10 gjëra që nuk dinit nga “ Titaniku”
Tragjedia që i mori jetën më shumë se 1 500 personave ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen njerëzore, e cila e ka nxjerrë transoqeanikun nga varri i tij në fundin e Atlantikut, për ta përjetësuar në filma, libra apo dokumentarë të shumtë.
Megjithatë, disa aspekte e detaje të anijes dhe 15 prillit të 100 viteve më parë i kanë shpëtuar pothuajse gjithmonë vëmendjes. Këto janë dhjetë gjëra që njihen shumë pak rreth Titanikut.
– Në mbrëmjen e 14 prillit, kur anija goditi një akullnajë, udhëtarëve të klasit të parë iu shërbye një darkë që përfshinte stridhe (një lloj kërmilli deti), salmon i zjerë, fileto viçi, qengj me salcë dhe nenexhik, çokollatë e shkrirë dhe buding. Secila pjatë shoqërohet me një lloj të ndryshme vere, pijesh alkoolike dhe puro apo cigare të shtrenjta.
– Titaniku kishte të përditshmen e tij në bord, “The Atlantic Daily Bulletin”, i cili përfshinte lajmet më të fundit nga bursa, rezultatet e garave të kuajve apo thashethemet e shoqërisë së lartë. Të gjitha informacionet transferoheshin për t’u shtypur më pas në anije nëpërmjet telegrafit.
– Anija më e madhe ndërtuar ndonjëherë në kohën e mbytjes ishte e pajisur me shumë lukse, përfshi banjo turke, librari, një dhomë skuoshi apo pishinë me ujë të ngrohtë. Titaniku kishte edhe një sallë kirurgjie, i pajisur me mjete për operacione të ndërlikuara.
– Ndërsa në bordin e anijes ndodheshin disa prej personave më të pasur e të njohur në botë, në të kishte edhe dy mungesa të rëndësishme. Financieri J.P. Morgan dhe çokollatbërësi i famshëm, Milton S. Hershey, gjithashtu kishin prerë bileta, por anuluan në momentin e fundit.
– Më pak se një muaj nga mbytja, aktorja Dorothy Gibson, një e mbijetuar e Titanikut, ishte protagoniste në filmin pa zë “E shpëtuar nga Titaniku”, në të cilin përshkronte historinë e saj personale. Ky ishte filmi i parë, nga dhjetëra që do të pasonin rreth anijes.
– Shumë gjëra nga Titaniku vazhdojnë të mbijetojnë. Muzeu i Titanikut në Boston, më i madhi i dedikuar tragjedisë, ka një koleksion të rrallë, që përfshin varkat e shpëtimit, komardaret, flamurin britanik të vendosur mbi anije, menu nga darka, një qilim të shtruar në klasin e parë, letra dhe kartolina të marra me vete në bord dhe një këmbanë të vendosur në urën e anijes.
– Sipas britanikes “Mirror”, violina që i përkiste kryemuzikantit të bërë të famshëm se udhëhoqi grupin e tij në kuvertë me ritme gazmore deri në minutat e fundit përpara mbytjes, është gjetur rishtas. Testimet e nevojshme po realizohen për të verifikuar këtë pretendim dhe nëse do të rezultojë i vërtetë, violina e marrë nga fundi i detit mund të ketë një vlerë prej dhjetëra miliona dollarësh.
– Ish-shtëpia e një prej të mbijetuarve më të njohur të Titanikut, në Denver, është shndërruar në një muze. Bëhet fjalë për shtëpinë e Margaret Braun, e bërë e famshme pas tragjedisë si “e pambytshmja Moli Braun”. Në filmin e interpretuar nga Di Caprio dhe Winslet, ajo është gruaja e vetme që lufton me një marinar dhe në fund ia del mbanë të kthejë një varkë, për të marrë të mbijetuarit në det, duke shpëtuar edhe heroinën e filmit, Rose. Pak e dinë, por kjo është një histori e vërtetë.
– E mbijetuara e fundit e Titanikut ndërroi jetë në vitin 2009. Millvana Dean ishte vetëm nëntë vjeç në momentin e tragjedisë. Ajo ndërroi jetë në moshën 106-vjeçare në një azil, disa muaj pasi Di Caprio dhe Winslet ranë dakord të paguanin shpenzimet për trajtimin e saj.
– Shumë burime pretendojnë se banda e muzikantëve të famshëm luajti si këngë të fundit në çastet e fundit të anijes mbi ujë këngën “Afrohu o Zot tek unë”. Megjithatë, Harold Bride, i vetmi i mbijetuar nga banda muzikore, në një intervistë për “New York Times” në vitin 1912, zbuloi se kënga e fundit kishte gjenë marshi “i Vjeshtës”.