2017-ta, viti Kryeministror
Nga Linda Karadaku
2017 do të jetë viti i zgjedhjeve kryeministrore. Beteja i ngjan pak a shumë një situate që zgjati dhe zgjat në Kosovë ku realisht mos-marrëveshjet në planin e brendshem politik u fokusuan më shumë në ndarjen e postit të kryeministrit dhe presidentit sesa në cështjet e brendshme të jetës së përditshme të qytetareve të vendit. Pavarësisht sesi perceptohet në shumicën e rasteve, kjo cështje ka logjikë brenda, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri. Presidenti dhe në vecanti kryeministri kanë shumë peshë në Shqipëri sepse politikat në përgjithësi ndërtohen nga lart-poshtë, me një ndikim shumë të madh në vendimarrje të kreut, individit, dhe kanë peshë të jashtëzakonshme në jetën e gjithsecilit prej nesh. Po kështu, është po aq me rëndësi që kryeministri të vijë nga ajo forcë që ka më shume peshë në elektorat duke përfaqësuar kështu shumicën. Në të njëjtën kohë, në të njëjtën logjikë është që edhe ky post negociohet, pavarësisht se në pamje të parë duket si e paravendosur, pra që I takon forcës politike që fiton shumicën e votave të qytetarëve.
Në rastin tonë, të Shqipërisë, në përgjithësi është shkuar me logjikën që kryeministri I takon partisë që fiton shumicën dhe është negociuar pastaj për postet e tjera, përfshi këtu presidentin dhe kryetarin e parlamentit. Por kjo logjikë nuk vlen në rastet e ngërcit të krijimit të një shumice qeverisëse dhe parlamentare ku një parti e vetme nuk do të kishte shumicën e qartë për të krijuar vetë qeveri dhe do të varej nga partia e dytë më e madhe ose nga partitë aleate apo satelite që do të ofronin numrin e duhur të deputetëve për të krijuar qeverinë. Në këtë rast, të gjitha postet do të negocioheshin, përfshi edhe atë të kryeministrit vecanërisht në situatën e post-zgjedhjeve të 2017, të cilat do të duhet të prodhojnë një qeveri të qëndrueshme, një shumicë solide qeverisëse që duhet të zbatojë në praktikë reformën në drejtësi dhe reforma të tjera të dhimbshme për qytetarët dhe me pasoja sociale.
Pavarësisht nga optimizmi I muajve para zgjedhjeve dhe përpjekjet për krijimin e koalicioneve para-zgjedhore, pavarësisht nga përpjekjet për respektimin e marrëveshjeve para-zgjedhore, në fund, numrat që do të dalin pas zgjedhjeve të 2017, do të vendosin shumë gjëra, përfshi edhe pozicionet e larta. Ndryshimi I elektorateve tradicionale duke shkuar drejt elektorateve më pragmatiste do të jetë një factor shumë I rëndësishëm në përfaqësimin post-zgjedhor. Po kështu, imazhi I liderëve respektivë që janë krijuar dhe po krijohen ose konsolidohen do të përbëjë një factor po aq me rëndësi sepse nuk është e lehtë në këtë vend të jesh as President, as Kryeministër, as Kryetar Parlamenti.
Situata e ndezur politike, konfliktet e përhershme politike që ndonjëherë degradojnë deri në betejë të gjithë kundër të gjithëve për një cështje apo për një tjetër, mungesa e ndjesisë së funksionimit bi-partizan ku kundërshtarët politikë merren vesh për çështje të mëdha dhe të rëndësishme (me përjashtim të konsensusit për reformën në drejtësi apo në raste të jashtëzakonshme si krijimi I qeverive të unitetit apo stabilitetit,) intrigat dhe sherret e pushtetit, para dhe jashte kamerave, dhe shumë e shumë të tjera, e bëjnë shumë të vështirë dhe shterrues cfarë posti te lartë në krye të këtij vendi.
Megjithatë, pyetja vazhdon të mbetet e njëjtë. Kush do të jetë Kryeministri I ardhshëm? Rama, Meta, Basha apo ndonjë tjetër… Përgjigja bazë është se elektorati vendos për këtë. Votat. Çfarëdo marrëveshjesh që të bëhen në tavolinë tani, do të varen në zbatimin praktik nga vota e shqiptarëve në terren. Cfarëdo që të diskutohet tani, ka në bazë pikërisht rezultatin e zgjedhjeve. Sic është situata tani për tani, duket që të gjitha kartat janë në tryezë dhe pikëpyetja më e madhe mbetet cfarë do të ndodhë me PD-në e drejtuar nga Basha. Humbjet e njëpasnjëshme në fushata të vogla dhe të mëdha dhe paaftësia për të drejtuar fort dhe me kohezion partinë, e ka kthyer këtë parti në një kafshatë të lehtë për dy të tjerët duke krijuar të gjitha parakushtet për rrokadë pozicionesh në renditje në zgjedhjet e ardhshme. Lider lind, nuk behesh, aq me tepër nuk bëhesh me paterica. Për më tepër, mungesa e aftësisë së lidershipit nuk të dëmton vetëm ty personalisht, por shpartallon një parti të tërë dhe një komunitet njerëzish që besojnë në ideologjinë që përfaqëson partia jote dhe ata që kanë besuar tek ti personalisht dhe të kanë ndjekur. Kështu sic është, PD rrezikon rrudhje të konsiderueshme të elektoratit të saj tradicional. Mos-dalja në zgjedhje nuk ndihmon askënd, as PD-në.
Të jesh lider, domethënë të dish si të respektosh përgjegjësitë e tua para atyre që përfaqëson. Ndryshe tufa shkon në drejtim të paditur se bariu nuk di ose nuk mundet tí drejtojë. Thënë këtë, duket se beteja e votës për vendet e para në renditje po zhvendoset midis Ramës dhe Metës, që përfaqësojnë pozitën dhe opozitën brenda koalicionit qeveritar. Sfida e Ramës është të ruajë elektoratin tradicional të partisë së tij, pavarësisht nga ndikimi I reformave dhe rrjedhjet e deputetëve nga PS që pritet ta dëmtojnë atë. Sfida e Metës është të ngrejë gurin e Sizifit dhe ta dyfishojë ose më shumë partinë e tij, duke krijuar ekuilibre të reja politike në vend. Beteja është gjithashtu cështje personale dhe cështje e imazhit të dy liderëve dhe natyrisht cështje e ndikimit ndërkombëtar. Partitë e skalionit të dytë do të kenë rol shumë të rëndësishëm si satelitë marrëveshjesh dhe postesh dhe në cështje numrash, por ajo që do të jetë me rëndësi është sesi do të kompozohet apo ri-kompozohet skena politike dhe ekuilibrat politikë ne vend. Gjithsesi, në fund të ditës, ajo që vendos është vota e qytetarit. Dhe vota do të vendosë renditjen e partive dhe postet e larta në krye të vendit.