21 Janari 2011 dhe 31 Marsi 2018 kuksian dhe “mallkimi” i mandatit të dytë
Nga Arur Zheji
Në vitin tashmë të largët 2011, nën pretekstin e “revoltës popullore” antikorrupsion, Partia Socialiste e Ramës dhe “bërthama rilindase”, që do të merrte pushtetin e vërtetë në këtë parti, organizuan një protestë të egër kundër ish-kryeministrit Berisha.
Me hunj, me çadra, me shishe benzine dhe me gurë të mëdhenj kalldrëmi.
Ishte akoma viti i 6-të i qeverisjes Berisha dhe fillimi i fundit, i largimit të tij nga pushteti, që do të vinte pas dy vitesh, pikërisht me koalicionin me Ilir Metën, kundër të cilit ishte ftuar të shpërthenin në “kryengritje”, socialistët.
U vranë 4 veta dhe ky ishte një tmerr tragjik që gjakosi Bulevardin përkundruall Kryeministrisë. Rama, kishte shpallur “luftën” totale kundër Berishës-kryeministër, por ishte Ambasada Amerikane dhe ndërhyrja e ambasadorit Arvizu, që pengoi mrekullisht spiralen e një lufte civile shqiptare, me qëllim pushtetin…
Berisha dhe ata që e rrethonin, ranë më 21 Janar, në grackën emocionale, të panikut apo të revanshit të protestës dhe armët shkrepën në mënyrë vrastare.
Po të mos ishte për ndërhyrjen amerikane, Shqipëria do të bëhej lëmsh dhe flakë e zjarr, si në vitin ’97, duke hyrë edhe njëherë në dyert e Ferrit të luftës për pushtet.
Aty u kuptua që Berisha kish rënë, pavarësisht çdo të mund të bënte ai më pas.
Më 31 Mars 2018, kuksianët shpërthyen në një protestë në skajin më Verior të Republikës së Shqipërisë, aty dhe ku fillon Republika e Dytë Shqiptare me kryeqytet Prishtinën.
Ka filluar viti i 5-të i qeverisjes Rama, në mandatin e tij të dytë kryeministror.
Historia është e thjeshtë, madje nga më të thjeshtat që mund të bëhet.
Një sipërmarrës i rëndësishëm shqiptar, Shefqet Kastrati, ka fituar një garë të rregullt konçesionare për të mirëmbajtur Rrugën e “Kombit” që lidh Tiranën me Prishtinën.
Bilanci i kostos së mirëmbajtjes së kësaj rruge është shumë i lartë. Punimet shtesë që sipërmarrësi ka marrë përsipër sipas kontratës, janë gjithashtu shumë të shtrenjta për t’u bërë, por qeveria shqiptare s’ka Leka!
Qeveria s’ka Leka, sepse i ka bërë rrush e kumbulla, me palma, qendra urbane dhe shpërdorime të ministrave të saj grykës të pakorrigjueshëm.
Në mënyrë që të përmbushen detyrimet kontraktuale, “Kastrati Group”, duhet të arkëtojë 5 euro për një veturë dhe 11 euro për një kamion, ndërkohë që duhet të investojë më shumë se 220 milionë euro për të përfunduar Rrugën me urat përkatëse dhe njëkohësisht për ta mirëmbajtur atë, dimër dhe verë.
Ndërkohë stafi i Ramës as nuk e ka informuar kryeministrin, se pasi shkurtoi asistencën ndaj nevojtarëve varfanjakë shqiptarë, përmes pikëzimit të ri, qyteti i Kukësit dhe rrethinat, por edhe të gjithë bizneset e vogla shqiptare që lidhen me turizmin, u shqetësuan nga këto çmime që janë të logjikshme si mekanizëm për të mbuluar investimet e kompanisë private, por krejt të papërballueshme për popullin pagues.
Dhe populli shpërtheu, sepse kupa u derdh dhe sepse shkëputja nga realiteti i kryeministrit dhe ministrave të vet grabitqarë, që e gënjejnë sistematikisht me raportimet e tyre të rreme atë, nuk përllogariti dot, goditjen financiare të kësaj takse shtesë.
Menjëherë shteti, përmes arrestimeve, natën dhe në mënyrë të përqendruar, u përpoq të tregoj muskujt, duke futur në burg popullin e vet, për të treguar forcë dhe një trimëri idiote e të panevojshme.
Sepse akoma deri në fund, kryeministri nuk po e kupton apo nuk do ta kuptojë, se kësisoj ka hyrë në spiralen e Berishës së vitit 2011, duke parapëlqyer forcën, kundrejt arsyes.
Është ky eksitimi i pushtetit?
Mos vallë kuksianët i duken vërtet ca njerëz të egjër, “barbarë” dhe që duhen shpërfillur?
Termin barbarë e kanë përdorur për së pari romakët, për popujt jo latinë, që sulmonin Perandorinë e tyre. Kryeministri ynë i “kulturuar” duhet ta dijë këtë.
Edhe “Vandalët”, ishin fise gjermanike që shkatërronin vilat luksoze të romakëve dhe e dogjën Perandorinë romake të rënë në dekadencë.
Janë pra për kryeministrin “Kuksianët”, ca joshqiptarë zjarrvënës?
Porse mjerisht Shqipëria është ndarë tani në dy klasa të reja, në luftë me njëra-tjetrën: Të Pasur dhe të Varfër.
Dhe Rama, me arrogancën dhe padijeninë e tij, që i ka funksionuar mrekullisht deri tani, duke zbatuar skemën e ndarjes së llokmave, për të fuqishmit e këtij vendi, qofshin këta sipërmarrës apo kryebanditë lokalë votëmbledhës, po hedh sot benzinë aty ku duhet të hedhë ujë.
Duke shënuar kështu, fillimin e fundit të vet të parakohshëm. /360grade.al/