14 shtatori 1998, mënyra shqiptare e ardhjes në pushtet!

 

Nga Ben Andoni

Kur kanë kaluar 17 vjet nga puçi anti­demokratik i 14 shtatorit, bilanci është tragjikisht qesharak. Të gjithë protagonistët e asaj dite nuk u ka hyrë as gjembi në këmbë, veç gërvishtjeve të pakta, me të cilën shtruan karrierën e tyre të mëpasshme. Sali Berisha, frymëzuesi dhe protagonisti i asaj dite dhune, u ngjit edhe njëherë tjetër për tetë vjet në pushtet, tashmë si kryeministër. Izet Haxhia, që drejtonte grupin e të Fortëve, është i lirë të tregojë histori në kufijtë e legjendës: Ekrem Spahia arriti të bëhet një nga funksionarët kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes; kurse një shpurë e tërë gazetarësh militantë të PD­së u rikthyen si protagonistë në Radiotelevizionin Kombëtar. Por cili e kujton mirë 14 shtatorin do të ketë referenca jo të mira edhe për njerëzit e PS­së, që sot janë në pushtet, po aq sa mjeranët e PD­së, që atë ditë ishin frymëzues të këtij veprimi ekstrem antidemokratik. Nga ana tjetër, ajo na mësoi se në variantin shqiptar protesta demokratike nuk i hyn askujt në punë, rruga e vërtetë e të bërit faktor është dhuna me çdo mjet. PS­ja e mësoi këtë variant dhe e zbatoi pak pas vitit 2008, kur pa se vetëm forca dhe presioni mund ta shkundte qeverinë sunduese në pushtet. Por cilatdo që janë motivet, protestat që disa herë janë kthyer gati në kryengritje, na kanë treguar nivelin e pakët demokratik, që gëzon turma lehtësisht e manipulueshme për shkak të presionit ekonomik dhe shoqëror. 14 shtatori solli në memorien shqiptare dhe një gjë që nuk do harrohet kurrë, veç motivit de jure vrasjes së deputetit Azem Hajdari, edhe atë de facto që konsiderohej si shpagim për humbjen e vullnetarëve të armatosur të Veriut me kryengritësit e armatosur të Jugut.

Një mësim i mirë vjen për socialistët që atë ditë u zbythën nga këta protagonistë të errët që bëhen sot si militantë, por edhe i luftrave të tyre të brendshme për pushtet. Nuk do harrohet kurrë mungesa e kryeministrit të vendit dhe shefit të tij të Shërbimit Sekret atë ditë, nuk llogarisim ministrat (mes tyre dhe kryeministrin e sotëm). Vite më vonë, kur s’duhej më, shefi i shërbimeve sekrete shqiptare do tregonte se vrasja e Azemit ishte përgatitur, dihej dhe se kishin lajmëruar, ashtu si u bë e njohur dhe pjesëmarrja e grupimeve të FARK­ut kosovar, që i shërbyen Berishës mu në valën e përgatitjeve të rezistencës në Kosovë. Fatos Nano me gjithë rekordin e keq të asaj dite arriti që të konsolidohej, duke mënjanuar pak nga pak ata që i kishin bërë hije dhe të arrinte të dorëzonte më 2005 pushtetin, edhe prej kësaj dite, sërish te njeriu që i ka sjellë Shqipërisë më të këqija se kushdo tjetër në 25 vitet e fundit. Shpagimi i tij ishte edhe për njerëzit që e rrethonin atë ditë paçka se nga ana tjetër i padurueshëm ishte vetë meskiniteti dhe arroganca e tij fodulle.

Megjithatë mënyra e vërtetë për të ardhur në pushtet u kalit atë ditë. 14 shtatori i mësoi demokratët dhe socialistët e thjeshtë se vetëm duke treguar dhëmbët mund të bëhesh faktor në vend. Rasti i Shqipërisë e ka treguar se me protesta paqësore nuk e motivon dot radhën e militantëve të vish në pushtet, ashtu si nuk e bën dot qeverinë të reflektojë. Rasti i djeshëm dhe rasti i sotëm janë identikë. Jo më kot, znj. Topalli, po e kërkon me ngulm këtë, megjithëse bateritë e PD­së kanë nevojë për një karikim bazik, e kjo është një nga arsyet se pse kryetari i Opozitës Basha sot është gjithnjë e më i pabesueshëm, me thirrjet e tij të zbehta për protesta. Në fund, mësimi kryesor mbetet sërish te socialistët në fuqi, që nuk kanë ndërmarrë hapat e duhur për t’i vënë një herë e mirë para përgjegjësisë njerëzit, që na sollën atë katrahurë të madhe, që njihet me togfjalëshin e thjeshtë: ngjarjet e 14 shtatorit 1998 dhe të fshijnë atë që thuhet shpesh se kjo është mënyra shqiptare e ardhjes në pushtet. (Javanews.al)

 

SHKARKO APP