë feste, ku qenë ulur pranë njëri-tjetrit Edi Rama, Ilir Meta, Tom Doshi dhe të afërmit e tyre. Ndërsa në sallën e Kuvendit, ish-aleatët Berisha e Meta luftoheshin me ç’tu vinte për dore, ajo foto ishte dëshmia e heshtur e një miqësie që ishte shndërruar në harkun e pak orëve, në armiqësi të hapur.
Dhjetë ditë që përgatitën stuhinë
Ka qenë seanca e shkuar e Kuvendit, e cila nxorri në sipërfaqe sherrin mes Tom Doshit dhe partisë së tij. Deputeti shkodran u paraqit në seancë duke i drejtuar kryeministrit Rama gjeste fyese, që u regjistruan nga mediat dhe u bënë lajm kombëtar brenda pak minutave. Dukej se mes tyre kishte një mëri që nuk i njihej arsyeja, por që i shiheshin më së miri përmasat. Ishte fillimi i fundit të një marrëdhënieje, që nuk do të riparohej as nga ndërhyrja energjike e Koço Kokëdhimës. “Toma është gjaknxehtë, por nuk do të ketë probleme”, u deklaroi atë ditë Kokëdhima gazetarëve, pas një dreke të gjatë me Tom Doshin. Madje kjo përshtypje u bë edhe më e fortë edhe të nesërmen, të premten, kur Doshi publikoi një tekst të shkurtër në rrjetet sociale, ku i drejtohej kryeministrit me tone disis më të buta. “Rama ka kohë deri në 21 qershor, për të plotësuar premtimet që i ka bërë Shkodrës”.
Dukej sikur armëpushimi kishte tashmë dhe një afat. Por nuk qe tamam kështu. Sepse mesa duket kryeministri nuk kishte ndërmend ta linte të kalonte këtë episod, si një sherr të rëndomtë e kalimtar. Ishte caktuar madje edhe mbledhja e grupit parlamentar, për të hënën, ku do të diskutohej fati politik i Tom Doshit në PS. Fjalimi i Ramës në grupin parlamentar, në ditën e parë të kësaj jave, do të mbahet mend gjatë. Ishte një qëndrim i qartë dhe i prerë, përkundër pozicioneve jo rrallë të dyzuara që Rama ka mbajtur në situata të ngjashme. I prirur t’i kalojë në heshtje sherret e vogla me kolegët e tij, kryeministri i tha deputetëve socialistë se Doshi kishte kaluar vijën e moskthimit. Për pasojë, Rama njoftoi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.
Akuza të vjetra dhe shumë zhurmë
Zhurmë, zhurmë, sa shumë zhurmë… këto janë vargjet e një kënge të vjetër të Edi Ramës. Në krye të një jave, kur telenovela “Doshi” nisi dhe mori statusin e kryelajmit në shoqërinë shqiptare, shumëkush ka përshtypjen se po dëgjon një copë historie që e ka dëgjuar tashmë dhjetra, në mos qindra herë, në këto vite. E tillë ishte dhe seanca parlamentare e të enjtes, e cila kishte sjellë në parlament një gjysëm dyzine ambasadorë dhe kishte gozhduar para ekranit të gjithë vendin.
Ajo që u dëgjua aty nuk ndryshonte shumë nga ato që thuhen çdo të enjte në sallën e Kuvendit. Veçse kësaj rradhe opozita kishte pushtuar podiumin dhe tonet e saj ishin më të larta. Dukej qartë se opozita u përpoq ta shfrytëzojë maksimalisht historinë e vrasjes së pretenduar të Tom Doshit, duke kërkuar me ngulm largimin e Metës nga posti i kryetarit të parlamentit. Berisha nuk ngurroi t’i hedhë në erë marrëdhëniet formalisht korrekte me Metën, të cilat i mbijetuan edhe zgjedhjeve të fundit dhe kalimit të LSI në kampin e majtë. Akuzat që ish-kryeministri përdori ndaj ish-zëvendësit të tij, duket se shënojnë ndarjen e qartë të dy liderëve politikë, ashtu siç përbëjnë të parën përballje të hapur të PD me LSI, që nga 23 qershori.
Ka shumë vend për të analizuar atë që mund sjellë kjo frakturë e re në skakierën politike, veçse një gjë u duk e qartë që në hapat e para të kësaj krize: i vetmi person që të enjten, kur politika kacafytej në parlament, vinte lule në varrin e Adem Jasharit, ishte…kreu i opozitës. Ai që Meta e quajti disa herë “kreu formal” i PD.
Doshi foli, por misteri mbeti
Intervista e shumëpritur e Tom Doshit në studion e Ballës, ishte momenti kur deputeti shkodran pritej të jepte sqarime të hollësishme mbi historinë e errët të komplotit kundër tij. Megjithëse intervista nxorri në pah jo pak të panjohura (lidhjet e Durim Bamit me Mark Frrokun, detaje për grupin që pretendohet të ketë përgatitur vrasjen, takimet me Ilir Metën, Ramën etj), u duk se Doshi nuk arriti të japë dot një përgjigje shterruese dhe bindëse rreth arsyes së vërtetë që vuri në lëvizje krerët e të majtës, për ta vrarë. E gjitha duket si një histori e cila ka brenda frustrimin e Doshit për ftohjen me Ramën e Metën, por edhe mllefin e akumuluar për shkak të pamundësisë për të siguruar favore nga qeverisja e majtë. Pa harruar edhe elementin e prishjes, mesa duket, të një miqësie të ngushtë që ai kishte me të dy shefat e koalicionit, e që mund të ketë krijuar me kalimin e kohës një armiqësi të heshtur tek vetë Doshi.
Misteri i vrasjes së Tom Doshit nuk u bë më i hollë pas daljes së ti publike, ndërkohë që më në fund, drejtësia duket se është angazhuar seriozisht për zbardhjen e ngjarjes. Për herë të parë krerët politikë të vendit u thirrën për të dëshmuar në prokurori (një rekord absolut për politikën shqiptare), kurse vetë Doshit do t’i duhet të presë për të marrë vesh rezultatet e hetimit.
Tom Doshi, fillimet e harruara të një karriere
Ishin zgjedhjet e vitit 2005, kur KOP ishte struktura organizative pararojë e opozitës së kohës. Ishte gjithashtu koha kur Berisha përgatiste rikthimin e madh në pushtet. Në ato javë që i paraprinë zgjedhjeve, nuk ra shumë në sy një fakt rutinë. Opozita arriti të evidentojë një listë personash që po bëheshin gati të kandidonin për qeverinë Nano dhe që sipas saj, ishin të inkriminuar. PD protestoi pranë ambasadave të huaja në Tiranë, duke u ankuar që këto zgjedhje do jenë të pabarabarta dhe të inkriminuara, pasi PS ka vendosur kandidatura të papastra. Tom Doshi dhe disa të tjerë, ishin në atë listë.
Por e vërteta është disi ndryshe. Thuhet se Doshi ishte përpjekur të afrohej me PD para zgjedhjeve të viti 2005, por demokratët nuk e afruan atë. Berisha nuk u tregua entuziast për kandidaturën e tij. Kjo bëri që Doshi të nisë të shohë në krahun tjetër politik. Ai gjeti kanalet e komunikimit dhe ju afrua drejtpërdrejt kryetarit të kohës të PS Fatos Nano. Gjithçka përkoi në kohë dhe në hapësirë në favor të këtij afrimi. Sepse Nano kishte vënë bast publik që do ta fitonte Shkodrën.
Në këto kushteemri i Doshit i pëlqeu dhe cedoi. Detraj tjetër i rëndësishëm ishte se Tom Doshi e kishte marrë certifikatën pranë organeve të drejtësisë, për pastërtinë penale. Megjithatë ankesat e PD ndaj ndërkombëtarëve duket se nuk e lanë indiferent Nanon. Burimet pranë ish-kryetarit të PS thonë se ai thirri me urgjencë, teksa ndodhej në Jug të Shqipërisë, njërin nga ndihmësit e afërt të tij. Kryeministri socialist urdhëroi që të verifikohej figura e Tom Doshit, duke i kërkuar organeve të rendit, nëse kanë informacion për të personalisht. Por ngjarjet në një fushatë ecin shpejt, ato nuk presin që të kryhen verifikimet e rastit. Doshi kandidoi dhe fitoi në zonën e tij elektorale. Askush nuk u kujtua më për të rrëmuar në profilin e tij.
Megjithatë karriera e deputetit energjik nga Shkodra sapo kishte nisur dhe gjatë rrugës, ai nisi fërkimet dhe përplasjet e para edhe me vetë personin që e kishte kandiduar. Kjo përkoi me rënien e Nanos në zgjedhje dhe largimin e tij gradual nga politika aktive. Konfliktet e tyre në atë moment u bënë publike. Ashtu siç nisi të jetë gjithnjë e më i dukshëm afrimi i Doshit me njeriun që po ngjitej në krye të partisë: Edi Ramën. Pjesa tjetër e historisë tetëvjeçare në opozitë, e më pas, pas 23 qershorit, është e njohur për të gjithë.
Revista JAVA