“21 janari i Edi Ramës, në anën tjetër të llogores”
Nga Sokol Balla
Edi Rama, këto ditë përjetoi 21 janarin, por nga ana tjetër e llogores.
Tre javë pas daljes në publik nga BIRN i një lajmi që implikonte Ilir Metën në një aferë lidhur me CEZ, palët po bëjnë bilancin e një Lufte Imagjinare, që nuk solli as të arrestuar, as të dënuar, as rrëzim qeverie apo ndryshim balancash në Kuvend. Por që ashtu në mënyrë imagjinare, ndëshkoi vetëm ata që e nisën.
I dëmtuari i parë dhe kryesor duhet të ishte Ilir Meta. Jo vetëm sepse “shumë rastësi, përbëjnë një domosdoshmëri”, por sepse politikisht ai vinte nga një verë e ngrirë me ndërkombëtarët dhe sidomos me shokun e armëve, Edi Ramën. Një pjesë e opinionit që ka nisur atij t’i bëjë gjyqin moral që prej 21 janarit 2011, shpresonte se goditja e fundit, do të ishte edhe seanca e fundit e këtij gjyqi ndaj skraparlliut të fortë dhe enigmatik.
Por ajo që ndodhi në fakt ishte e kundërta. Ilir Meta brenda tre-katër ditëve, arriti të asgjësonte të gjithë faktorët politikë që i kishte kundër. Fillimisht asgjësoi Bashën, ish-mikun e tij, kjo falë edhe koherencës difensive në distancë me Sali Berishën, i cili fillimisht bëri Bashën të dalë të përgënjështrojë zërat për një koherencë ofensive me Ramën kundër Metës dhe më pas të ikë jashtë shtetit. Ashtu si ai bën kahera, kur ska në dorë asgjë tjetër dhe për t’i qëndruar larg lojërave të forta që nuk bëjnë për kurrizin e tij delikat.
Ndryshe nga herë të tjera (dhe kjo mund të quhet lëvizje e suksesshme e marketingut publik) kësaj radhe Meta nuk u mor me Tan Priftin, duke e lënë atë për herë të parë t’i bëjë jehonë vetëm akuzave pesë vjeçare. I vetmi reagim erdhi nga Facebook, ku në pak sekonda nga një adresë, u futën dhe u zhdukën disa foto private të Priftit, të cilat tentuan ta zbresin atë në korridoret e kronikës rozë, por edhe të zezë, pasi nga ai moment ato foto, përbëjnë një kauzë potenciale pasionante rreziku për të. Por këto mbeten sigurisht, vetëm supozime.
Suksesi i vërtetë i Ilir Metës erdhi në Kuvend, kur në votën për projektligjin e PD, rezultati 50 me 54 dha disa mesazhe të qarta në publik, por edhe të personalizuara për Edi Ramën. I cili një ditë më parë u zbyth në Nju Jork dhe deklaroi se ishte kundër një hetimi ndërkombëtar për CEZ. Rama shkatërroi kështu fillimisht me fjalë, pastaj me vepra, embrionin e parritur të një aleance fluide me Bashën. Ai me këtë deklaratë paralajmëroi votën kundër në parlament (ndonëse zyrtarisht për arsye teknike) ndaj projektligjit të PD, i cili praktikisht i jepte politikisht në tepsi “kokën” e Llallës, kryeprokurorin e vënë prej kohësh në fokus të kritikave të tij.
Më pas në Kuvend socialistët në sallë, votuan në unanimitet së bashku me votën e vetmuar të Berishës, kundër këtij hetimi ndërkombëtar dhe eksponentë të tyre si Taulant Balla, mbrojtën Metën me të njëjtin pathos që e godisnin atë, në janar 2011.
Si përfundim, socialistët, të vënë nën akuzë se i dhanë një dorë jo të vogël përhapjes së aferës së CEZ, ishin ata që votuan pro Ilir Metës, ndërkohë që ai vetë votoi kundër vetes së tij. Mesazhi i qartë: Meta bën çfarë të dojë me socialistët, të cilët kanë mundësi të flasin, por jo të veprojnë kundër tij. Kulmi i talljes ishte kalkulimi perfid i kreut të LSI, që numrat tek e majta të ishin vetëm 4, më shumë se te e djathta, fiks sa mandatet e arta të LSI që i lanë ata katër vjet më shumë në opozitë në 2009.
Këto janë disa nga arsyet përse nuk mund të gjykohet Ilir Meta. Sepse atë nuk ka kush ta gjykojë. As në prokurori, e as në Gjykatë, siç e tregoi e shkuara. As opozita, e cila ka lënë të shkuarën e saj peng në hipotekën e Ilir Metës. Por as Edi Rama, i cili këto ditë përjetoi 21 janarin, por nga ana tjetër e llogores. U detyrua ta mbronte Ilir Metën, fiks njëlloj si Sali Berisha në 2011. Rama tregoi se nuk diti të llogarisë mirë aksionet e tij politike, se i lë pergjysëm ato, nga frika e humbjes së pushtetit. Pushtet që i ka celësat sërish në duart e Metës. Një situatë e tillë duhet të çonte në zgjedhje të parakohshme, pasi moralisht Rama të paktën duhet të linte popullin të jepte verdiktin e tij në gjyqin moral. Ashtu si ndoshta duhet të kishte bërë edhe Berisha në janar 2011. Por të dy u sollën njësoj para Metës. Ose më saktë, para frikës së humbjes së pushtetit. Dhe politikisht kjo është fitorja e rimarrë e Metës: ai riforcoi psikozën tek dy kampet e mëdha, se pa të, të gjithë mbesin në opozitë. Ai arriti me mjeshteri maksimale të vërë në barazvlerë me akuzat ndaj tij, moralin e dërrmuar të kësaj klase politike, e cila sipas tij dhe mesa duket me të drejtë, nuk mund t’i bëjë atij asnjë lloj gjyqi moral dhe sigurisht të asnjë lloji tjetër.
Në fund të fundit fituesi nuk gjykohet. Dhe kjo fitore e Metës, ashtu si edhe akuzat kundër tij, nuk është e para. Apo siç sugjeron dialektika, nuk do të jetë as e fundit. Sepse “disa rastësi, përbëjnë domosdoshmëri”, apo jo?