130 vrasësit e Santos
Nga Frrok Çupi
Akoma nuk janë numëruar sa vrasës ishin ata që i morën jetën Artan Santos, bankier par excellence, krijues dhe menaxher bankash, shkrimtar e artist. Ngjarja ndodhi më 26 qershor 2014; por atë ditë nuk e tronditi botën tonë kaq shumë sa po e trondit përditë e më shumë.
Krimi i ngjitur lart, deri në kupolën e shtetit, merr e jep pa pushim me vrasjen e Santos. Që aty ngjitet lart (deri në Kuvend e Qeveri) dhe aty krimi i madh kthehet për të kuptuar pasiguritë dhe siguritë e veta. Ditën kur u vra Artan Santo (pak më shumë se një vit më parë), u panë dy vrasës; pastaj u tha se veç një vrasës shtiu mbi bankierin; dhe pak nga pak nuk u fol më për asnjë vrasës.
Por si vrasës erdhën duke u akuzuar deputetë të Kuvendit, deri tani në listën e të prezumuarve janë gjashtë. Të tjerë që ndodhen në sallë presin emrin. Të tjerë që kanë radhën për të zëvendësuar deputetët e çmandatuar janë po kaq të inkriminuar sa vrasësit e shpallur. Kuvendi nuk është i zoti të zbatojë listën e kandidatëve të shpallur para ligjit dy vjet më parë (një vit para se të vritej Santo), sepse Kuvendi duhet të kapërcejë mbi kriminelë…
Sa bëhen këta? Bëhen 130?
Nuk ka rëndësi shifra, as e saktë dhe as e rrumbullakosur. Shifra 130 vrasës është marrë nga një vrasje tjetër po kaq e bujshme, që tronditi botën. Aq e bujshme sa renditet menjëherë pas vrasjes së presidentit amerikan Kenedi. Deri më sot janë numëruar 130 vrasës të vetëdeklaruar për vrasjen e Olof Palme. Olof Palme, kryeministër i Suedisë, u vra aty nga fillimi i vitit 1986, në një moment aq të shkujdesur sa u vra bankieri i Tiranës: Në mes të Stokholmit, pa bodyguardë, tek po kthehej në shtëpi pas një filmi në kinema… As atë ditë, as pas një viti, as pas pesë vjetësh, nuk u gjet vrasësi; edhe njëri i dyshuar, u la i lirë pas pak. Por duke kaluar vitet, u renditën shumë vrasës. Deri tani janë regjistruar vullnetarisht 130 vrasës të Olof Palme. Secili ka trokitur në polici a në dyer të mediave dhe ka thënë: "Unë e vrava zotin Olof". Deklaratat e "famës" për vrasje i bënë tek e kuptuan se dikush diku në një "piramidë" nuk do të çante më kokë për vrasjen e kryeministrit.
Mirëpo aty ndodhet veç një vrasës; një i vetëm; dhe ky mungon, prandaj u radhitën 130.
… Ja kështu ka ndodhur edhe me vrasjen e Tiranës; ose me vrasjet, ose me krimin këtu… Ka nisur nga një vrasës i vetëm, (ose nga mungesa e gjetjes së një vrasësi) dhe është ngjitur deri në kupolën e shtetit. Tani janë 130, 140, 230 ose 2300… Numri i kriminelëve mund të bëhet shumë i madh atëherë kur do të çmohet si nder dhe kënaqësi po të të quajnë vrasës.
Në fakt në këtë sens e kemi bërë një copë të mirë rruge. Këto janë ditët kur krimi ka shpërthyer lart në kupolën e shtetit. Avionë të ngarkuar me drogë që ngrihen nga territori i Shqipërisë sulen drejt Perëndimit njësoj si në aeroportin legjitim. Qeveria kontrollon territorin, por në kuptimin që e ka shtënë në dorë vetë tregtinë e drogës. Deputeti i Kuvendit qëllon me armë dhe plagos qytetarë; më parë kishte zaptuar "me leje" pronat ku punonin nevojtarët. Një deputet tjetër, prej disa muajsh përsërit akuzën se kryetari i Kuvendit ka paguar për vrasjen e tij; kupola e përjashton. Disa kryetarë të qeverive vendore, që sapo u votuan, janë të skeduar si të përzjerë në vrasje, trafik droge ose tregti njerëzish. Punonjësit e Policisë kanë "kapur" Ministrin e Brendshëm tek e zhvillon trafikun e drogës me njerëzit e tij. Kryeministri nxjerr në treg letra sikur ky është "i ndershmi Doks Boru" mes gjithë ministrave arrogantë, dmth., të dhunshëm e kriminalë me të qeverisurit…
Të gjithë kanë kthyer kokën atje lart ku luhet krimi. Opozitarë, a shkrimtarë, a gazetarë, a priftërinj, a hoxhallarë…, të gjithë kanë kthyer kokën andej. Shteti vetë, në vend që të jetë syulur për të qëmtuar krimin atje poshtë, në fakt ndodh e kundërta: Shtetasit po ndjekin krimin duke shikuar lart. Ambasadorët e fuqive të mëdha dhe të shteteve aleate të Perëndimit kanë zbarkuar në zyrat e qeverisë për të gjetur ku është rubineti. Krimi i ngjizur këtu mund të kthehet në një rrezik që përmbyt qytetërimin Perëndimor.
… Pak nga pak po bëhen 130 vrasës. Jo 130 ekzakt ( ky numër përafrohet edhe me numrin e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë), por po vjen momenti kur po të mos jesh vrasës, atëherë je kërkushi. Domethënë po vjen momenti kur po bëhet si një lojë personaliteti që të thuash se "jam vrasës". Për vrasjen e një kryeministri tani po vetëdeklarohen 100, 130, e më tepër; si në një lojë imazhi. Po vjen momenti që edhe për vrasjen e Santos, nga ku nisi rrugën gjithë ky krim shtetëror, të deklarohen si autorë dhjetë ose njëqind ose njëqindetridhjetë vetë.
Gjikthçka nisi nga një dorë, ose nga një çast.
A nuk ishin fillimisht "djemtë e Laçit" që vringëllinin gomat e makinave në rrugët e kryeqytetit?; pastaj dolën në rrugë e frikësuan kalimtarët?… pastaj bash këta u ngjitën në Parlament?! A nuk ishte kryeministri Rama, i përfolur si i përzierë në vrasjet e bandës së Rrugës së Kavajës?… e pastaj si përdorues kokaine në zyrën e Partisë Socialiste? E pastaj kryeministër?.. A nuk ishin anëtarët e kupolës së shtetit që kërkuan të fortët për të mbrojtur votat; pastaj për të vjedhur votat, pastaj për të blerë votat?! A nuk ishte LSI, një batalion i strukturuar si bandë pushteti, që u ndau lekë nga lekët e popullit? A nuk u ngjitën këta në kupolën e shtetit?…
Ja tek janë, atje lart. Tani as nuk bëhen më pak si numër, as nuk kthehen dot më këtu poshtë. Edhe Pablo Escobar, mbreti i mafies së drogës, në një moment desh të kthehej. Por, sipas të birit Sebastian, tek priste vdekjen, iu tha të afërmve: "Jo, nuk mund të kthehem…"
A nuk janë bërë 130 këtu? Më pak a më shumë…
Të tjerët që ndodhen poshtë, po vjen koha që duhet të deklarojnë se "jemi vrasës", ndryshe mund të mos kenë bukë për fëmijët.