2014-2015, ikën viti i statusit, vjen viti i zgjedhjeve
Gjatë këtyre 365 ditëve u rrëzua miti i paprekshmërisë së Lazaratit, nisi dhe u përmbyll reforma territoriale, kur u ndryshuan disa prej drejtuesve të institucioneve të pavarura, kur u konsumua incidenti i famshëm i dronit në Beograd, i cili u pasua nga vizita po aq e bujshme e Edi Ramës atje. Gjatë 2014 sistemi bankar u trondit me dy ngjarje të paprecedent: vrasjen e Artan Santos, bosit të Credins Bank dhe arrestimin e ish-Guvernatorit Ardian Fullani.
Ka qenë një vit plot ngjarje, siç dimë ta jetojmë ne shqiptarët përditshmërinë. Por ky ka qenë edhe viti i parë i cili i faturohet tërësisht si bilanc Edi Ramës dhe ekzekutivit të tij. Një rrugëtim me dritë-hije, gjatë të cilit qeveria u përpoq të jetë aktive në shumë fronte njëherësh, duke lënë gjithashtu edhe plot punë në proces e sipër.
Më poshtë po rendisim një kronologji të ngjarjeve kryesore të vitit që po lemë pas.
11 JANAR
Dy qeveritë shqiptare e kosovare takohen në Prizren.
23 JANAR
Parlamenti miraton ngritjen e komisionit të Reformës Territoriale
25 JANAR
Kapet i akuzuari si vrasës me pagesë Jualian Sinanaj
5 SHKURT
INUK shemb godinën tek rruga e Elbasanit. Është fillimi i valës së shembjeve në të gjithë vendin.
6 SHKURT
Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për statusin e Nëpunësit Civil.
20 SHKURT
Protesta e parë e opozitës për vitin 2014. Pjesëmarrje e vakët.
1 MARS
Fondi Monetar aprovon kredinë për 330 mln euro për pagesën e borxheve ndaj biznesit
20 MARS
Shqipëria i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë
1 PRILL
Rama viziton Berlinin. Intensifikohen marrëdhëniet me kancelaren Merkel.
17 PRILL
Debatet për drogën. Rama: Janë avionë për mushkonja.
24 PRILL
Publikohet një shkresë e SHISH drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, për një avion të ulur në Gjadër në 19 mars të 2014, si dhe informacione për avionë të tjerë edhe në Gjirokastër e Lushnje
28 PRILL
Nis punën komisioni për Reformën Territoriale, pa opozitën
10 MAJ
Një avion i vogël bie në plazhin e Divjakës. Piloti është shtetas italian, quhet Giorgio Riformato
Kapen 460 kg hashash dhe arrestohet Riformato dhe një shtetas shqiptar.
15 MAJ
PD proteston kundër trafiqeve të drogës. BERISHA: Ediskobar, baron i Drogës
16 MAJ
Deklarata e bujshme e kryeprokurorit Llalla. “Kemi në dorë hetime që mund të ndryshojnë të ardhmen europiane të vendit”. Nga ajo ditë, asgjë nuk provon që kjo frazë të ketë qenë e vërtetë.
2 QERSHOR
Patriarku serb Irenej nëTiranë: Kosova, tokë e shenjtë e Serbisë. Rama na ka fyer
11 QERSHOR
Vijon lobimi diplomatik për statusin. Rama viziton Parisin, takon presidentin Holland.
16 QERSHOR
Fillon operac ioni në Lazarat. Angazhohen 500 forca të policisë, publikohet një listë me 26 persona që kanë përdorur armët. Ministri Tahiri: Hidhni armët, në të kundër policia do të bëjë punën e saj pa asnjë dallim. S’ka zot në tokë që t’ju dalë zot
19 QERSHOR
Dorëzohet Lazarati. Kapen sasi të mëdha droge, laboratorë dhe armë.
24 QERSHOR
Bashkimi Europian i akordon Shqipërisë statusin e vendit kandidat.
26 QERSHOR
Vritet kreu i Credins Bank Artan Santo, para hyrjes së bankës së tij. Banka e Shqipërisë: nuk preket qëndrueshmëria e Credins Bank. Arrestohen dy të dyshuar.
10 KORRIK
Incident i rëndë në Kuvend, goditet deputeti Strazimiri. Opozita vendos të bojkotojë parlamentin. Rama: dënoj dhunën që buron nga çdo krah politik
21 KORRIK
Banka e Shqipërisë, nis skandali që do sjellë më vonë arrestimin e Fullanit. Bëhet publik lajmi se BSH ka bërë kallzim për dy punonjës në departamentin e Emisionit.
31 KORRIK
Arrestohen pesë të parët për vjedhjen e Bankës.
4 GUSHT
Furtunë mbi universitetet private. Heqje dhe pezullim licence per 31 subjekte
22 GUSHT
Nis aksioni anti-drogë në Dukagjin e Malësi të Madhe. Qëllohet helikopteri I Ministrisë së Brendshme.
1 SHTATOR
Lulzim Basha konfirmon vijimin e bojkotit.
5 SHTATOR
Arrestohet guvernatori Adrian Fullani dhe kryeinspektorja Elivar Golemi
21 SHTATOR
Papa Françesku viziton Shqipërinë: Shqiponja nuk e harron folenë. Mijëra njerëz mbushin rrugët e Tiranës.
14 TETOR
Ndeshja e futbollit Serbi Shqipëri degjeneron në dhunë. Fluturimi i dronit me simbole shqiptare ndez edhe më tej situatën
24 TETOR
Uefa, dënim Shqipërisë për ndeshjen me Serbinë. Gjobë 100 mijë euro të dyja kombëtareve.
27 TETOR
Fillon aksioni kundër vjedhjes së energjisë
4 NENTOR
Katër të vrarë në një klub nate në Tiranë. Autor, djali i Luiza Xhuvanit, e cila jep dorëheqjen si deputete.
10 NENTOR
Rama viziton Beogradin: Kosova, realitet që nuk mund të anashkalohet. Tension i lartë me Vuçiç.
17 NENTOR
Çlirimi i Tiranës, polemika për fotot e Enver Hoxhës. Doktor Flori vdes nga mbidoza.
22 NENTOR
Opozita zhvillon një protestë të madhe. Rama inauguron bunkerin antiatomik të kohës së komunizmit. Rama: do hapim Dosjet.
7 DHJETOR
Presidenti dekreton Gent Sejkon për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
16 DHJETOR
Rama sërish në Beograd, samit me kryeministrin Kinez Keqiang
23 DHJETOR
Arrihet marrëveshja për dhënien fund bojkotit të opozitës.
24 DHJETOR
Opozita kthehet në Kuvend. Basha: vendim historik.
2015- Horoskopi i vitit që po vjen
Një përpjekje për të paralexuar kronikën e vitit 2015, cilat do të jenë piketat kryesorepolitike të këtij viti për politikën shqiptare? Në thelb, politika shqiptare ka një përmasë të pandryshueshme: eshtë thjesht e paparashikueshme. Nga zgjedhjet lokale të qershorit tek reforma në drejtësi, nga ruspat dhe tritoli tek beteja për ujin e deri tek hapja e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, çfarë do të ndodhë në 2015-ën, si do të ndryshojnë numrat në Kuvend dhe pse do të rëzohet marrëveshja që i dha fund bojkotit të PD-së
Nga Lorenc Vangjeli
Sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë. Nëse aksioma e hershme franceze është e vërtetë, siç është provuar shpesh edhe në Shqipëri, viti i ardhshëm politik i Tiranës do të jetë i ndryshëm. Domethenë, do të jetë njëlloj siç ka qenë për vite e vite me rradhë, i shenjuar nga e njëjta ndeshje mes palëve, nga e njëjta përmasë sherri dhe nga e njëjta kundërshti armiqësore. Një sindromë “izraelito-palestineze” mes të majtës dhe të djathtës, nëse mund të quhet kështu, përshkron gjithë jetën politike të vendit ku palët ngjajnë të larguara nga njëra – tjetra si besime të ndryshme fetare, të armatosura në luftën e pafundme për territorin e pushtetit dhe e shohin pushtetin si burimin e vetëm të ujit për veten dhe rubinet të mbyllur për kundërshtarin.
Viti që po vjen, do të jetë vit i ndeshjeve të vazhdueshme, nga të cilat dy janë më kryesoret: zgjedhjet lokale dhe reforma në drejtësi. Po kështu, nuk do të mungojnë as sherret që improvizohen lehtë dhe shpejt në një ambient tërësisht acid si ai që krijon paprerë politika shqiptare. Për të kuptuar se çfarë horoskopi pret të prezantojë e ardhmja në Tiranë, mjafton të shihet dhe të krahasohet me atë çfarë ka sjellë zakonisht e shkuara: një horoskop të shenjës së shpatës mes palëve!
Zgjedhjet lokale
Eshtë padyshim rebusi më i komplikuar i vitit 2015. Sipas zakonit dhe traditës së ngulitur shqiptare, duke nisur me disa muaj përpara datës së tyre zyrtare, lind edhe dilema: do të hyjë apo jo opozita në ato zgjedhje. Duke nisur që nga viti i largët 1996, më saktësisht në tetorin e atij viti, kur opozita socialiste u mëdysh gjatë në mundësinë e bojkotimit të atyre zgjedhjeve. Nuk e bëri, edhe pse për humbjen e saj vinte bast çdo kush. Arsyeja kryesore, zgjedhjet nuk bojkotohen! Deri më tani, asnjë arsye e prodhuar nuk ka qenë e mjaftë për të bërë një bojkot të plotë të kutive të votimit. Të gjitha zgjedhjet që kanë shoqëruar ato të tetorit të largët 1996, fillimisht janë paralajmëruar se mund të bojkotohen nga opozitat e rradhës. 18 vjet më pas, të paktën sipas deklaratave të momentit, opozita e sotme kërcënon me bojkot. Argumenti i saj vjen për shkak të ndarjes së re territoriale të vendit. Një komision i posaçëm parlamentar, i paralajmëruar për t’u ngritur që në janar dhe që ju votua produkti në korrik, ka zvogëluar numrin e njësive të qeverisjes vendore dhe ka rritur territorin dhe popullsinë e qeverisur nga secila prej tyre. Sipas opozitës kjo krijon mundësinë e fitores të marrë në tavolinë nga kundërshtari, Sipas shumicës, kjo ishte një reformë e domosdoshme, e vonuar në kohë dhe një mjet i parë në vënien fund të rrumpallhanes në qeverisje lokale. E vërteta qëndron gjetkë: duke projektuar shifrat e të gjitha ndeshjeve të fundit elektorale në Shqipëri, vota e bashkuar e të majtës, i le hapësira tërësisht modeste PD-së për të fituar në qendrat e mëdha urbane të vendit.
Edhe shansi i fundit që mendohej se do të shkonte në favor të opozitës u dogj në fillim të dhjetorit: Gjykata Kushtetuese nuk gjeti asnjë shkelje në ligjin për ndarjen e re territoriale – administrative të vendit dhe presidenti i Republikës dekretoi datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja lokale.
Me të gjitha gjasat, loja hap e mbyll e opozitës me maxhorancën, për bojkotin e mundshëm të zgjedhjeve do të vazhdojë gjatë. Deri në momentin e përplasjes në kutitë e votimit. Por mundësitë teorike dhe praktike të bojkotit të tyre janë pothuajse zero. E para sepse si rregull me bojkot kërcënohet, por nuk veprohet dhe së dyti, ndoshta edhe më e rëndësishmja si arsye, zgjedhjet lokale prodhojnë disa mijëra vende pune për militantët dhe një mundësi të kontrollit dhe të ushtrimit të pushtetit kapilar në bazë. Nëse në Tiranë e qendrat e tjera të mëdha urbane pushteti lokal është pothuaj i pandjeshëm për përditshmërinë e qytetarit, në qytetet e vogla apo në zonat rurale, ai është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm. Sidomos për zgjedhjet e përgjithshme. Rezultati i tyre në qershor? Herët për t’u thënë, por ka një mundësi për një parashikim të shpejtë: me gjasa raporti mes të majtës sërish të bashkuar dhe të djathtës do të jetë gati-gati në të njëjtin nivel me ato të qershorit 2013. Ndoshta ujrat dhe votat brenda për brenda të majtës do të trazohen më fort.
Reforma në drejtësi
Në janar të këtij viti, në daljen e tyre të parë publike për 2014-ën, dy drejtuesit e shumicës së majtë Rama e Meta paralajmëruan dy reforma kryesore: atë të ndarjes së re territoriale dhe reformën në drejtësi. E para u mbyll në korrik. E dyta nisi në dhjetor me krijimin e komisionit të posaçëm për refomën në drejtësi. Eshtë e pamundur të gjendet një shifër e saktë për të treguar sesa herë është folur për nevojën e një reformimi të thellë të sistemit të drejtësisë. Eshtë nga të paktat raste kur të gjitha palët bien dakort për një gjë të tillë në parim, por ndahen si zakonisht në detaje. Gjashtë vjet më parë, në dimrin e vitit 2008, palët gjithashtu ishin më pranë se kurrë nisjes së një reforme serioze në sistemin e drejtësisë. Fillimisht Partia Socialiste në opozitë, pastaj Partia Demokratike në pushtet dhe LSI-ja po në opozitë, shkëmbyen tre drafte me ide dhe planveprim të ngjashëm për nisjen e reformës në drejtësi. U duk se kjo histori po merrte një kthesë të mbarë, kur gjithçka u hodh në erë me shpërthimin tragjik në Gërdec. Reforma në drejtësi u harrua dhe ajo u zëvendësua nga një lojë hilacake për ndryshimet kushtetuese. Në prill të atij viti Kushtetuta pësoi një sërë amendimesh, kurse reforma në drejtësi u dërgua në kalendat greke. Më pas, kriza e zgjedhjeve të 2009-ës, bojkoti i opozitës dhe tendosja e armiqësisë mes palëve deri në ekstrem, e bëri një temë të tillë të konsiderohej luks nëse diskutohej. Vetëm tani, kur qeverisja hyn në vitin e dytë të pushtetit të saj dhe mbi të gjitha, kur ka pothuaj të garantuar një shumicë të cilësuar në Kuvend, ajo hedh sërish dorezën e sfidës ndaj njërit prej problemeve më të mprehtë të vendit: sistemit të drejtësisë. Edhe kësaj here ftesa për opozitën është e plotë për të qenë aktore kryesore në reformë. Por me të gjitha gjasat, deri në fund të veprimtarisë së komisionit, opozita nuk do të pranojë të jetë pjesë e saj. Mund të jetë herë pas here, në një moment të parë e pranishme në komision, por ndoshta do të jetë jashtë vendimmarrjes finale të komisionit fillimisht dhe të kuvendit në fund. Duke kërkuar si rregull vetëm dështimin e kundërshtarit, opozitat në Shqipëri e kanë pothuaj të pamundur të bëhen pjesë e një suksesi hipotetik të përbashkët.
Ligji për dosjet
Eshtë paralajmëruar shumë herë, por asnjëherë nuk ka pasur një akt final dhe përfundimtar për hapjen e dosjeve të vjetra të ish-sigurimit të shtetit. Tentativa e parë për një ligj që do ndalonte konkurimin politik të atyre që ishin peng i të shkuarës ndodhi në vitin 1996, me komisionin Mezini. Dështoi veç të tjerash edhe për shkak se përmasa e njëanshme e përfitimit politik të vetëm njërës palë, PD-së, ishte tërësisht e dukshme. Dy vjet më vonë, komisioni Bezhani filtroi një numër ende të paqartë zyrtarësh që humbën vendet e punës. Kurse në vitin 2008, një ligj i përgatitur nga e djathta, u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese si i formuluar në kundërshtim me ligjin themelor të shtetit.
Kësaj here, në epilog të vitit 2014, fillimisht dy deputetë të djathtë, Mesila Dosa dhe Shpëtim Idrizi dhe më pas, edhe qeveria shqiptare, paralajmëruan miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve. Janë dy drafte në “konkurim” për të njëjtën temë që synon hapjen e dosjeve. Me të gjitha gjasat kësaj here dhe shumë shpejt që në fillim të 2015-ës, Kuvendi i Shqipërisë do të marrë një vendim në lidhje me këtë proces. Eshtë e gjitha në stilin zhurmues të Ramës dhe pragmatizmin e qetë të Metës: do të hidhet një hap që qorton të shkuarën e ekstremit të majtë të diktaturës nga e majta e sotme, pikërisht atë që e djathta nuk mundi ta bëjë dot asnjëherë. Dobia publike e ligjit do të jetë kryesisht në rrafshin e kuriozitetit sepse çfarë kanë qenë mëkatarë të së djeshmes, përgjithësisht sot janë në pension.
Energjia, uji
Ka pasur një varg aksionesh gati-gati revolucionarë për kushtet e Shqipërisë. Në kuptimin që një gjë e tillë konsiderohej gati – gati e pamendueshme më parë. Kryesisht ajo çfarë ndodhi me kultivimin e drogës dhe trafikun e saj, por dhe me ndërtimet pa leje dhe pagesën e energjisë elektrike. Ajo që bënte dikur përshtypje tek fjalori Berisha i opozitës së fillimit të viteve 2000 – ruspa, buldozierë, tritol – u bënë personazhe realë në vitin e parë të qeverisjes së Ramës. Edhe me tritol, edhe me budozierë, edhe me ruspa, nga veriu në jug dhe nga bregdeti në zemër të Tiranës, nisi një sulm frontal kundër ndërtimeve pa leje. Qindra biznese u mbyllën, por një gjë e tillë nuk e pengoi qeverinë të fitojë betejën e parë mbi kontrollin e territorit: sot, të ndërtosh pa leje është pothuaj një aventurë me fund të njohur. Madje edhe me burg. Edhe me energjinë elektrike po ndodh e njëjta gjë. Biznese dhe familjarë që nuk e kanë paguar kurrë këtë mall, kanë nisur të bëjnë pagesat e energjisë. Një numër i pacaktuar qytetarësh ndodhen në paraburgim pikërisht për këtë shkak, mospagesën. Këto janë aksione, i rradhës është ai për ujin e pijshëm, që e kanë bërë gjithmonë e më pak popullor Edi Ramën, që kërcënohet me votë kundër nga të prekurit nga “revolucioni”. Por kryeministri duket se llogariitë i bën ndryshe: me votën e të lumturve që gëzojnë për rivendosjen e ligjshmërisë, por dhe me indiferencën e tij ndaj një kërcënimi të tillë përpara idesë fikse të rikthimit të shtetit.
Numrat, marrëveshja
Një marrëveshje e minutës së fundit risolli PD-në në Kuvend dhe i dha fund bojkotit. Një sërë pikash të përbashkëta që u votuan në seancën e fundit të Kuvendit, do të jenë shpejt objekt i sherrit të nesërm: kryesisht PD do të akuzojë të majtën se nuk po respekton marrëveshjen. Shifrat në Kuvend dhe diferenca mes të majtës dhe të djathtës do të ruajnë të njëjtat raporte, por e majta mund të sigurojë edhe më shumë vota sesa ka për momentin në dispozicion në Kuvend. Një numër i pacaktuar deputetësh janë të gatshëm që të mbështesin në mënyrë parciale reformat e të majtës.
Pjesa tjetër e 2015-ës, do të jetë gjithashtu pjesë e improvizimit. Domethënë, aksioni i njërës palë, do të sjellë reaksionin e tjetrës. Vetëm kësaj here me një diferencë. Nëse deri më tani, e djathta e mishëruar tek Berisha, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë ka pasur gjithmonë epërsinë e hapit të parë, kësaj here rendi i ngjarjeve ka ndryshuar. Eshtë e majta ajo që ka inisitivën e plotë politike të ditës dhe e djathta vetëm se e ndjek nga pas. Sepse në Shqipëri ndryshojnë vetëm ngjyrat dhe sa më tepër ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë!
*JAVA