10 dritëhijet e taksës 5 euro për rrugën!

 

Ministri i Transporteve shpalli datën kur do të aplikohet taksa 5 euro për rrugën Durrës – Kukës. Ai tha se janë mbyllur procedurat, çmimi është vendosur dhe çështja është drejt finalizimit. Ministri thotë se të gjitha vendet e tjera aplikojnë taksa rruge, ne duhet ti ndjekim. (Në fakt në shumë vende, si në Gjermani, nuk ka taksë rruge specifike dhe me siguri ministri edhe këtë e di). Kjo është praktika e parë e vendosjes së një takse rrugore zyrtare në Shqipëri. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, kjo praktikë meriton më shumë vëmendje, transparencë dhe pjesëmarrje publike. Ajo çfarë është parë deri tani nga institucioni përgjegjës (ministria) është e kundërta, – mungesa e vëmendjes, transparencës dhe e pjesëmarrjes publike. Gjithsesi, le të shohim dritëhijet kryesore të nismës, që vendos një taksë të re në listën e 125 taksave me të cilat përballen qytetarët në nivel qendror e lokal.

Së pari, rruga Durrës – Kukës është financuar nga shteti, me kredi, të cilat indirekt janë paguar nga qytetarët. Ajo nuk është produkt koncensionar, por produkt i vetë qytetareve përmes taksave të tyre. Fillimisht qytetarët paguan taksën “Majko” për të njëjtën rrugë, dhe më pas kreditë e shtrenjta që u morën për realizimin praktik të saj. Me taksën e re qytetarët do të paguajnë për të së treti, një rrugë që vijojnë ta paguajnë prej vitit 1998. Për me tepër, kur u ndërtua nuk u tha se do ketë sistem takse të re, në programin e qeverisë së majtë nuk u përmend sistemi i taksës së re, dhe sot, është gati e pamundur të na bindin se përse ajo është rruga e vetme në vend që do ketë sistem takse të re për qytetarët.

Së dyti, rruga nuk ka destinacion turistik dhe as biznesi të përqendruar, por është segment jetësor komunikimi midis Shqipërisë e Kosovës, dhe midis kryeqytetit dhe periferisë së varfër. Kukësi është qarku me të ardhurat më të ulta në vend, qarku me papunësinë më të lartë, me varfërinë më të madhe, dhe siç rezultoi edhe në valën e emigrimit, edhe me numrin më të madh të emigrimit ekonomik drejt perëndimit. Penalizimi i kësaj zone me një takse të re për të ardhur në kryeqytet është jo sociale, jo etike dhe jo kushtetuese. Kushtetuta e përcakton lëvizjen e lirë parim themelor për qytetarët, çdo kufizim i saj bëhet vetëm përmes konsultimit qytetar, gjë që në rastin konkret nuk ka ndodhur.

Së treti, ministria që merret me turizmin shpalli arritje të rëndësishme faktin se më shumë se 1 milion shqiptarë të Kosovës erdhën për pushime në Shqipëri. Pa kaluar java ministri tjetër vendos taksë 5 euro për lëvizjen e tyre të ardhshme drejt Durrësit apo rivierës shqiptare. Vetë kryeministri në Vjenë dhe Tiranë ka folur për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, si dhe për nevojën e korridoreve ekonomike dhe komunikimin rajonal. E kishte fjalën për raportet shqiptaro-serbe dhe ndaj në Vjenë fitoi projekti serb për lidhjen e rrugës së Kombit me autostradën Rugova në pjesën e Serbisë. Vendosja e taksës është penalizuese për këtë frymë, projekt, ide, vizion dhe premtim, – është diskriminuese për qytetarët e Kosovës që duan të vijnë në Shqipëri dhe ka ndikim direkt në rënien e shkëmbimeve njerëzore dhe ekonomike.

Së katërti, kur një qeveri vendos taksë rruge ajo është e detyruar të ofrojë alternativa të tjera komunikimi. Çfarë rruge do të ndjekin qytetarët që bazojnë në anë të autostradës apo ata në Kukës, Has, etj, nëse nuk arrijnë të paguajnë 10 euro taksë për të ardhur në Laç, Krujë, Tiranë apo Durrës? Rruga e vjetër është jofunksionale, sidomos në periudhën e dimrit, ndaj ata nuk vihen përballë zgjedhjes, por detyrimit, parim që cenon të drejtat e tyre kushtetuese dhe ligjore.

Së pesti, ende nuk është shuar jehona e fushatës elektorale kur pushteti premtoi se bashkitë e reja do kenë shumë më tepër kompetenca në territorin e tyre. Ja një shembull i kundërt: kush u konsultua me bashkitë Mirditë, Kukës, Tropojë, Has, Mat etj, që preken direkt nga taksa e re e rrugës? A duhet të pyetën banorët e atyre zonave nëse janë të gatshëm apo kanë mundësi të paguajnë taksa të tilla? Meqë ministri lexon anglisht le të gjejë një rast tjetër të një qeverie demokratike ku ministria vendos aplikime taksash (edhe në infrastrukturë) pa marrë në konsideratë opinionin qytetar dhe pushtetin përfaqësues të tyre vendor.

Së gjashti, ministri është i qartë në teorinë e tij: fiton kompania që jep çmimin më të ulët të kontributit të shtetit, pra që ndihmon shtetin, por jo qytetarët. Logjika duhej të ishte tjetër: – të fitojë kompania që krijon ofertë të pranueshme për qytetarët dhe kapacitetet e shtetit! Taksa do rritë edhe çmimin e urbanëve, të transportit të mallrave dhe për pasojë, edhe çmimin e vetë mallrave. Mjafton të shihen të dhënat e INSTAT, të varfrit me shumicë në qarkun Kukës do të varfërohen më shumë me rrugën dhe do tu pamundësohet lëvizja drejt akseve kryesore kombëtare.

Së shtati, Shqipëria ka një sistem taksash të ngarkuar dhe shpesh të paqartë në drejtim vertikal e horizontal. Për shembull, ata që posedojnë mjete transporti, paguajnë taksë rruge përmes taksës vjetore, paguajnë taksë mjedisi, taksë karburanti dhe plot taksa të tjera, të ardhurat e të cilave në 80% të rasteve nuk dimë sesi i shpenzojnë zyrtarët e modelit të këtij ministri. Sepse nuk bëjnë kurrë transparencë, sepse më shumë mendohet e investohet për reklamën e pushteteve sesa kundër varfërisë. Atëherë edhe një taksë e re e imponuar vetëm sa komplikon, nuk krijon drejtësi ose shans për një sistem funksional taksash.

Së teti, praktikat konsensionare në Shqipëri nuk kanë qenë aq produktive sa janë prezantuar. Nga porti i Durrësit në Dogana, nga Rinasi në Bulqizë, etj, shumica e tyre kanë rezultuar problematike, penalizuese për qytetarët, eksperimentale për prurjet ekonomike dhe jo efektive në shërbime dhe ngritjen e standardeve të ekonomisë apo jetesës. Askush prej zyrtarëve që nënshtroi ndonjë prej praktikave të tilla negative nuk mbajti përgjegjësi pas dështimit të tyre. A është rasti i taksës për në Kukës një tjetër eksperiment? Po. A do të mbajë ndokush përgjegjësi nëse dështon? Askush.

Së nënti, Shqipëria ka një monedhë, quhet “lekë” dhe është e aplikueshme në gjithë sistemin e pagesave dhe veprimeve. Ministri ka vendosur që në vend të lekut shqiptar taksa të jetë në euro, kur asnjë nga qytetarët e qarkut Kukës apo Lezhë nuk paguhen me euro nga shteti i tyre. Një detaj simbolik që flet shumë për logjikën e sistemit të imponuar të taksave që vijnë nga zyrat luksoze. Siç duket më shumë shqetësim për ta është oferta dhe dakordësia me firmën e huaj koncensionare sesa dakordësia me sistemin financiar shqiptar dhe me qytetarët e këtij vendi.

Së fundi, ky rast i fundit na krijon mundësinë e një debati më të gjerë, më produktiv dhe më jetëgjatë mbi atë se çfarë do të bëhet me zonat (bashkitë, krahinat, qytetet, fshatrat, pasuritë nën-trokësore) të Shqipërisë në dekadën dhe dekadat e ardhshme? A do ndjekim modelin e shtetit social, modelin e profilizimit të çdo qarku në drejtim të veçanta zhvillimi, modelin e shtetit që krijon perspektivë zhvillimi në varësi nga prurjet e zonave të caktuara në buxhet dhe në asetet kombëtare apo do vijojmë të mbajmë në këmbë një sistem piramidal ku ca zyrtarë në Tiranë, bashkë me klientelën e tyre, vendosin fatin e bashkive, qarqeve, ish komunave, fshatrave, burimeve tokësore e nëntokësore, siç po ndodh edhe me nismën jo transparente dhe antisociale të taksës së rrugës? Kjo është dilema që duhet zgjidhur dhe zgjidhja e madhe që duhet bërë, dhe që për të cilat, fatkeqësisht ende nuk flet askush.

SHKARKO APP