2018 – viti i protestës!

Nga Lutfi Dervishi /

Viti 2018 që po mbyllim, dukej se mund të ishte një vit i mbarë politik. Vit pa zgjedhje. Viti i Skënderbeut. Viti 10 vjetorit të shtetit të Kosovës. Viti i parë në mandatin e dytë, ku Partia Socialiste do të kishte e vetme timonin qeverisës.
Viti 2018 ishte viti i pritshmërive të mëdha- viti ku Shqipëria priste të hapte negociatat me Bashkimin Europian.
Viti ku reforma në Drejtësi do t’i jepte vendit: Byronë Kombëtare të Hetimit, një prokuror jo të përkohshëm dhe peshqit e parë në rrjetën e Drejtësisë.
Viti kur vendi mund të kishte një reformë konsensuale elektorale! Pritej vit i qetë dhe i mbarë.
Një fjalë e urtë thotë se nëse dëshiron ta bësh Zotin të buzëqeshë, tregoji planet që ke për të ardhmen.
Pritshmëritë për 2018-tën, megjithëse modeste, rezultuan tejet të tepruara.
Negociatat nuk u hapën. BE pret rezultate dhe jo rezoluta.
Reforma në Drejtësi- herë i ngjan ndërtimit të kalasë së Rozafës e herë – operacionit që del me sukses, por pacienti mbetet në reanimacion! Lajm i mirë është ngritja e KLGj dhe KLP. Lajm i keq është vonesa në ngritjen e SPAK-ut dhe ritmet e vettingut.
Reforma zgjedhore ende nuk është miratuar – megjithëse zyrtarisht tashmë vendi është 6 muaj para zgjedhjeve lokale.
Një pjesë të mirë të kohës mediatike-politike e mori dueti: Babale- Xhinsela! Por në kujtesën e njerëzve 2018 do të mbetet si viti i Protestave.
Protestës së dhunshme dhe protestës paqësore.
Protesta e dhunshme e kuksianëve detyroi qeverinë të rishohë tarifën e vënë për të kaluar rrugën e Kombit për banorët e qarkut më të varfër në vend, ndërsa protesta paqësore e studentëve, më e madhja e 3 dekadave të fundit, tronditi qeverinë dhe elitën politike, financiare dhe mediatike të vendit.
Viti që po mbyllet do të mbahet mend edhe për eufemizmin: “korrigjimi i kufijve”. Ajo që i mungoi 2018 është ajo që mungon çdo vit: vetëkorrigjimi.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?