15 vite ekonomi në “Monitor”
Ishte një kohë kur Shqipëria sapo e kishte marrë veten nga goditja e viteve ’97-’98 dhe vendi, pasi kishte përjetuar një valë të re emigrimi të shtyrë nga pasiguria e mungesa e rendit, po tentonte rimëkëmbjen ekonomike, ndërsa Kosova fillonte fazën e fundit të daljes së saj nga 90 vjet dominimi serb.
Rritja ekonomike ishte relativisht e fortë, ndonëse nisur nga një bazë tepër e ulët dhe pothuajse tërësisht e çorientuar. Bujqësia, që dikur jepte mbi 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nuk ishte më motori i rritjes ekonomike, dhe stafeta i kishte kaluar shërbimeve që ishin rritur rrëmujshëm ndërkaq, për të mbushur boshllëkun e trashëguar. Teksa tregjet po hapeshin dhe interesi për Shqipërinë nga investitorët e huaj po shtohej, vendi i kishte të gjitha hapësirat për të synuar të bëhej lider rajonal, duke shfrytëzuar pozicionin strategjik gjeografik dhe faktin se nuk ka probleme të brendshme në aspektin etnik, që është një avantazh për rajonin, përmes një zhvillimi të qëndrueshëm, duke shfrytëzuar me eficiencë burimet natyrore dhe duke u përqendruar në sektorët që kemi përparësi konkurruese.
Si e vetmja revistë e përjavshme ekonomike në treg, “Monitor” u përpoq të sjellë te lexuesi atë që për mendimin tonë i kishte munguar shtypit shqiptar, analizën e specializuar ekonomike, opinionet e specialistëve, trajtimin e paanshëm dhe profesional të problemeve.
Në këto 15 vjet kemi qenë dëshmitarë të ecurisë ekonomike të vendit, reformave të ndërmarra (e atyre të pandërmarra), sukseseve e dështimeve të tyre, ndryshimeve të shumta fiskale, ciklit të rritjes ekonomike e më pas ngadalësimit të tij e kështu me radhë.
15 vjet më pas mund të kthejmë kokën pas e përmes mbi 720 kopertinave të revistës, të krijojmë vit pas viti skenat e aktit të serialit të ekonomisë shqiptare që i ka të gjitha elementet e dramës, komedisë, apo tragjedisë të shkrira në të.
Kopertina e parë e “Monitor” i dedikohej çështjes së energjisë, një gangrenë që vazhdon prej shumë vitesh dhe akoma edhe sot përbën lajm dhe është në prioritetet e Qeverisjeve.
Ndryshimet e shpeshta fiskale, paqëndrueshmëria e legjislacionit, arbitrariteti i institucioneve shtetërore, nga njëra anë, dhe niveli i lartë i informalitetit janë trajtuar prej vitesh në “Monitor” dhe vazhdojnë të jenë më se aktuale edhe sot.
Përmes renditjeve të 100 kompanive më të mëdha, sipas xhirove dhe fitimeve, një ekskluzive e përvitshme e “Monitor”, kemi sjellë ecurinë e sipërmarrjeve, rritjen dhe rënien e disa prej tyre, duke dëshmuar mbi trendet dhe faktorët që ndikojnë në suksesin apo dështimin e kompanive në vite, por dhe duke nxjerrë në pah dobësitë strukturore të ekonomisë sonë.
Nga maji 2012, “Monitor” solli një tjetër risi, përmes një portali të dedikuar për zhvillimet ekonomike të ditës, të sjella në kohë reale, intervistat me ekspertë, analizat e shifrave dhe ngjarjeve më të fundit, duke u kthyer me shpejtësi në një referencë të besueshme në tregun mediatik shqiptar.
Analizat e sektorëve të ndryshëm, nga celularët, sektori bankar, sigurimet, agropërpunimi, bujqësia, industria, ndërtimi, shërbimet, organizimi i tregtisë me pakicë, evolucioni i qendrave tregtare, lindja e universiteteve private, tregu i reklamave e të medias, vlerësimet e audiencës televizive, sollën një model të ri shkrimesh në median shqiptare, që vazhdojnë të jenë unike edhe sot në trajtimin që u bëhet nga “Monitor”. Përmes tyre dëshmuam rritjen, lulëzimin dhe rënien e ndërtimit, testin e acidit për universitetet, u paralajmërua rritja e kredive me probleme, kriza e likuiditeteve, varësia nga kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe shitja e burimeve natyrore e kështu me radhë.
Pra, në këto 15 vjet, u bëmë dëshmitarë të rritjes së ekonomisë dhe mirëqenies së shqiptarëve në një ekonomi tregu. Në analizën tonë, vendi ka ecur përpara ekonomikisht dhe është definitivisht dhe pakrahasimisht më mirë se pika e nisjes. Kjo gjë do të duhet të pranohet publikisht nga gjithë ata që janë angazhuar në politikëbërje pa ekuivokë e me zë të lartë.
Shqiptarët shfaqin qartazi aftësi të jenë fitues në një ekonomi tregu dhe arrijnë të përshtaten dhe të mbijetojnë ndaj uljes e ngritjes karakteristike të ekonomisë së tregut. Do të jetë objektiv i politikëbërjes që të sigurojë një treg të tillë funksional dhe gjithashtu të administrojë sa më mirë ngritjen e nivelit të sipërmarrjes për t’u përshtatur me tregje më të mëdha, rajonale apo kontinentale.
Por, duhet të themi edhe se në këto 15 vjet jemi bërë dëshmitarë sesi qeverisjeve iu ka munguar vizioni për të krijuar një klimë të qëndrueshme biznesi, për të krijuar mjedisin e përshtatshëm që garanton një konkurrencë të lirë e të drejtë, të pavarur nga rotacionet e pushtetit, të paaftë për të tërhequr investitorë strategjikë, por të “aftë” për të sjellë modele koncesionare që nuk bëjnë gjë tjetër veçse e ngushtojnë tregun, duke sjellë edhe më pak përfitime për shtetin dhe qytetarët. Kemi parë një dritëshkurtësi në formulimin e politikave që drejtojnë zhvillimin ekonomik dhe një dominim të takticizmit elektoral ndaj vizionit ekonomik afatgjatë për vendin, që ka sjellë një dështim tepër evident në krijimin e një baze ekonomike të shëndoshë, si dhe një situatë fiskale, që do të mund të mbështeste krijimin dhe funksionimin e një shteti modern në modelin e demokracive të stabilizuara europiane dhe një ekonomi tregu funksionale, të aftë të prodhojë punësim dhe mirëqenie për një popullatë që ka pritshmëri në rritje.
Mbi të gjitha ka munguar një konsensus i të gjitha palëve me përgjegjësi qeverisëse në vend, për një strategji gjithëpërfshirëse për modelin e ri ekonomik dhe nevojën e riorientimit të sektorëve që udhëheqin rritjen.
Jo më kot, Shqipëria ka mbetur edhe sot me të ardhurat për frymë (sipas fuqisë blerëse) ndër më të ulëtat në Europë, ka ngecur në procesin e konvergjencës dhe është pothuajse gjithnjë e fundit në rajon në renditjet e ndryshme, si në ato të të bërit biznes, konkurrueshmërisë, risive, teknologjisë së informacionit e deri në treguesit e cilësisë së jetesës, ndërsa po e humb me turp garën rajonale për të tërhequr investime të huaja. Për të ardhur keq që ndodh kjo në një vend që ka pozitën gjeografike kyçe si portë hyrëse në Ballkan, është e dyta në Europë për burimet ujore për sipërfaqe, ka fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, ka një bregdet për t’u pasur zili e burime natyrore të pafundme.
Në përpjekje për të dhënë një mesazh pozitiv afatgjatë, ky numër special i dedikon një hapësirë të gjerë analizave sektoriale, propozimeve dhe opinioneve të ekspertëve ndërkombëtarë e vendas lidhur me piketat se ku duhen hedhur themelet e modelit të ri, që shpresojmë të ngulen sa më shpejt e të mos presim të zhgënjyer edhe 15 vjet të tjera….(Marre nga Monitor)
Shenim i redaksisë se KOHA JONE: Urimi revistes prestigjioze “Monitor”!